Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti.
Në këtë mbledhje është marrë vendim që të ndahen 200 mijë euro për Shqipërinë në ndihmë nga dëmi i tërmetit të nëntorit të kaluar.
Kryeministri Albin Kurti Kurti ka thënë se përveç ndihmave deri të tanishme do të ndahen edhe mjete financiare.
“Republika e Kosovës do të ndihmojë Shqipërinë për atë fatkeqësi të tmerrshme që ndodhi dhe përveç ndihmës deri tanishme ne do ta shoqërojmë edhe me mjete financiare”.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi, ka kërkuar që këto mjete të miratohen.
“Sot kam sjellë para jush për ndarjen e mjeteve financiare me një shumë prej 200 mijë euro”, deklaroi ai.
Qeveria e Kosovës po ashtu në këtë mbledhje ka miratuar vendimin për ndarjen e 400 mijë euro për Ministrin e Shëndetësisë.
Ministri i Financave ka deklaruar se këtë mjete financiare do të ndahen për mbrojtjen nga koronavirusi.
Këtë kërkesë e kishte bërë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit parlamentar për shëndetësi, ka kërkuar 400 mijë euro nga Qeveria e Kosovës në lidhje me mbrojtjen nga koronavirusi.
Ai ka treguar se është përgatitur edhe reparti për izolim në rast të paraqitjes së rasteve me koronavirusin.
“Një nga repartet e Klinikës Infektive është përgatitur për rastet që izolohen që ka 25 shtretër. Varësisht nga nevoja, repartet në SHSKUK edhe mund të zgjerohen”.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka shfuqizuar edhe dy vendime të Qeverisë së kaluar për ndryshimin e politikave fiskale për prodhimin e duhanit dhe heqjen e akcizës për prodhuesit vendorë të duhanit.
“Dua të propozoj shfuqizimin e vendimit të qeverisë së datës 11 shtator 2018 për aprovimin e koncept-dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale për prodhimin e duhanit në Kosovë si dhe propozimin për shfuqizimin e vendimit të datës 9 tetor 2018. Ky koncept dokument dhe ky vendim e kanë ndryshuar normën e akcizës për cigaret e prodhuara në Kosovë. Ky koncept që ne dëshirojmë të shfuqizohet e ka ndryshuar numrin e akcizës dhe këto nuk janë të drejta. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar qe mos të hyjë në fuqi pasi bien në kundërshtim me rregullat”, ka thënë ministri i Financave.
Sipas tij ky vendim i qeverisë Haradinaj e favorizonte një biznes dhe si i tillë ndikonte negativisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.