Qeveria ua ka bërë obligative lokaleve të gastronomisë që të mos i privojnë klientët nga uji i pijshëm nga rubineti, në rast se furnizohen nga ujësjellësi publik.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të hënën që lokalet e gastronomisë të shërbejnë edhe ujë nga çezma për klientët.
Gjithashtu, objektet e gastronomisë duhet të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Institutit i Shëndetësisë Publike dhe ta ekspozojnë atë në lokale.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, tha se e gjitha kjo po bëhet që qytetarët të kenë ujë të shëndetshëm dhe të sigurt për pije.
“Me qëllim që të vendosim standardet normative të ujit për konsum njerëzor dhe në mënyrë që të mbrohet shëndeti i njerëzve që uji të jetë i pastër dhe i shëndetshëm në objektet e gastronomisë: në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohet nga ujësjellësi publik, pronari i objektit nuk mund t‘iu ndalojë qytetarëve që të furnizohen me ujë nga rubineti”.
Për furnizim me ujë nga puset lokalet duhet të kenë certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK.
“Në rastet kur objekti i gastronomisë nuk furnizohet me ujë nga ujësjellësi publik, pronari i lokalit duhet ta respektojë nenin 7 dhe 8 të udhëzimit administrativ 10/2021 për ujë të destinuar për konsum njerëzorë dhe të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga IKSHPK dhe të njëjtën ta ekspozojë në lokal”, tha Latifi në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka miratuar propozimin e vendimit për obligimin e bizneseve që t’u shërbejnë ujë klientëve.
“Shqyrtimi për propozimin vendimit për obligimin e bizneseve për shërbim të klientëve me ujë nga rubineti dhe monitorimin e cilësisë për ujë të destinuar për konsum njerëzor. Çdo objekt i gastronomisë, i cili ofron shërbime dhe ujë për pije, duhet të përmbushë disa kërkesave paraprake për garantimin e cilësisë së ujit”. Ky propozim u miratua unanimisht nga kabineti qeveritar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.