Pagat e muajit gusht janë lëshuar, ndonëse greva ende vazhdon, ashtu siç edhe ka paralajmëruar kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Qeveria Kurti është dorëzuar karshi vendosmërisë së sindikalistëve për grevë.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore që përfshin edhe grevistët në arsim dhe administratë publike.
MFPT thekson se mos-përditësimi i listave ka bërë që ketë vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton opinionin publik se sot ka ekzekutuar pagat edhe për pjesën e mbetur të organizatave buxhetore. Përkundër afatit shtesë, disa organizata buxhetore as deri në ditën e sotme nuk kanë bërë përditësimin e listave për të reflektuar kompensimin e saktë për orët dhe ditët e punuara, gjë që ka ndikuar në vonesë të ekzekutimit të pagave edhe për ata që kanë punuar, gjë për të cilën Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve shpreh keqardhje të thellë”, njofton MFPT.
Sipas ministrisë, pezullimi i pagave duhet të bëhet nga punëdhënësi.
“Bazuar në Ligjin për Greva, kontrata e punonjësve që janë në grevë duhet të pezullohen, përfshirë edhe të drejtën e pagesës për aq kohë sa punonjësi qëndron në grevë. Ky pezullim duhet të bëhet nga punëdhënësi, gjegjësisht përfaqësuesi i punëdhënësit apo Zyrtari Kryesor Administrativ i secilës organizatë buxhetore. Andaj, i takon secilës nga organizatat buxhetore që të përditësojnë listat e pagave dhe t’i dërgojnë në Thesar ashtu që të reflektohet saktë kompensimi për punën e secilit”.
Në fund, MFPT-ja thotë se do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje.
“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për Greva. Për këtë, Ministria do të njoftojë organet përkatëse, përfshirë edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit që të kryejë një auditim të veçantë për këtë çështje, ku përgjegjësia e çdo shkeljeje ligjore bie mbi Zyrtarët Kryesor Administrativ të organizatave buxhetore dhe stafin përkatës”.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka këmbëngulur në vazhdimin e grevave përkundër një pakoje 150 milionëshe të Qeverisë Kurti, e cila parasheh 50 euro shtesa për mësimdhënësit për katër muajt e ardhshëm.
Megjithatë, Jasharaj ishte i qartë në qëndrimin e tij se greva vazhdon.
“Në takim me presidenten paraqitëm kërkesat tona, të cilat edhe ajo tha se janë legjitime. Ne e lutem presidenten që ta shfrytëzojë autoritetin e saj në mënyrë që të ndikojë që të ulemi për të diskutuar me përfaqësuesit e Qeverisë për realizimin e kërkesave tona. Qeveria mund të japë ndihma për punëtorët dhe ne i gëzohemi kësaj, por kërkesat tona janë tjera. E vlerësoj angazhimin e presidentes, por për fat të keq greva do të vazhdojë”, deklaroi Jasharaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
Grevistët kanë thënë se Qeveria nuk mund të ndalë rrogat e tyre për aq kohë sa ata janë në grevë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar javën e kaluar se nuk mund të paguhen personat që nuk punojnë.
Sindikatat që janë në grevë po kërkojnë nga 100 euro shtesë për punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për paga, që së fundmi është hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkaq, në fundjavë, Qeveria prezantoi një pako të ndihmës, ku u parapa ndihmë prej 50 eurosh për sektorin publik.
Sipas Projektligjit për pagat, pasi i njëjti të ketë kaluar në të gjitha procedurat, do të hyjë në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.