Qeveria e Kosovës ka aprovuar kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë eurosh.
Sipas kërkesës së Telekomit, kjo kërkesë ka të bëjë me projekte investive në këtë ndërmarrje.
Qeveria ka aprovuar në parim kërkesën e Telekomit për huamarrje prej 15 milionë eurosh për projekte investive në këtë ndërmarrje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ministria ka shqyrtuar kërkesën e Telekomit e cila fillimisht ka qenë 20 milionë euro.
“Kjo kredi do të shërbejë për investime në pajisje dhe sisteme telekomunikuese dhe përmirësimin e shërbimeve nga Telekomi”, ka thënë ai duke shtuar se Telekomi ka pasur nevojë për këtë shtesë.
Qeveria në mbledhjen e së enjtes ka shtyrë disa projektligje të cilat ishin të planifikuara për këtë vit, për shkak të numrit të madh të tyre.
Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal, ai për planifikim hapësinor, për harmonizim të ligjeve të veçanta me Ligjin për inspektimet dhe ai për harmonizimin e ligjeve të veçanta me Ligjin për leje dhe licenca, janë projektligjet që u shtynë për vitin e ardhshëm.
Në mbledhje janë miratuar edhe propozim-vendimi për aprovimin e ndarjes buxhetore për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë; kërkesa e MMPHI-së për ndarjen e mjeteve buxhetore shtesë për projektin “sanimi i rrëshqitjes në rrugën nacionale N22.3, segmenti Mitrovicë-Jarinje; kërkesën e MF-së për Lirim Zero nga Tatimi Doganor; atë për Normën e Tatimit të Akcizës.
Është miratuar edhe propozim-vendimi për t’i propozuar Kuvendit aprovimin e Draft-statutit të Universitetit Publik në Prishtinë.
Drafti i Strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027, Drafti i Strategjisë Kombëtare për Siguri Kibernetike 2023-2027, Drafti i Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2022 dhe Drafti i Programit Nacional për Zhvillim Ekonomik Lokal, po ashtu u miratuan.
Kabineti e aprovoi edhe propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit emërimin e anëtarëve të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.
Ndërkohë, ka miratuar edhe propozim-vendimet për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale “Dardana Sh. A. Kamenicë” dhe “Eko-Llapi Sh.A. Podujevë”, si dhe “Eko-?Theranda Sh. A.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.