Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit procedurat për blerjen e banesave në tregun e lirë, të cilat do të përdoren për programin e banesave sociale me qira.
Më herët, ndërtuesit kishin kërkuar që qeveria t’u blinte banesat stok për të dëmtuarit nga tërmeti, por nuk u arrit marrëveshje. Shoqata e ndërtuesve tha se janë 5000 apartamente të pashitura, pjesa më e madhe e të cilave në periferi të kryeqytetit.
Kjo është hera e parë qe qeveria i drejtohet tregut të lirë (ndërtuesve) për të blerë apartamente me qëllim për ti përdorur për banesa sociale me qira. Më parë ato ndërtoheshin vetë nga bashkia.
Sipas vendimit të fundit, blerja e banesave sociale në tregun e lirë realizohet, si rregull, kur çmimet e shitblerjes së banesave në treg janë më të ulëta se kostoja e ndërtimit të banesave të reja. Njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave kryen blerjen e banesës sociale, në zbatim të nenit 21, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, kur kostoja e ndërtimit të një banese sociale me qira, sipas kushteve, normave dhe standardeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, është më e madhe se vlera në treg e banesave me të njëjtat kushte, norma dhe standarde.
Banesat sociale në tregun e lirë, që do të bëhen pjesë e fondit publik të banesave sociale, mund të blihen mbi koston e ndërtimit vetëm për zgjidhjen e rasteve të përcaktuara në pikat 1 e 2, të nenit 21, të ligjit nr.22/2018.
Miratimi i rasteve përjashtimore të blerjes së banesave sociale në treg mbi koston e ndërtimit, në varësi të burimit të financimit, bëhet:
- a) me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, kur programi zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore;
- b) me vendim të organit drejtues të Entit Kombëtar të Banesave, kur ky përdor burimet e veta të financimit;
- c) me urdhër të ministrit përgjegjës për strehimin, kur njësitë e vetëqeverisjes vendore ose institucioni publik i strehimit përdorin fonde që i janë çelur nga buxheti i shtetit.
Blerja e banesave sociale me qira kryhet:
- a) drejtpërdrejt në treg të lirë; dhe/ose
- b) nga shitja e banesave në ankandin e organizuar nga përmbaruesi gjyqësor, pasi ka mbaruar ankandi i parë, sipas procedurës dhe parashikimeve të nenit 557, të Kodit të Procedurës Civile, si dhe në plotësim të kushteve të parashikuara nga shkronja “b”, e nenit 18, të ligjit nr.22/2018.
Banesat që blihen për t’iu shtuar fondit të banesave sociale me qira, duhet të plotësojnë normat dhe kushtet e parashikuara në legjislacionin në fuqi, që përcakton kushtet, normat dhe standardet e banesave sociale në programet përkatëse të strehimit.
Mungesa e elementeve të përshtatshmërisë së banesave për persona me aftësi të kufizuara ose prania e problemeve teknike si lagështia, rrjedhja e tubacioneve e të tjera, të ngjashme me to, nuk përbëjnë detyrimisht arsye për refuzimin e blerjes, nëse kostot për riparimin e tyre së bashku me çmimin e ofruar për shitje nuk tejkalojnë koston e ndërtimit të një banese të re. Vlera e investimit i shtohet vlerës me të cilën është blerë banesa për llogaritjen e masës së qirasë mujore.
Njësia përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave, përpara fillimit të procedurës me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, kryen këto veprime:
- a) Formulon shpalljen e ftesës publike për marrjen e ofertave;
- b) Përcakton dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e ofertave duke listuar kërkesat dhe kriteret ligjore e teknike;
- c) Identifikon nevojat që rezultojnë për të përfituar nga fondi i banesave sociale me qira, numrin e familjeve/individëve të interesuar dhe numrin përkatës të anëtarëve për çdo familje;
ç) Evidenton për numrin e banesave që mund të blihen dhe strukturën e tyre përkatëse, në varësi të fondit që ka në dispozicion.
Shpallja e ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale bëhet përmes publikimit për tri ditë rresht, në median e shkruar dhe vizive, me shikueshmërinë ose tirazhin më të lartë të botimit, në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe Entit Kombëtar të Banesave, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare vendore dhe Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në ambiente me frekuentim të lartë si postat, vendet e pagesave të energjisë elektrike, të marrjes së pensionit etj.
Njoftimi përmban:
- a) çmimin tavan për blerjen e banesës, i cili nuk duhet të jetë më i lartë se kostoja e ndërtimit në atë njësi të vetëqeverisjes vendore, e përcaktuar sipas çmimeve të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
- b) numrin e apartamenteve që do të blihen;
- c) strukturat e apartamenteve dhe sipërfaqjet e tyre, sipas normave përkatëse të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) vendndodhjen e dëshiruar;
- d) kushtet dhe standardet që duhet të plotësojë banesa, në respektim të kushteve dhe të standardeve të banesave sociale, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Afati brenda të cilit priten të depozitohen ofertat për banesat sociale që mund të blihen nga tregu i lirë është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, duke filluar nga e nesërmja pas ditës së tretë të publikimit të ofertave në median e shkruar dhe vizive.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Enti Kombëtar i Banesave, me shpalljen publike të ftesës për marrjen e ofertave për shitblerjen e banesave sociale, ngrenë komisionin e shqyrtimit të ofertave për administrimin e procedurës së shitblerjes. Komisioni përbëhet nga pesë veta: një nënkryetar i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose një drejtor i Entit Kombëtar të Banesave, në rolin e kryetarit të komisionit, një ekonomist, një inxhinier, një jurist dhe një punonjës/e nga strukturat përgjegjëse për strehim, në rolin e anëtarit të caktuar përkatësisht nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave. Anëtarë të komisionit caktohen persona të cilët nuk ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit.
Kur banesat ose objektet janë në pronësi të ndërmarrjeve shtetërore në likuidim, ose në pronësi të të tretëve, fituar nga shitja në ankand e pronës shtetërore, kur në to janë strehuar familjarë me ose pa autorizime nga subjektet shtetërore, kur këto objekte nuk plotësojnë kushtet teknike, normat e standardet dhe përbëjnë rrezik për jetën e banorëve, kur familjet që banojnë në to janë të rrezikuara të nxirren jashtë me forcë për shkak të lirimit të objektit, kur banorët janë familje/individë që plotësojnë kushtet sociale të parashikuara në nenin 16, të ligjit nr.22/2018, si edhe me mirëkuptim me pronarin e objektit, përjashtimisht, banesa sociale mund të blihet në treg pa zhvilluar procedurën e shpalljes publike të thirrjes për oferta.
Njësia e vetëqeverisjes vendore ose Enti Kombëtar i Banesave mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit, kur me të ardhurat e tyre nuk përballojnë financimin për blerjen e objektit dhe/ose investimin për përshtatjen e tij gradualisht me kushtet, normat dhe standardet në fuqi. Çmimi i blerjes negociohet ndërmjet palëve, pasi të jetë bërë një vlerësim paraprak i gjendjes së tregut dhe i kostos së investimit për përshtatjen e banesës në raport me vlerën e një ndërtimi të ri në treg nga struktura përgjegjëse për strehimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.