Qeveria i rikthehet HEC-ve, njëri mbi Lumin e Gashit dy të tjerë në lumin e Urakës

15/07/2019 11:01 PM 0 komente

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar pesë leje të reja ndërtimi për hidrocentrale si dhe ka rishikuar një tjetër ekzistuese. Në mbledhjen e fundit të mbajtur pak ditë më parë janë miratuar lejet e ndërtimit për HEC Dritën në Lumin e Gashit, Bashkinë e Tropojës, qarku Kukës me subjekt shoqërinë “Breçani – R.O.S.P” sh.p.k.. Lumi i Gashit edhe pse njihet pak konsderohet si një tjetër perlë e natyrës në veri të vendit. Ai është pjesë e Rezervës Strikte dhe Trashëgimisë Botërore të UNESCO për shkak të vlerave që paraqet.

Një tjetër leje në fakt që nuk pritet të kalojë pa zhurmë është për dy HEC-e të reja që shkojnë deri në derdhjen e lumit Urakë.

Bëhet fjalë për leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Hidrocentraleve “Shutri 1” dhe “Shutri 2”, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Shutrisë si dhe burimet ujore të Shutrejës deri në derdhje në lumin e Urakës, Bashkia Mat”, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “ATEANI” sh.p.k. Lumi Urakë u vendos në qendër të vëmendjes pak muaj më parë pas protestave të vazhdueshme të banorëve të zonës të cilët kundërshtonin me ngulm ndërtimin e dy hidrocentraleve. Në atë kohë ministrja Belinda Balluku në dëgjimoret e organizuar me banorët njoftoi se këto dy hidrocentrale do të anuloheshin ndërkohë që nuk është e qartë nëse HEC-et për të cilët janë dhënë lejet janë të njëjtët apo dy të rinj.

Po kështu Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar një leje ndërtimi për ndërtim i burimit të ri gjenerues të energjisë, Hec Veleshica 1 dhe Veleshica 2, në lumin e Veleshicës degë e lumit Drini i Zi, Bashkia Dibër dhe Bashkia Kukës, Qarku Dibër dhe Qarku Kukës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Kalisi Hydropower” sh.p.k.

Një tjetër është dhënë për ndërtimin e Hidrocentraleve Ligjanca 1 dhe 2, me vendndodhje në lumin e Ligjancës dhe përroit të Pishkashit, Bashkia Prrenjas”, me subjekt zhvillues shoqërinë koncesionare “Rei Energji” sh.p.k.

E fundit leje ndërtimi e re është  ajo për hidrocentralin “KUÇ” në rrjedhën e sipërme të pellgut ujëmbledhës të Lumit të Shushicës, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Age Kuç” sh.p.k.

KKT ka miartuar edhe rishikimin e një leje ekzistuese dhe shtyrjen e afateve për HEC-et DARSI 1 dhe DARSI 2, në përroin e Darsit, Bashkia Klos.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u përfshi pak muaj më parë në një proces skanimi për kontratat konceisonare të hidrocentraleve në gjithë vendin. Nga ky proces në finale u bë me dije se 27 kontrata që përfshijnë në vetvete ndërtimin e 80 HEC-ve do të prishen në mënyrë të njëanshme sepse janë gjetur shkelje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of