Qeveria indekson pensionet 2.3% duke nisur nga 1 prilli

31/03/2020 2:23 PM 0 komente

Nga 1 prilli pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë indeksimin e pensioneve në masën 2.3%. Qeveria do të miratojë sot në mbledhjen e radhës vendimin për indeksimin e 640 mijë perfituesve. Burimet  për “Monitor” konfirmuan se për indeksimin 2.3% nga buxheti i shtetit do të shpenzohen 2.5 mld lekë. Vendimi për indeksimin e pensioneve ëhstë botuar në fletoren zyrtare, ndërsa efektet i shtrin nga dita e neserme, 1 prilli.

“Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.4.2020 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.3.2020, përfshirë edhe këtë date”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit “shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit nr.32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.4.2020 e në vazhdim të jetë 7 674 (shtatë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë.

Efektet financiare, për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 2 100 000 000 (dy miliardë e njëqind milionë) lekë, përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, të parashikuar në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore të vitit 2020, të cilat ndahen, si më poshtë vijon:

a) 2 083 000 000 (dy miliardë e tetëdhjetë e tre milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të përfitimeve;

b) 17 000 000 (shtatëmbëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a”.

Qeveria edhe për vitin 2019 indeksoi pensionet në masën 2.8% dhe u shpenzua fondi me vlerë 2.3 miliardë lekë. Nga rritja përfituan pensionistët  e fshatit të cilët kanë punuar në ish kooperativat bujqësore, pensionet sociale, pensionet e indalidëve të luftës, pensionet e ushtarakëve. Nga indeksimi përfituan edhe pensionet suplementare të ish punonjsve të gardës, Shërbimit Informativ, policisë të burgjeve, mbrojtjes nga zjarri dhe të shërbimit të kontrollit të brendshëm.

Sipas vendimit të qeverisë kategoritë përfituese janë:

-pensionet të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

-pensioneve sociale, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

-shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;

-pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”;

-shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

-shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

-pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji;

-trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;

-trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension”;

-trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve të minierave, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar,

-pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave, të caktuara me ligjin nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”;

-trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;

-pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;

-pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;

-shpërblimit të caktuar sipas ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, të ndryshuar;

-pensioneve shtetërore të posaçme të caktuara në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of