Çdo individ do të ketë të drejtë të prodhojë për konsum personal apo familjar jo më shumë se 25 kilogramë duhan në vit. Çdo sasi prodhimi mbi këtë kuotë do t’i nënshtrohet akcizës prej 4,400 lekë/kg. Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në Ligjin për Akcizën, ku synon disiplinin e prodhimit vendas. “Nuk i nënshtrohet pagesës së akcizës duhani i prodhuar dhe i grirë apo i përpunuar nga individët privatë dhe i konsumuar nga vetë prodhuesit, nga familjarët, për përdorim vetjak, me kusht që të mos jetë objekt i asnjë veprimtarie shitjeje dhe sasia e prodhimit të mos jetë më e madhe se 25 kg në vit”, thekson ligji i ri.
Markimi i karburanteve
Tregtarët e karburanteve, produktet e të cilëve janë të pamarkuara, apo nuk kanë përqindjen e duhur të substancës markuese do të përballen me gjoba që shkojnë nga 200 mijë lekë deri në 1 milionë lekë (afërisht 10 mijë dollarë). “Gjobë, për herën e parë të konstatuar, sa 2- fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të pashënjuar/të pangjyrosur, të gjendur në depozitë/mbajtës, por në çdo rast jo më pak se 200 000 lekë; për herën e dytë të konstatuar, sa 3-fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të pafiskalizuar, të gjendur në depozitë/mbajtës, por në çdo rast jo më pak se 500 000 lekë; dhe për herën e tretë të konstatuar dhe më pas, sa 5-fishi i detyrimeve fiskale që duhet të paguhet për të gjithë sasinë e produktit të pashenjuar/të pangjyosur, të gjendur në depozitë/mbajtës, por në çdo rast jo më pak se 1 000 000 lekë; përveç gjobës së parashikuar në shkronjën “a”, të këtij neni, njëkohësisht, konfiskohet e gjithë sasia e produktit të gjendur në depozitë/mbajtës”, theksojnë ndryshimet në Ligjin për Akcizën, të publikuara në Fletoren zyrtare.
Tregtarët
Ndryshimet e fundit të Qeverisë në Ligjin për Akcizat parashikojnë ashpërsim të ndëshkimeve ndaj tregtuesve të karburanteve, pavarësisht kundërshtive të ashpra që ka ngritur biznesi vendas ndaj koncesionit të markimit. Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve markimi në çdo vend të botës bëhet vetëm për produktet që përjashtohen nga akciza dhe jo ata që përfshihen në akcizë. Ndërkohë që, sipas tregtarëve, kompania koncesionare në Shqipëri nuk ka instaluar as teknologjinë e nevojshme për të markuar karburantet. Në dhjetorin e shkuar, kompania koncesionare GFI bllokoi për një ditë tregtinë e karburanteve në vend për t’i bërë presion Qeverisë ta lejonte të markonte edhe naftën bruto që nxirret nga nëntoka shqiptare.
Transportuesit, sekuestro mjeteve me mallra pa pulla
Mjetet e transportit, të cilëve do t’u gjenden mallra kontrabandë, do të konfiskohen bashkë me mallin që transportojnë. “Kur shkelja është verifikuar gjatë transportit, mjeti i transportit, në të cilin gjenden mallrat pa pullë akcize/fiskale, sekuestrohet nga autoritetet doganore e më pas mund të konfiskohet me vendim të gjykatës, në përputhje me përcaktimet e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Mjeti i transportit përjashtohet nga sekuestroja kur provohet se pronari i tij nuk është përfshirë në shkeljen në fjalë”, thekson Ligji i ri për Akcizat.
/ SHQIPTARJA.COM
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.