Ashtu si me shumë vende të Europës Lindore dhe Qendrore, Rumania vazhdimisht e ka cilësuar se marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë një partneritet i privilegjuar, një partneritet strategjik, që synon të zbusë rreziqet e një Rusie fqinje në rritje.
Nëse disa shtete të Europës Lindore dhe Qendrore kanë mbajtur një qëndrim mikpritës edhe ndaj Kinës, Rumania është treguar e kujdesshme në këtë drejtim, veçanërisht në pozicionimin e saj ndaj Pekinit, madje shumë më përpara se tensionet ndërmjet Kinës dhe Amerikës të përshkallëzoheshin dhe të bëheshin publike edhe në skenën globale, shkruan Horia Ciurtin*. Sigurisht që Rumania ka pasur edhe bashkëpunime me Republikën Popullore të Kinës, si në një nivel dypalësh, ashtu edhe brenda formateve shumëpalëshe siç është korniza “16 + 1”.
Por, sidoqoftë, lidhjet tregtare dhe ato në drejtim të investimeve kanë qenë në një nivel të kufizuar dhe gjithmonë të shoqëruara nga ngurrimi për ta zhvilluar më tej partneritetin politik dhe për ta çuar atë në një nivel më të rëndësishëm.
Kjo ka qenë edhe një ndër arsyet se përse Rumania nuk e përqafoi tendencën e gjerë të shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore për t’i forcuar marrëdhëniet me Pekinin.
Në Bukuresht nuk është vënë re një rritje e konsiderueshme e aktivitetit ekonomik kinez (qoftë në aspektin e investimeve dhe qoftë në atë të blerjes së korporatave), siç është konstatuar në Hungari, Republikën Çeke apo Sllovaki.Investitorët kinezë kanë mbajtur në përgjithësi një profil të ulët në Rumani, dhe madje edhe ato pak projekte të përbashkëta që janë shndërruar në objekt diskutimesh të shumta, nuk kanë arritur të materializohen.
Përveç kësaj, që nga momenti kur konflikti tregtar ndërmjet Kinës dhe Amerikës u bë publik, Rumania filloi të mbajë një qëndrim më të kujdesshëm ndaj Pekinit, duke i dhënë përparësi marrëdhënieve me Uashingtonin, në përpjekje për të ruajtur dhe për të mos krijuar asnjë konflikt apo fërkim me aleatin e saj të Amerikës së Veriut.
Rasti i Rumanisë, është një prej shembujve më të mirë, ku këshillat amerikane janë zbatuar me përpikëri. Këtu u referohemi sinjalizimeve mjaft të qarta të zëvendëspresidentit Pompeo, gjatë turneut në shkurt të këtij viti në Europën Qendrore. Ai iu drejtua shteteve të këtij rajoni, duke thënë se ato duhet të tregohen të kujdesshme në përzgjedhjen e miqve të tyre politikë.Edhe takimi i fundit i zhvilluar në gusht të këtij viti midis Presidentit rumun dhe atij amerikan në Shtëpinë e Bardhë, e thekson më shumë marrëdhënien e fortë ndërmjet këtyre dy shteteve.
Edhe pse takimit të fundit nuk iu kushtua vëmendje e veçantë nga qarqet vëzhguese të Kinës, rëndësia e tij ishte shumë e madhe, sepse ai sinjalizon edhe një herë shfaqjen e një modeli të ri në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, duke i këshilluar këto të fundit të mbajnë një qëndrim të hapur ndaj atyre që ato i konsiderojnë si aleatët e tyre të vërtetë.
Mesazhi është shkruar qartë mbi mur: Kërcënimet e 5G kineze
Z. Iohannis, pas takimit të zhvilluar me homologun amerikan, po përballet me fushatën e zgjedhjeve të reja presidenciale në Rumani, të cilat pritet të zhvillohen gjatë këtij viti, por edhe me çështje të rëndësishme të sigurisë në vend dhe me konsolidimin e partneriteteve të saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si gjithmonë, kishte shumë çështje në axhendë: NATO-ja, kërcënimi i nënkuptuar rus, energjia, përpjekjet antikorrupsion dhe marrëdhëniet ekonomike. Pa kaluar kohë në bilancin tregtar dypalësh, i cili disa herë ka qenë negativ dhe disa herë të tjera në rritje, por mbetet i papërfillshëm në vlerën e përgjithshme (Business Review, 21 nëntor 2018), të dy Presidentët arritën të diskutojnë një seri çështjesh të rëndësishme të sigurisë.
Ashtu siç pritej, një prej temave më të spikatura ishte ajo e Krahut Lindor të NATO-s dhe konsolidimi i tij në kontekstin e remilitarizimit intensiv të Detit të Zi (i lidhur veçanërisht me shqetësimet për aneksimin e Krimesë dhe shndërrimin në një bazë të plotë operacionesh ruse).
Përveç pikave të mësipërme të diskutuara në takimin ndërmjet Presidentit rumun dhe atij amerikan, deklarata e përbashkët që u arrit nga ky takim theksonte veçanërisht se këto dy shtete “kërkojnë të shmangin rreziqet e sigurisë që shoqërojnë investimet kineze në rrjetet e telekomunikacionit 5G” (Deklarata e Përbashkët, 20 Gusht). Deklarata ishte e qartë dhe u drejtohej në mënyrë të drejtpërdrejtë kompanive kineze që operojnë në tregun ndërkombëtar të telekomunikacionit. Për më tepër, kjo çështje u rendit si një prej sfidave kryesore të sigurisë në krye të listës në lidhje me çështjet kryesore dypalëshe.
Energjia si çështje e sigurisë kombëtare: Nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë
Deklarata e Përbashkët gjithashtu bëri pohimin e qartë se “Shtetet e Bashkuara dhe Rumania pranojnë se siguria e energjisë është siguria kombëtare”.
Pikërisht kjo deklaratë çoi në një kritikë të ashpër të projektit Nord Stream 2 për rritjen e varësisë së aleatëve rajonalë nga furnizimi me gaz nga Rusia (Deklaratë e Përbashkët, 20 gusht; Eurasia Daily Monitor, 14 nëntor 2018). Në rastin e Rumanisë, pohime të tilla duhet të analizohen në një kontekst më të gjerë, në të cilin Kina paraqitet si një aktor i vogël, por i rëndësishëm.
Në dekadën e fundit, lëvizjet e Pekinit për t’u shndërruar në një lojtar më aktiv në tregun energjetik rumun, qoftë ai në formën e shfrytëzimit tradicional dhe gjenerimit të energjisë, ose në sektorin alternativ (“e gjelbër”), kanë qenë shumë të rëndësishme.
Përtej parqeve fotovoltaike dhe planeve për të rinovuar termocentralet ekzistuese (apo edhe për të ndërtuar të reja), tema kryesore e diskutimit ka qenë e përqendruar rreth një ngjarje shumë të rëndësishme: vendimi i vitit 2015 nga kompania shtetërore CEFC China Energy (中国 华 信 能源, Zhongguo Huaxin Nengyuan) për të tërhequr dhe për të blerë një aksioner mazhoritar të Kaz Munay Gas International nga pronarët e tij nga Kazakistani (Rompetrol, 29 prill 2016). Kjo blerje do t’i mundësonte CEFC të fitonte kontrollin mbi Rompetrol (në pronësi të Kaz Munay Gas International), një kompani e madhe nafte në Rumani dhe pronari i rafinerisë më të madhe të vendit (Petromidia).
Përfundimi: Dërgimi i një mesazhi të qartë për shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore
Takimi i gushtit midis Presidentëve të Amerikës dhe Rumanisë duhet të kuptohet edhe në një mjedis të zgjeruar strategjik dhe jo vetëm në terma të bashkëpunimit dypalësh. Implikimet e tij kanë të bëjnë me një arenë më të madhe rajonale dhe globale, në të cilën Rusia dhe Kina janë caktuar si sfidues të sistemit të vendosur të rendit ndërkombëtar. Kështu, duhet të merret në konsideratë që “Deklarata e Përbashkët” pasqyron shumë më tepër sesa thjesht një komunikatë të një rëndësie të lartë, veçanërisht në kontekstin e një konflikti tregtar në rritje me Kinën.
Ky dokument ishte deklarata e parë zyrtare rumune që iu drejtua në mënyrë të drejtpërdrejtë investimeve kineze 5G, si një problem i mundshëm.
Për më tepër, ajo kishte për qëllim të tregonte rezolutën e Rumanisë në arritjen e objektivave të përbashkëta strategjikë, së bashku me Shtetet e Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh marrëdhëniet e paqarta që kanë disa vende në rajonin e Europës Qendrore dhe Lindore me Kinën, deklarata ishte një sinjal i qartë në fushën diplomatike që ndonjëherë është e mbushur me dyshime të shumta. Deklarata nuk ishte një mesazh i drejtuar direkt Pekinit dhe absolutisht një hap për të përshkallëzur konfliktin me të, po ajo ishte një plan për aleatët rajonalë të Amerikës, dhe një deklaratë mbi domosdoshmërinë për të mbajtur një qëndrim pa ekuivokë në lidhje me marrëdhëniet me Kinën.
* Horia Ciurtin është një Ekspert i Asociuar në Qendrën e Re të Strategjisë (Bukuresht, Rumani), një studiues i Federatës Europiane për të Drejtën e Investimeve dhe Arbitrazhit (Bruksel, Belgjikë), dhe hulumtues në Qendrën e Amsterdamit për të Drejtën Ndërkombëtare (Amsterdam, Holandë).