Qeveria lëshon frerët e shpenzimeve për zëra joproduktivë, investimet rënie vjetore me 13 mln euro

17/09/2019 12:09 PM 0 komente

Qeveria shqiptare këtë vit nuk arriti të mbajë frerët në rrafshin e shpenzimeve publike, pavarësisht dobësive që po theksohen në grumbullimin e të ardhurave.

Rritja e shpenzimeve nuk ka qenë produktive për shkak se është shkaktuar në zëra pa rendiment afatgjatë, teksa investimet kapitale kanë vijuar të përkeqësohen edhe me planin, edhe me faktin e vitit të kaluar.

Gjatë 8-mujorit, shpenzimet e përgjithshme u rritën me 6.8% në raport me faktin e vitit 2019 duke e tejkaluar ritmet e të ardhurave që ishin vetëm 4% më të larta se një vit më parë. Për pasojë, balanca buxhetore rezultoi deficitare me -3.5 miliardë lekë nga një suficit prej 4.4 miliardë lekësh që ishte në 8-mujorin e vitit 2018.

Sipas të dhënave të detajuara nga Ministria e Financave, rritja më e madhe e shpenzimeve erdhi nga zëri i shpenzimeve korrente, të cilat ishin 271 miliardë në 8-mujor 2019 ose 8.4 më i lartë se një vit më parë. Shpenzimet korrente zënë 87.6% të shpenzimeve totale për periudhën dhe shpërndahen në 25 nënzëra të tjerë, që mbulojnë kryesisht pagesat për pagat dhe pensione, shpenzimet për borxhin, shpenzime operative, fondet për pushtit vendor etj.

Rritjen më të madhe të shpenzimeve në këta zëra, në raport me një vit më parë, e patën shpenzimet operative me 9.5%, shpenzimet për pagesat e interesave të borxhit me 9.5%, shpenzimet për pushtetin vendor me 12% dhe shpenzimet për pagesën e papunësisë dhe ndihmës ekonomike të cilat shënuan rritje me 22% në raport me një vit më parë.

Zgjedhjet e vendore kanë nxitur shpenzimet buxhetore në disa linja. Qeveria ka treguar prirje për të rritur pagesat e papunësisë dhe personelit dhe pushtetit vendor.

Por zëri më i rëndësishëm i shpenzimeve buxhetore që lidhet me produktivitetin dhe rritjen e qëndrueshme që nxit sektori publik ka pësuar rënie gjatë periudhës. Shpenzimet kapitale ishin 13 milionë euro ose 3.8% më të ulëta se një vit më parë. Rënien më të madhe e patën investimet e programuara me fonde të huaja të cilat ishin 30% më të ulëta se një vit më parë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of