Qeveria shqiptare miratoi këto ditë Kuadrin e ri Makroekonomik dhe Fiskal të vendit për periudhën 2019 -2022, duke lënë të pandryshuara projeksionet për rritjen ekonomike dhe ecurinë borxhit publik në raport me rishikimin janarit 2018.
Rritja ekonomike parashikohet të vijojë të qëndrojë mbi nivelin prej 4% edhe gjatë tri viteve të tjera 2020–2022. Rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin prej 4.4% në vitin 2020 nga 4.2% e parashikuar për 2018-n dhe 4.3% për 2019-n. Edhe në dy vitet e tjera, 2021 dhe 2022, ajo parashikohet të vijojë të përshpejtohet me rreth 0.1 pikë përqindje, respektivisht në 4.5% në vitin 2021 dhe më 2022.
Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport–import) pritet të sjellë, gjithashtu, një efekt pozitiv, por marxhinal.
Qeveria pret rritja ekonomike gjatë periudhës afatmesme do të mbështet nga konsumi privat, i cili do të nxitet nga përmirësimi i besimit të konsumatorit, si dhe nga përmirësimet në tregun e punës.
Këto të fundit pritet të transmetohen në një rritje graduale të pagave të cilat më tej pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve, duke krijuar efektin e raundit të dytë në nxitjen e konsumit, si dhe duke intensifikuar prirjen e konsumatorëve për financimin e mëtejshëm të konsumit nëpërmjet një kredi-marrje më të lartë. Ndërkohë, kredimarrja për konsum parashikohet të nxitet si nga përmirësimi i kushteve financiare të individëve, ashtu edhe nga lehtësimi i pritshëm i standardeve të huadhënies nga sistemi bankar.
Specifikisht, konsumi final total për periudhën afatmesme (2020–2022) parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 3.1% në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.8 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë me mesatarisht rreth 5.9% në vit, me një përshpejtim të lehtë në vitet 2021 dhe 2022, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindje në vit.
Bujqësia pritet të rritet mesatarisht me rreth 3.3% në vit në terma realë përgjatë periudhës 2020–2022; Industria me një mesatare vjetore prej rreth 6.2%; Ndërtimi me rreth 4.8% dhe shërbimet me një mesatare prej rreth 4.2% në vit. Megjithatë, për shkak të peshës së tyre ndaj strukturës së ofertës agregate, shërbimet pritet të kontribuojnë më shumë sesa sektorët e tjerë në rritjen e PBB-së.
Borxhi, qeveria nis të tregohet skeptike
Qeveria njoftoi se do të vijojë me konsolidimin fiskal deri më 2022. Pritshmëritë për ecurinë e borxhit publik mbeten të njëjta me ato të të janarit 2018. Teksa për vitin 2018 treguesi i borxhit publik do të jetë 69.1 % e PBB-së, ose 0.4 pikë përqindje më i lartë se parashikimi i janarit 2018. Ndërsa për këtë vit qeveria pret të ulë borxhin në 65.5% të PBB-së, projeksioni është rishikuar me 0.9 pikë përqindje në raport me projeksionin e janarit 2018. Me tej në vitin 2020 dhe 2021 pritshmëritë nuk ndryshojnë teksa treguesi është fiskuar në 63.6 dhe 59.9 %. Ndërsa në vitin 2020 para shikohet që borxhi publik të arrijë në 59.5% e PBB-së.
Në janar 2014, në programin e parë makroekonomik fiskal të hartuar nga qeveria socialiste pas ardhjes në pushtet, parashikohej që në 2017-n, borxhi publik të zbriste në 65.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Vitet kaluan dhe 2017-a u mbyll me një borxh faktik të raportuar nga Ministria e Financave prej gati 70% të PBB-së, ndërsa sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse llogariten dhe detyrimet e prapambetura, stoku real arrin në 72% të PBB-së.
Sipas të njëjtit program, por të miratuar në vitin 2016, borxhi në 2018-n duhej të kishte zbritur në 62.1% të PBB-së, por financat presin, sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, që ai edhe këtë vit të vijojë të luhatet në rreth 70% të PBB-së.
Historia vazhdon të përsëritet, por skenari sa vjen e bëhet më i frikshëm dhe pasojat nuk do të vonojnë të ndihen. Në 2019-n, financat kanë premtuar që të ulin borxhin në rreth 65% të PBB-së, por ndërkohë janë angazhuar për të paktën “një miliard euro” investime përmes kontratave të Partneritetit Publik Privat, teksa janë njoftuar për tu dhënë gjatë vitit që vjen edhe 2 miliardë euro të tjera. Sipas standardeve të raportimit të borxhit nga Ministria e Financave, vlera e kontratës nuk shtohet në borxh, por vetëm pagesat që parashikohen të kryhen sipas viteve, duke qenë në këtë mënyrë, një borxh i fshehur, që pritet të shpërthejë më vonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.