Kompanitë celulare nuk do të taksohen për vendosjen e antenave. Ky është urdhri që kryeministri Sali Berisha artikuloi në mbledhjen e qeverisë drejtuar ministrit të Financave Ridvan Bode, i cili ngarkohet të përgatisë një ligj për mostaksimin e antenave të telefonisë celulare, duke kundërshtuar në këtë mënyrë vendimin e para pak ditëve të Bashkisë së Tiranës, e cila synonte të mblidhte disa milionë euro taksa. Berisha tha se taksimet e kompanive celulare me parimet se “ato janë kompani të pasura” është një praktikë që zbatohet zakonisht nga të majtët dhe se qe i kënaqur nga sasia e taksave që paguajnë aktualisht kompanitë celulare në vend.
Kompanitë celulare deri më sot i kanë vendosur antenat e veta në hapësira publike, (shpesh pa leje ndërtimi) ose mbi tarracat e pallateve ku kanë rënë në marrëveshje me pronarët e ndërtesave. Bashkia e Tiranës deklaroi se dëshironte t’i taksonte për hesap të vet në nivelin 2 milionë lekë të reja në vit për çdo antenë.
Kompanitë celulare nuk janë ankuar publikisht për taksën, por reagimi i kryeministrit Berisha në mbledhje qeverie nënkupton se janë ankuar jopublikisht.
Kompanitë celulare sigurojnë të ardhura mbi 500 milionë dollarë në vit dhe aktualisht i nënshtrohen vetëm tatimit mbi fitimit në masën 10 për qind.
“Ka shpërthyer një histeri e autoriteteve lokale kundër antenave të kompanive celulare . Iu këpusin taksa e kryesisht disa nga ata që po zotohen të heqin taksat. Ministër i Financave, do më sjellësh ligjin me urgjencë, antenat e komunikimit përjashtohen në vendosjen e tyre nga çdo lloj takse. Vendosja e tyre nuk do të jetë objekt tatimi as nga autoritetet vendore e as qendore në asnjë pjesë, natyrisht kur i vënë në pronë private, është tjetër punë” tha Berisha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.