Invesimet në qendrat e reja tregtare nuk po ndalen, ndonëse ato ekzistueset nuk po arrijnë të shohin rritje të aktivitetit dhe kanë filluar të falimentojnë. A rrezikohet një tjetër sektor me mbi-investime, siç ka ndodhur të shkuarën me ndërtimin e apartamenteve, sidomos atyre në bregdet, teksa investitorët nxitojnë të kopjojnë njëri-tjetrin?!
Nga Deada Hyka
Me dy komplekse të reja tregtare që pritet të bëhen funksionale brenda dy viteve të ardhshme, Tirana Ring Center dhe Toptani Complex Center, sipërfaqja që jepet me qira në qendrat në Shqipëri pritet të rritet me rreth 20%, duke arritur mbi 230 mijë metra katror, sipas të dhënave nga Colliers International.
Kjo do e çojë treguesin e përqendrimit të qendrave nërreth 80 m2 për 1000 banorë, nga 67 m2 për 1000 banorë, qëështë sot. Ndonëse ky indikatorështë i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës qendrore është 209 m2 për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit. Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 200 m2 për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë.
Në kushtet e bilanceve ende jo pozitive të qendrave ekzistuese, që nuk po arrijnë të rrisin të ardhurat, dhe rënies së besimit të konsumatorëve (shiko nënndarjen: Bie besimi i konsumatorëve, presin ulje të të ardhurave) duket se ardhja në treg e qendrave të reja nuk do të jetë e lehtë.
Sipas bilanceve të dorëzuara në vitin 2013, TEG, qendra më e madhe në vend, në vitin e dytë të plotë të aktivitetit, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 824 milionë lekësh (gati 6 milionë euro), me një tkurrje prej rreth 7% në raport me vitin e mëparshëm. Qendra vijon të jetë ende me humbje, por ato janë reduktuar në 71 milionë lekë (para taksave) në 2013, nga 125 milionë lekë në vitin e mëparshëm. Situata është përmirësuar në 2014-n, pasi në këtë qendër, hyri grupi Inditex me markat e veta Zara, Bershka, Massimo Dutti, Pull&Bear. TEG segmenton klientët e mesëm dhe ata që kërkojnë çmime të lira.
Më problematike ka qenë situata për qendrën tjetër City Park, e cila nuk arriti të kishte sukses, duke u segmentuar në tregun e veshjeve të shtrenjta. Për vitin 2013, kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 522 milionë lekësh (3.7 milionë euro) me një rënie me rreth 16% me bazë vjetore. Kompania rezultoi me një humbje prej 165 milionë lekësh, nga fitimi prej 278 milionë lekësh i vitit të mëparshëm. Humbjet erdhën tërësisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet arritën të mbaheshin nën kontroll. Aktivet e City park kanë dalë së fundmi për shitje, duke shënuar falimetintimin e parë të madh në këtë sektor.
Qendrat Tregtare dhe Hapësirat
Stoku i përgjithshëm i shitjeve me pakicë në Tiranë në fund të vitit 2014 ishte 158,000m², sipas të dhënave nga Colliers International. Më e madhja ështëTEG me 42,000m2, e ndjekur nga City Park me 40,600 m2, QTUme 22,000 m2 .
Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur Qendra Tregtare Univers (QTU) u hap, në periferi të kryeqytetit.
Në fund të 2014, në total, qendrat tregtare në Shqipëri kishin një total sipërfaqe bruto për tu dhënë me qira prej 194,000 m2, 82% e të cilave ndodhet në Tiranë.
Vetëm në Tiranë aktualisht ka 12qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave ndodhen në periferi të kryeqytetit.
Zonat periferike janë shndërruar tashmë preferenciale për zhvilluesit e rinjtë tregut, pasi ato ofrojnë mundësi për zonat e mëdha tregtare dhe hapësirë parkimi. Qendrat kryesore tregtare në Tiranë aktualisht janë të “Tirana East Gate”, “City Park”, “Qendra Tregtare Univers”, “Casa Italia”, “ETC”, “Kristal”, “Condor”, “Sheraton Shopping Plaza”, “Coin”, Hekla Center, Concord Center, Metropol Center.
Tre qendrat e tjera tregtare “Blue Star”, “Qendra Galaktik” dhe “Qendra Flagship” janë vendosur në Durrës, 38 km larg nga kryeqyteti. Dy degë të tjera të qendrës tregtare QTU gjenden në Fier dhe në Vlorë.Një tjetër qendër tregtare ndodhet në Elbasan,Orti Center, rreth 500 m në autostradë.
Qendrat e reja
Në afatin e shkurtër priten të vijnë së shpejti në treg në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm komplekse të tjera multifunksionale, që do e rrisin hapësirën e tregtare tregtare në Tiranë, konkretisht Tirana Ring Center dhe Toptani Piazza.
Toptani Piazza, qendra multifunksionale në Rr. “Abdi Toptani” ështëe vendosur në qendër të Tiranës, me njëstrukturë prej 60 000 m2, nga të cilat rreth 13 mijë metra katror janë dyqane dhe rreth 17 mijë metra zyra, sipas burimeve zyrtare. Është një investim i kompanisë Gener 2, ndër të tjera ndërtuesi dhe menaxhuesi i Abba Center.
Tirana Ring Center është e vendosur vetëm 500 m nga qendra e qytetit (sheshi Skënderbej), para sheshit Rond në Zog të Zi dhe pritet të bëhet funksionale së shpejti. Është njëprojekt i madh, i realizuar në 3 vitet e fundit dhe zë një sipërfaqe më shumë se 55.000 m², sipas burimeve zyrtare të kompanisë. Tirana Ring Center përfshin një qendër tregtare, rreth 24,000 m² ambiente për zyra, një hotel, bare, restorante dhe apartamente banimi.
Investimi është i shoqërisëMSA Konstruksion shpk, me seli qendrore në Kurbin dhe një xhiro prej 387 milionë lekësh në vitin 2013, sipas bilancit të dorëzuar në QKR.
Ndërkaq po ndërtohet edhe një qendër biznesi në periferi të Tiranës, Tirana Business Park, me një sipërfaqe rreth 210 000 m2.
Ndryshimet në tregun e pakicës
Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers Albania thotë se Shqipëria duket se ka ndjekur tendencat e Evropës Qendrorë dhe Lindore për këtë vit, në të cilin ka pasur ndërtime të reja qendrash tregtare, ndonëse tregu i tyre vijon të jetë i “ngopur”.
Gjithsesi, segmenti i shitjeve me pakicë në Shqipëri, sipas Colliers, dëshmoi ndryshime pozitive gjatë gjysmës së parë të vitit, me hyrjen në treg të markave kryesore ndërkombëtare si Inditex Group me 5000 m² të hapësirës moderne të shitjes me pakicë. Markat si Zara, Massimo Dutti, Bershka dhe Stradivarius, të cilat janë të vendosura në Tirana East Gate Shopping Center.
Zhvillimi i qendrave tregtare ka ndryshuar mënyrën e blerjes së konsumatorëve shqiptarë. Ata janë më të prirur për të vizituar dyqanet në qendrat tregtare,të tërhequr nga cilësiae shërbimit, çmimet konkurruese, gama e gjerë e produkteve në të njëjtin vend dhe të shërbimeve të shumta.
Stoku aktual në Shqipëri ka kënaqur për momentin nevojat e konsumatorëve shqiptarë për marka cilësore. Megjithatë, sikurse bën të ditur edhe raporti më i fundit i Colliers-it, duhet theksuar se çdo markë e moderuar dhe e ulët në çmim do të jetë e suksesshme në zgjerimin e saj në Shqipëri, pasi është lloji i markës që konsumatorët shqiptarë janë më të prirë të zgjedhin.
Bie besimi i konsumatorëve, presin më pak të ardhura
Treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) u ul me 3.9 pikë përqindje në tremujorin e katërt, pas dytremujorësh rritjeje, sipas Bankës së Shqipërisë. Kjo rënie reflektoi keqësimin e të katër komponentëve përbërëse të treguesit tëagreguar, kryesisht rënien e balancës së situatës së shpenzimeve/të ardhurave, si dhe të blerjeve të mëdha.
Në masë më të vogël, por negativisht, kontribuuan edhe pritjet për situatën financiare dhe ekonomike nëvend.
Sipas Bankës, pritjet e konsumatorëve për nivelin e papunësisë në gjashtë muajt e ardhshëm janë pesimiste. Balanca e saj u rrit me 1.4% (rritja e balancës tregon për papunësi të pritur në rritje). Gjithashtu, konsumatorët perceptojnë kosto të rritur jetese dhe keqësim të gjendjes së tyre financiare në tremujorin e katërt, ndërkohë që balanca e kursimeve shënoi rënien më të theksuar me 10 pikë përqindjeje. Pritjet për inflacionin, pas një viti, u rritën në tremujorin e katërt, përkatësisht në 1.8% nga 1.6% që rezultonin në tremujorin e mëparshëm, por mbeten gjithsesi nën mesataren e vet afatgjatë.
Rajoni, Tirana 19 euro/m2më shtrenjtë se sa Sofja
Për herë të parë në Bullgari, gjatë dy viteve të fundit, tregu ka regjistruar një rritje në qiratë kryesore në qendrat tregtare në rreth 3%, si rezultat i të cilave nivelet e qirave arriti në 31 euro në m2/muaj. Këtë shifër e bëri të ditur raporti i fundit i Colliers International. Me përfundimin e qendrave tregtare në ndërtim e sipër, kërkesa me pakicë në Bullgari pritet të përqendrohet në projekte të suksesshme, ndërsa furnizimi i ri nuk pritet të sjellë përmirësim për qiramarrësin.
Ndërkaq, krahasuar me Tiranën, Sofja qëndron më poshtë me çmimin e qirave kryesore në qendra tregtare, Tirana “ udhëheq” me rreth 19 euro më tepër në muaj/m2, në rreth 50 euro/m2.
Sipas hulumtimeve globale vjetore të kompanisë amerikane për prona të paluajtshme CBRE, sipërfaqja totale e shitjes me pakicë në Beograd ka mbetur e pandryshuar, në fund të 2014, duke qëndruar në 230,000 m2, e cila përfshin të gjitha llojet e shitjes me pakicë.
Në kushtet e zhvillimeve të reja, hapja e qendrës së re One në Zemun, është planifikuar për pranverën e vitit 2015, me rreth 15.000 m2 shtrirje, që do sjellë një stok të ri tregut të Serbisë.Për sa i përket çmimeve të qirave, raporti bën të ditur se kushton nga 50-70 euro/m2/muaj.
Flet Stela Dhami, Menaxhere Ekzekutive e Colliers Albania
“Qendrat tregtare në Tiranë kah ‘ngopjes’, por sërish projekte të reja”
Stela Dhami, Menaxhere Ekzekutive e Colliers Albania, shprehet se tregu shqiptar duket se ka ende hapësira për qendra të reja, tregtare apo edhe biznesi, pasi ato shkojnë kah njëra–tjetrës, një biznes i ri në treg, qoftë shqiptar apo edhe i huaj, do të ketë edhe zyrat e përfaqësive të markës/emrit, por edhe ambientet për aktivitetet komerciale.
Si funksionon tregu i qendrave komerciale apo të biznesit në Shqipëri?
Në Shqipëri, investitorët modelojnë njëri-tjetrin, jo se nuk ndodh jashtë, këtu shikohet një biznes që për disa vite ecën dhe bëhet e njëjta gjë. Por ideja është që duhet të kapësh momentin e tregut dhe të shikosh se në ç’drejtim po ecën ky treg. Theksoj që të tërheqësh qiramarrës seriozë, duhet të hysh serioz në treg, me kushtet që ofron por edhe me llojin e menaxhimit të pronës. Duhet kohezion. Nuk funksionon ndryshe. Në këtë treg shqiptar, ne këtu i shohim ndryshimet. Edhe performanca e sektorit të shitjes me pakicë varet nga shërbimet profesionale të menaxhimit të pronës. Hapësira e re e shitjeve me pakicë që pritet të hyjë në treg nëpërmjet Toptani Plazza dhe Tirana Ring Center, do të sjellë një stok të ri në treg, por edhe qendra e biznesit Tirana Bussines Center. Me ardhjen e tyre, do të shihet se si do të ndryshojë tregu, duke u bazuar në aktivitetet e tyre përkatëse.
A ka kërkesa për zyra në qendra tregtare apo kjo e fundit qëndron kah qendrave të biznesit?
Nëpër qendra tregtare nuk ka pasur kërkesa për zyra, pasi e para ka hapësira të posaçme për zyrat, sikurse po ndërtohet tani Tirana Business Center, por edhe pasi hapësirat tregtare janë tashmë të ekspozuara dhe të ndërtuara si objekte për qëllime komerciale. P.sh. edhe rasti i Inditex Group, ndër firmat më të suksesshme që hyri vjet në Shqipëri, zyrat i kanë në Tiranë, ndërsa aktivitetin komercial e kanë të pozicionuar në një qendër tregtare. Janë të mirëpërcaktuara, të ndara nga njëra-tjetra.
Sa janë çmimet për qira në qendrat tregtare?
Në qendrat kryesore të shopping-ut në Tiranë, qiratë për dyqanet mesatare sipas madhësisë qëndrojnë në € 50/m²/muaj. Negociatat janë bërë rast pas rasti, por duhet theksuar se fuqia e negociatave nga pronarët ka qenë në rritje, veçanërisht në qiratë e zonave kryesore. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për qendrat tregtare që mbajnë markat më të mira dhe mund t’i ofrojnë shitësit një numër të lartë të konsumatorëve. Qiraja në rrugë kryesore ka rënë në € 38/m²/muaj, në përgjigje të rritjes së vendit vakant dhe rritjes së dëshirës nga ana e shitësit për të qenë i pranishëm në destinacionet më të organizuara të shitjes me pakicë.
Si arsyetohet tendenca e çmimit më të lartë në qendrat tregtare se sa rrugë kryesore?
Kjo pasi shumica e shitësve mbeten të interesuar në zhvillimin e markave të tyre në konceptet ekzistuese të shitjes me pakicë, të tilla si qendrat tregtare, që ofrojnë njëkohësisht opsione argëtuese për të gjithë familjen dhe mund të mbajnë blerës më gjatë në ambientet e tyre.
Si pritet të jetë “e ardhmja” e qirave në qendra tregtare apo biznesi?
Ndërkohë që qendrat tregtare të Tiranës po vijnë kah “ngopjes”, kjo nuk e heq mundësinë e projekteve të reja, të rëndësishme, për të ardhur në treg, në vitet në vijim. Qiratë do të vazhdojnë të kenë presion në rënie pas uljes së shpenzimeve të konsumatorëve. Investitorët priten të jenë të fokusuar në kërkim të lokacioneve në qytetet dytësore, për zhvillimin e dyqaneve të mëdha, hapësirave me pakicë dhe qendrave tregtare.
Flet Julian Mane, Zëvendëspresidenti i Grupit Balfin
Kriza po i shtyn klientët drejt zgjedhjeve “të zgjuara”
QTU-jakryesonnëlistën e qendrave tregtare në vend. Çfarë ndryshimesh ka pasur që në fillimet e saj?
QTU është qendra e parë tregtare e ndërtuar në Shqipëri, duke ofruar një mënyrë krejt të re e të ndryshme të të bërit blerje. Të qenët të parët ka ndikuar në krijimin e një lidhje të fortë me blerësit, duke krijuar një përparësi të madhe për QTU. Por edhe qendra tregtare ka ditur t’u ofrojë blerësve gjithçka që kanë pasur nevojë në një vend të vetëm. Që në fillim, QTU është projektuar për të qenë një qendër tregtare me shumë mundësi zgjedhjesh për të gjitha kërkesat dhe nevojat e të gjithë anëtarëve të një familjeje. QTU solli në tregun shqiptar marka të njohura ndërkombëtare, duke garantuar cilësinë dhe origjinalitetin e të gjitha produkteve.
Por kjo nuk mjafton për të qenë qendra më popullore në Shqipëri në më shumë se 9 vjet. QTU vazhdimisht e ka modifikuar dhe përmirësuar larmishmërinë e dyqaneve, duke u paraqitur blerësve gjithnjë dyqane të reja. Përveç dyqaneve të markave simbol tashmë për QTU si Neptun, Mango, Okaidi, Carrefour, etj., kohët e fundit janë shtuar edhe LC Ëaikiki me Jumbon. Ndërkohë që shumë shpejt, pjesës së shërbimeve do t’i shtohet edhe një restorant i ri, Goodies.
Pse u vendos hapja edhe e një qendre të re tregtare (TEG) 3 vite më parë?
Hapja e TEG erdhi si pasojë e edukimit të blerësve, që solli rritjen e kërkesës së bizneseve për t’u përfaqësuar me dyqane moderne brenda qendrave tregtare. Kjo na nxiti ne, si Grupi Balfin, që të nisnim investimin për ndërtimin e qendrës tregtare më të madhe dhe më moderne në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë në rajon. TEG, përveç hapësirës dhe dyqaneve, mund t’u ofrojë blerësve dhe vizitorëve më shumë shërbime dhe hapësira argëtimi. TEG u ndërtua në një drejtim të kundërt me QTU, në mënyrë që të mbulojnë zona të ndryshme të Tiranës dhe Shqipërisë. Përveç pozicionit strategjik, lehtësisht i aksesueshëm nga qytetarët e Elbasanit dhe Tiranës, TEG ofron një miksim markash që nuk e ka asnjë qendër tjetër tregtare në Shqipëri. Vjet në TEG, Grupi Inditex, lider në industrinë e modës në botë, hapi 5 dyqane. Prania e grupeve kaq të mëdha nuk është vetëm një reklamë e mirë për TEG, por edhe për vetë Shqipërinë.
Cilat kanë qenë elementet që i kanë bërë këto qendra tërheqëse për klientët/konsumatorët?
Për mënyrën si e shikojmë ne ecurinë mjaft të mirë të qendrave tregtare, TEG dhe QTU tërheqëse i bëjnë një sërë faktorësh. Ndër kryesorët, unë do përmendja miksimin e mirë të markave që ne kemi në dyqanet e qendrave tregtare ku vizitorët gjejnë gjithçka që u duhet. Çdo dyqan i ri që u shtohet qendrave është i mirëstudiuar që të mos cenojë ofertën e qendrave tregtare, si dhe të garantojnë standardin që ne duam të ruajmë për klientët tanë.
Tjetër element që do të doja të theksoja është pozicionimi strategjik i qendrave tregtare. Kur u hap QTU, komentet e para ishin mbi largësinë nga Tirana, por në vizionin tonë, QTU do të ishte një qendër tregtare jo vetëm për Tiranën, por edhe për Durrësin dhe Veriun e Shqipërisë. Në fillim, të gjithëve u dukej si shumë e pamundur por koha tregoi që strategjia jonë ishte e drejtë. E njëjta strategji është ndjekur edhe për TEG, një qendër tregtare për dy dhe më shumë qytete, jo vetëm për Tiranën dhe Elbasanin, por edhe për gjithë Jugun e Shqipërisë. Pozicionimi i qendrave tregtare ka qenë shumë i rëndësishëm në zhvillimin dhe suksesin e tyre, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Maqedoni me qendrën tjetër tregtare Skopje City Mall.
Shumë të kujdesshëm jemi treguar që markat e pranishme te qendra tregtare të kenë një raport optimal të cilësisë dhe çmimit, duke ju përshtatur më së miri të gjitha kërkesave të tregut shqiptar. Gjithashtu në të dyja qendrat tregtare, ne kemi arritur që të krijojmë forma shumë të mira partneriteti me markat, duke organizuar përherë oferta dhe ulje çmimesh për t’i bërë të lumtur të gjithë klientët tanë.
Por, në TEG dhe QTU nuk shkohet vetëm për blerje. Oferta e qendrave tregtare kompletohet duke ofruar elementet e argëtimit dhe shërbimeve. Qendrat tregtare, përveç dyqaneve, kanë edhe një sërë shërbimesh të tjera, si kafene, bare, restorante dhe hapësira kushtuar argëtimit të fëmijëve. Gjithashtu, çdo javë ka një program të ndryshëm me aktivitete që arrijnë kulmin gjatë fundjavave. Në QTU, gjatë fundjavave arrijnë – 12,000 persona vizitorë në ditë, ndërsa në TEG – 17,000 persona.
A ndihet kriza e konsumit në QTU/TEG? Si ka qenë ecuria ndër vite?
Si në çdo lloj biznesi, edhe frekuentimi i qendrave tregtare ka uljet dhe ngritjet e veta. Duke vlerësuar situatën e përgjithshme, unë ndihem shumë i kënaqur me ecurinë e të dyja qendrave tregtare. Në kohë krizash, konsumatorët bëhen shumë herë më të kujdesshëm se ku i shpenzojnë paratë dhe çfarë cilësie marrin mbrapsht. Statistikat tona mbi frekuentimin e qendrave tregojnë rritje, duke treguar që klientët gjithnjë e më shumë zgjedhin cilësinë, duke bërë edhe blerje të zgjuara.
Po për sa i përket konkurrencës, si ndiheni?
Në një ekonomi të shëndetshme, konkurrenca do të ishte një element zhvillues për të gjithë, kjo do ta stimulonte më tej zhvillimin e sektorit. Te ne, situata ndërlikohet pak pasi qendrat tregtare nuk garojnë me njëra-tjetrën, por me sektorin informal të shitjeve me pakicë. Kjo konkurrencë e pandershme prodhon vështirësinë më të madhe që u vjen bizneseve të rregullta, të cilat aplikojnë standarde biznesi të niveleve evropiane, si pasojë e bashkëpunimeve me markat më të njohura ndërkombëtare. Mosndalja e kontrabandës së mallrave apo abuzimit me çmimet dhe cilësinë nuk i jep dot Shqipërisë shtytjen e nevojshme për të qenë në të njëjtin nivel me vendet e rajonit kur bëhet fjalë për zhvillimin e shitjeve me pakicë. E gjithë kjo situatë përkthehet pastaj në të ardhura të mëdha të munguara në arkën e shtetit. Në këto kushte, qendrat tregtare më shumë sesa konkurrencën midis tyre e shikojnë atë me tregun informal. Pa u zgjidhur njëherë e mirë kjo situatë, është e vështirë të shikosh konkurrencë tjetër më të dëmshme sesa kjo, si për bizneset serioze, ashtu edhe për vetë shtetin.
“Shqipëria ka hapësirë për një koncept unik ndërtesash për zyra”
Flet Georgi RANCHEV, Menaxheri i Përgjithshëm i Tirana Business Park
A ka tregu shqiptar ende hapësira për ngritjen e qendrave të reja tregtare/biznesi?
Po, tregu shqiptar ka hapësirë për ofrimin e një produkti të ri dhe krejtësisht të ndryshëm, me një koncept unik ndërtesash për zyra dhe vendndodhje, lehtësisht të dallueshme si Nyjë Biznesi, siç është Tirana Business Park.
Sikurse edhe në vitin 2013, tregu ka ende në gjendje hapësira për zyra, të përqendruara kryesisht në ndërtesa me përdorim të përzier, zyrë-ambiente tregtare dhe ndërtesa banimi, në zonën qendrore të qytetit dhe asnjë prej tyre në një ndërtesë të dedikuar për zyra me infrastrukturë të përkryer dhe vende të mjaftueshme parkimi.
Çfarë do të sjellë ndryshe Tirana Business Park?
Projekti zhvillohet nga Grupi Lindner i Gjermanisë, me një përvojë të gjerë 50-vjeçare në prodhimin e materialeve të ndërtimit si dhe “Ndërtimin e zgjidhjeve të reja” për këtë sektor.
Misioni jetëgjatë i Grupit Lindner dhe TBP në zhvillimin e pasurive të paluajtshme kundrejt komunitetit të biznesit nis me përkushtimin dhe premtimin: investim 100% bazuar mbi ekuitete, me asnjë përfshirje të ndonjë institucioni financiar, angazhim i pavarur për t’u ofruar klientëve:
a) marrëdhënien më të mirë dhe më jetëgjatë
b) standardin më të lartë e të duhur të biznesit dhe infrastrukturën e ndryshueshme, përmes një projekti perëndimor arkitekture, peizazhi dhe infrastrukture
c) paketë shërbimesh 360 gradë dhe shërbime 24-orëshe të menaxhimit të pronësisë
d) dhe mbi të gjitha, kjo është e kombinuar me hapësira të gjera të gjelbra si, Parku Qendror, Parku Anësor dhe ambiente çlodhëse
Ne besojmë fuqimisht se ndryshimi vjen kryesisht përmes një vendndodhje të duhur zhvillimi të biznesit, infrastrukturë të shkëlqyer dhe mjedis social të mrekullueshëm. TBP është nyje unike e përbërë prej 15 ndërtesa për zyra dhe 2 ndërtesa parkimi, të dedikuara ndaj komunitetit rajonal të biznesit, aty ku liderët e biznesit dhe punonjësit mund të punojnë bashkërisht dhe të jenë më frytdhënës.
Kjo është arsyeja pse ne vendosëm të ndryshojmë tendencën aktuale të furnizimit të produktit të ambienteve për zyra, duke synuar drejtimin e tregut dhe ofrimin e konceptit bashkëkohës, të ri e perëndimor, të qytetit brenda qytetit, ku rrjeti i sipërmarrësve mund të krijohet lehtësisht dhe të rritet shpejt, si dhe duke siguruar shërbime të mjaftueshme dhe një ambient të dedikuar pune për punonjësit e tyre.
Cila është strategjia juaj për të tërhequr klientë?
Dallimet e mësipërme nuk janë të vetmet që formojnë aspektin tërheqës për klientët tanë. Ekipi ynë i mirëkualifikuar e profesional, ndërthurur me menaxhimin me përvojë të madhe në rajon dhe Gjermani bëjnë diferencën. Ata janë themeli i strategjisë së TBP-së drejt arritjes së objektivit. Përbërësi tjetër është përmes prezencës efektive në rajon dhe komunitetin ndërkombëtar të biznesit, ku klientët tanë potencialë mund të marrin më shumë informacion mbi mundësitë e shumta se si të bësh biznes në Shqipëri. Ne besojmë se, prania dhe investimi i Grupit Lindner në Shqipëri do të ketë ndikim mbi një numër të konsiderueshëm partnerësh tanë ndërkombëtarë, për ta konsideruar seriozisht Shqipërinë si vendndodhje të duhur biznesi dhe do të na ndjekin pas. Sidoqoftë, mjedisi ekonomik dhe politik i vendit duhet të jetë gjithashtu shumë mbështetës dhe lehtësues kundrejt Investimeve të reja të Huaja Direkte.
Cilët do të jenë objektivat tuaja kryesore?
Ne e kemi drejtuar vështrimin për nga e ardhmja e Shqipërisë, sot një vend kandidat, ndërsa nesër një anëtar i Bashkimit Europian; synimi ynë është të ofrojmë tani, mënyrën e së nesërmes të të bërit biznes. Kjo do të arrihet duke krijuar dhe duke implementuar konceptin e së ardhmes, përmes ndërtimit të infrastrukturës përkatëse dhe ofrimin e saj komunitetit të biznesit sot, çka do të jetë vlerë e shtuar për aktivitetin e tyre aktual.
Tirana Business Park synon, gjithashtu, të lehtësojë kohën e krijimit dhe të tranzicionit për të gjitha Investimet e Huaja Direkte që kanë si objektiv Shqipërinë dhe rajonin, duke i tërhequr ata në brendinë e një mjedisi ekzistues komuniteti biznesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.