Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas kalendarit të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 96.7 miliardë lekëve, në rritje me 23% krahasuar me tremujorin e fundit 2020 dhe në rritje më të lehtë me rreth 2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019.
Në fakt, në pjesën më të madhe huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinacim të instrumenteve të maturuara. Vetëm një pakicë e vlerës së titujve të emetuar janë borxh i ri. Konkretisht, Ministria e Financave do të emetojë obligacione të reja 10 vjeçare në muajin janar, me vlerë 4 miliardë lekë, obligacione 3 vjeçare referencë në muajin shkurt me vlerë 4 miliardë lekë dhe obligacione referencë 5 vjeçare në muajin mars, me vlerë 3 miliardë lekë. As këto emetime, sidoqoftë, nuk nënkuptojnë gjithnjë rritje të stokut të borxhit, sepse një pjesë mund të zëvendësojnë huamarrjen afatshkurtra që maturohen.
Në gjysmën e dytë të vitit 2020, Ministria e Financave e uli ndjeshëm huamarrjen e re, sepse deficit i krijuar u financua përmes eurobondit të emetuar në tregjet e huaja. Por, paratë e eurobondit në pjesën më të madhe janë shpenzuar dhe gradualisht huamarrja në tregun e brendshëm do t’i kthehet ritmeve normale.
Buxhetit i vitit 2021 parashikon një deficit buxhetor në vlerën e 108.7 miliardë lekëve. Megjithëse deficiti për vitin 2021 pritet të jetë më i ulët krahasuar me vitin që po mbyllet, financimi i brendshëm do të jetë shumë më i lartë, në vlerën e 95.1 miliardë lekëve, shumë kjo 89% më e lartë krahasuar me vitin 2020. Megjithatë, Ministria e Financave parashikon që huamarrja me tituj të borxhit të jetë 49.9 miliardë lekë, vlerë kjo e njëjtë me vitin 2020. Diferenca prej 45.2 miliardë lekësh do të financohet me instrumente të tjera, të paspecifikuara më tej në tabelat e projektbuxhetit.
Sidoqoftë, të paktën krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2020, huamarrja e brendshme do të rritet, çka do të shtojë kërkesën në tregun financiar dhe mund të sjellë një rritje të yield-eve, që gjatë vitit 2020 qëndruan pranë niveleve më të ulëta historike, pavarësisht krizës së rëndë që goditi ekonominë dhe rritjes së fortë të borxhit publik.
Borxhi publik tashmë ka kaluar nivelin e 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria shqiptare pret një ulje të lehtë të tij vitin e ardhshëm, i mbështetur kryesisht nga kthimi i pritshëm i ekonomisë në territor të rritjes pozitive./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.