Ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar masat për mbështetjen e prodhuesve vendor, që hyjnë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike. Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shtoi se si Qeveri janë të përkushtuar t’iu ndihmojnë prodhuesve vendorë. Për sa i përket rritjes së çmimeve, Kurti tha se është pasojë ekonomike e pandemisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se ekonomia e Kosovës nuk ka përjetuar asnjëherë rritje sikurse në këtë vit.
Pavarësisht, se vendi po ballafaqohet me rritje të çmimeve të shumë produkteve, Kurti tha se në Kosovë është rritur eksporti, aktiviteti ekonomik dhe të hyrat buxhetore.
“Ekonomia e vendit tonë asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10% dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30%, eksportet janë rritur mbi 60% e po ashtu janë rritur të hyrat buxhetore për 34%. Rritja dhe zhvillimi i prodhimtarisë është motori kryesore për zhvillimin ekonomik të një vendi”.
Për sa i përket rritjes së çmimeve të shumë produkteve në vend, Kurti tha se është pasojë ekonomike e pandemisë.
“Pasojat ekonomike të pandemisë që po përcillen edhe me luhatje të çmimeve vë në pah dy faktorë. Si pasojë e shkëputjes së zinxhirëve të furnizimit shumë vende të Evropës po shohin vendit që i kanë më afër si eksportues potencial si dhe theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor. Pandemia na dëshmoi se prodhimi vendor ka rol kyç në ekonomi si për nga aspekti i sigurisë ekonomike, ashtu edhe nga aspekti i krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës. Pavarësisht nga kjo prodhuesit tanë kanë treguar se vullneti dhe puna e palodhshme nuk kanë munguar asnjëherë, por dora e shtetit ka munguar”.
Kurti ka theksuar se të hyrat buxhetore në Kosovë kanë shënuar rritje si dhe eksporti.
“Ekonomia e vendit nuk ka përjetuar kurrë një rritje të çmimeve si këtë vit për 10 për qind, duhet të kemi një rritje të prodhimtarisë dhe të eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për rreth 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind, ndërsa të hyrat buxhetore janë rritur për 34 për qind”, ka thënë Kurti
Kurse, ministri i Financave, Hekuran Murati ka prezantuar masat për mbështetjen e prodhuesve vendor, që hyjnë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
Ai tha se njëra ndër masat edhe mbështetja e prodhuesve vendor me subvencionim të kredive deri në 20 për qind të shumës totale të kredisë.
“Mbështetjen e prodhuesve vendor me subvencionim të kredive deri në 20 për qind të shumës totale të kredisë. Maksimumi i lejuar për subvencionim është 400 mijë euro që nënkupton se të gjitha kreditë deri në 2 milionë euro për bizneset prodhuese që duan t’i shtojnë kapacitetet do të mbështeten me 20 për qind, Kredia mund të jetë edhe më e lartë, financimi edhe më i lartë, mirëpo tavani i financimit është aty, pra 400 mijë deri në 2 milionë euro investim në rritje të kapaciteteve”, tha Murati.
Ministri Murati bëri të ditur se do të ketë mbështetje edhe për trajnim të stafit teknik.
“Kemi paraparë që të kemi mbështetje me subvencionime për secilin biznes prodhues në shumë deri në 20 mijë euro, për trajnim të stafit teknik që merr pjesë në procesin e prodhimit, pra që të kemi siguri dhe cilësi të produkteve tona”, u shpreh Murati.
Në kandër të kësaj mase të ngritjes së kapaciteteve, Murati prezantoi edhe disa masa mbështetëse.
“Në kandër të kësaj mase të ngritjes së kapaciteteve është paraparë edhe subvencionimi deri në 10 mijë euro për stafin menaxherial. Masë tjetër në kuadër të masës 2.4, pra masë mbështetëse është ndihmë financiare deri në 50 mijë euro për brendim ose ribrendim të produktit. Si dhe subvencionim deri në 50 mijë euro për të marrë pjesë në panaire ndërkombëtare në mënyrë që të plasohet produkti dhe të krijohen bashkëpunime dhe tregje të reja”.
Tutje, Murati tha se të gjitha këto masa përbëjnë një paketë për t’i ndihmuar prodhuesit tonë dhe fillon që nga 1 tetori dhe bizneset që nga tani mund të aplikojnë për mbështetje në të gjitha këto masa si dhe do të jetë e hapur deri në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.