Qeveria borxh 80 milionë euro për ujësjellës-kanalizime, merr edhe tre grante

04/12/2020 10:00 AM 0 komente

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit katër marrëveshje të lidhura bankën gjermane për zhvillim KfW që orientojnë financim për një sektor si ujësjellës-kanalizime, një angazhim i hershëm i palës gjermane në këtë lloj programi.

Referuar vendimeve të qeverisë marrëveshja e parë që ka për huamarrës Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e infrastrukturës bashkiake V, parashikon një hua në shumën 80 milionë euro.

Një tjetër marrëveshje parashikon një grant 13.3 milionë euro po nga KFË për qeverinë shqiptare lidhur me programin e infrastrukturës bashkiake V. Marrëveshja e tretë është po mes qeverisë dhe bankës gjermane dhe sërish parashikon një grant në vlerën 23.3 milionë euro pjesë e programit për një mjedis më të pastër – mbështetje për trajtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Marrëveshja e katërt është sërish një marrëveshje granti për një shumë 6 milionë euro dhe e dedikuar për infrastrukturën bashkiake V.

Në total marrëveshjet parashikojnë 122.3 milionë euro ku të paktën një e treta janë në formën e granteve.

Programi “për infrastrukturën bashkiake V” është argumentuar më herët se synon të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizime në bashkitë e përfshira në këtë projekt, që janë Bashkia e Lezhës, Bashkia e Fieri dhe Bashkia e Sarandës, të cilat kanë qenë pjesë e fazave të mëparshme të programit ku përfshiheshin bashkitë Berat, Kuçovë, Kamzë dhe Lushnjë.

Një ndër mbështetësit kryesorë të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve ka qenë vazhdimisht qeveria gjermane përmes bankës KfW ndërkohë që së fundmi qeveria ka deklaruar se projekti i saj për investimet në sektor për një afat disavjeçar parashikon investime deri në 862 milionë euro.

Për këtë projekt qeveria ka paraqitur kërkesë edhe pranë Bankës Botërore dhe duket se në fazën e parë është kërkuar prej 75 milionë dollarësh për një projekt 135 milionë dollar. Diferenca do të paguhet nga qeveria për të plotësuar këtë projekt.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of