Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme si dhe masave tjera mbrojtëse. Parashihet se fitimi i lejuar do të jetë dy centë për litër të produktit të shitur me shumicë, ndërsa 12 centë për litër të produktit të shitur me pakicë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-udhëzimin Administrativ për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme dhe Masat e tjera Mbrojtëse.
Ky udhëzim parasheh rregullimin e çmimeve dhe masave të tjera mbrojtëse për të mbrojtur konsumatorin, për të mbrojtur konkurrencën si dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg ose për qëllime të tjera të interesit shtetëror.
Në udhëzimin e miratuar nga Qeveria, thuhet se do të vendoset rregullimi i çmimeve, duke caktuar maksimumin e marzhës tregtare, dy centë për litër të produktit të shitur me shumicë, ndërsa 12 centë për litër të produktit të shitur me pakicë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave kanë punuar për këtë projekt-udhëzim.
Ajo theksoi se kjo po bëhet për shkak të mbrojtjes së konsumatorit dhe për të rregulluar konkurrencën, raporton Demokracia.com.
“Udhëzimi administrativ bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg. Në bazë të të dhënave që posedon MINT-i, të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK-ja, ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet në tregun botëror.
Mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur Qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar, apo të kufizimit të marzhës tregtare. Do të jenë të bazuara në evidencat e Doganës dhe ATK-së. Me këtë udhëzim MINT-i propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka thënë ajo.
Sipas Hajdarit, ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë me lëvizjet në tregjet botërore. Për këtë ka thënë se do të caktohet menjëherë çmimi maksimal i lejuar.
Aktualisht një litër naftë në vend kushton rreth 1.9 euro.
Nafta e benzina kanë prekur çmime rekorde javëve të fundit. Në vazhdimësi opozita ka kërkuar heqjen e akcizës dhe uljen e TVSH-së, ndërsa Qeveria ka paralajmëruar masa “së shpejti”.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të linjës së ekonomisë, kanë kërkuan që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12%.
“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale për litër”, u tha në shkresë.
Sipas naftëtarëve, nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse, siç thanë, kanë bërë vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian.
Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe naftëtarët kanë kërkuar që për naftën të ulet akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të mundësohet ulja e çmimeve.
Naftëtarët patën deklaruar se po rrezikonin që të falimentonin nëse aplikohet një marzhë e ngjashme për fitim, siç kishte vendosur për periudhën 3 mars-31 maj.
Qeveria e Kosovës më 1 mars pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.
Sipas vendimit, marzhi më i lartë tregtar ishte deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.
Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.