Qeveria do të mbajë nivel të lartë të shpenzimeve kapitale edhe për periudhën afatmesme, sipas projeksioneve të fundit që ka bërë në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2022-2025.
Nga viti 2022 deri në vitin 2025, qeveria ka planifikuar të investojë 3,6 miliardë euro nga buxheti i shtetit përafërsisht gati 1 miliard euro në vit. Zgjerimi fiskal do të vijojë duke e mbajtur zërin e investimeve kapitale mbi kufirin e sugjeruar nga FMN prej 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
Sipas të dhënave zyrtare (shih grafikun bashkëngjitur) investimet kapitale në buxhetin e vitit 2022 janë programuar 119,4 miliardë lekë, në vitin 2023 mbi 101 miliardë lekë, në vitin 2024 mbi 108.7 miliardë lekë dhe në vitin 2025, mbi 118 miliardë lekë. Investimet vjetore do të jenë mesatarisht 5,3 % PBB-së.
Gjatë gjithë periudhës janë programuar të injektohen në ekonomi përmes investimeve kapitale 448 miliardë lekë, ose rreth 3,6 miliardë euro. Investimet e përnderuara në këtë periudhë janë më të lartat e krahasuar me të gjithë programet e tjera afatmesme që qeverinë kishin hartuar deri më tani pas vitet 1990.
Programi i investimeve publike do të jetë në nivele të larta edhe pse kapacitetet institucionale mbeten të dobëta për të zbatuar programin ambicioz të qeverisë. Deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar, qeveria kishte zbatuar më pak se 60% të programit të investimeve. Qeveria gjatë vitit 2021 programoi 143 miliardë investime kapitale bashkë me programin e rindërtimit, rekordi i investimeve të shënuara ndonjëherë.
Përveç se fondi i investimeve kapitale pati ecuri të dobët, raportimet për produktet ku kanë shkuar fondet janë të dobëta dhe projektet shpesh nuk janë efikase. Shembulli më ilustrues janë koncesionet me partneritet publik privat (PPP), të cilat kanë rezultuar me kosto të larta dhe me efektivitet të ulët, siç është rasti i inceneratorëve. Ndërsa rruga e Arbrit një projekt i madh i infrastrukturës me PPP, përvese u hap për trafikun pa përfunduar ende, segmentet e përfunduara janë prishur pa bërë asnjë muaj nga inaugurimi.
Plani i investimeve prej më shumë se 1 miliard eurosh nuk prodhoi një objekt investimi madhor, me ndikim në ekonomi. Fondet janë copëzuar në shumë projekte dhe rritja e kostove të punimeve publike vitet e fundit, po harxhon fondet buxhetore pa prodhuar objekte me fisibilitet. Burimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pohuan se shumica e investimeve po bëhen pa projekte të detajuara dhe shumë fonde po shkojnë për shtesa punimesh pikërisht për shkak të mungesës së seriozitetit në hartimin e projekteve.
Dy akse nacionale si Kardhiq-Delvinë dhe rruga Qukës-Qafë Thanë janë shndërruar në vrima të zeza, pasi shtesat e punimeve po tejkalojnë vlerat fillestare të përllogaritura.
Projektet e tre viteve në vijim do të përqendrohen infrastrukturën, portuale, hekurudhore dhe aereportuale, teksa pritet t të mbyllen projekte të tilla si Unaza e re, Tuneli i Llogorasë, hekurudha Tiranë- Durrës./B.Hoxha

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.