“Qeveria duhet të krijojë lehtësi për bizneset me makina elektrike”

06/11/2018 3:06 PM 0 komente

Flet Endrit Masha, administrator i Green Solution

Si ka qenë aktiviteti i kompanisë suaj që në nisje të saj?

GreenTaxi ka filluar aktivitetin e saj me një flotë prej 10 makinash 100% elektrike dhe tashmë operon me 16 makina. Të gjitha makinat punojnë me elektricitet, çka ul shpenzimet mujore për shërbime rutinë, në krahasim me makinat me lëndë djegëse.

GreenTaxi operon në Tiranë dhe qytetet pranë si Durrës, Kavajë, Elbasan, Krujë etj. Fokusi kryesor: Për një qytet më të pastër dhe me pak shpenzime si nga ana jonë, e reflektuar edhe te konsumatori, duke paguar më pak për një shërbim transporti.

Çfarë problematikash ka ky treg në Shqipëri? A është zhvilluar infrastruktura siç duhet për t’i garantuar një ecuri të mirë aktivitetit të taksive elektrike?

Problemi kryesor është mungesa e një projektligji nga qeveria qendrore ose lokale. Në këtë projektligj, në rastin konkret, do të duhet të caktohen lehtësi për makina elektrike si p.sh., parkim pa pagesë, ulje taksash apo lehtësi për blerjen fillestare të një makine elektrike. Tjetër problematikë është mungesa e një projektligji nga qeveria qendrore apo lokale. Infrastruktura pothuajse nuk ekziston. Qyteti dhe rrugët ndërurbane duhet të pajisen me pika karikimi të shpejta, gjë që bëhet e mundur me anën e një projektligji.Të gjitha pikat e instaluara në Tiranë janë kryer nga ana e kompanisë dhe kostoja e tyre është e lartë për të përmbushur kërkesën.

Si është konkurrenca?

Mendoj se konkurrenca i bën mirë tregut të shërbimit taksi në Tiranë sepse rrit cilësinë e shërbimit. Kompanitë e tjera që operojnë në Tiranë kanë një flotë me djegie të lëngshme dhe si rrjedhojë, edhe kosto e tyre detyrimisht është më e lartë.
Motoja jonë për të paguar më pak duke përdorur një taksi elektrike është kundërshtuar ashpër nga kompanitë e tjera dhe shoqatat e taksistëve në kryeqytet.

A është biznes fitimprurës?

Si çdo lloj biznesi mendoj që fitimi varet nga strategjia që ndjek secila nga kompanitë. Ne mendojmë se do të kemi si avantazh faktorin kosto të ulët për km.

Çfarë diference ka në çmim një taksi elektrike me një taksi me karburant?

Për 100 kilometra të kryera rrugë, kosto e Green Taxi është 110 lekë, ndërsa e një taksie me karburant është 900-1000 lekë.

Si e shikoni të ardhmen?

Mendoj që në një të ardhme shumë të afërt, shërbimi urban përfshirë edhe taksinë, duhet të operojë me flota 100% elektrike, pasi sjell ndikim pozitiv – qytet më i pastër, qytet më pak i zhurmshëm, kosto më e ulët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of