Qeveria e Kosovës vendosi të miratojë projektligjin për rithemelimin e Lotarisë së Kosovës. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se projektligji synon rithemelimin e Lotarisë që parashihet të jetë sukses juridik i ish-subjektit të Lotarisë së Kosovës
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit, ka miratuar Projektligjin për rithemelimin Lotarisë së Kosovës. Kjo u bë me propozimin e Ministres së Financave, Hykmete Bajramit.
“Rithemelimi i Lotarisë së Kosovës, pas ndalimit të funksionimit të lotarisë së Kosovës, legjislatura e kaluar ka kërkuar që kjo çështje të ketë trajtim të veçantë ligjor. Sot prezantojmë projektligjin për rithemelimin e Lotarisë së Kosovës që parashihet të jetë suksesor juridik i ish-subjektit lotaria e Kosovës. Mund të organizojë vetëm lojërat numerike, jo llojet tjera të lojërave”, ka thënë ajo.
Bajrami shton se janë 62 punëtorë që kthehen në punë. Ajo sqaron se kjo nuk do të thotë se do të hapen edhe pikat e basteve e kazinotë.
“Qeveria është aksioner dhe organ mbikëqyrës është bordi, emërohet sipas kritereve të qarta që garantojnë cilësi dhe procedura transparente. Ky ligj nuk i rihap lojërat e fatit, po e rithemelon lotarinë, lojërat numerike dhe Instant, nuk po bëjmë hapje të kazinove apo bastoreve. Janë 62 punëtorë që kanë mbetur pa punë, këta punësohen në mënyrë automatike”, thotë Bajrami.
https://www.monitor.al/kosova-kthen-bixhozin-dhe-bastoret/
Qeveria e Republikës së Kosovës, muaj më parë, hartoi projektligjin për Lotarinë e Kosovës, që parashihte edhe kthimin e lojërave të fatit në Kosovë, të cilat ishin ndaluar në prill të vitit 2019.
“Me këtë Ligj rregullohet organizimi dhe funksionimi i Lotarisë së Republikës së Kosovës (këtu e tutje Lotaria) llojet e lojërave të fatit të organizuara nga Lotaria, kushtet dhe mënyra e organizimit të lojërave të fatit, rregullat e lojës, mbikëqyrja e tyre dhe mënyra e shpërndarjes së të ardhurave nga lojërat e fatit të lotarisë”, thuhet në konsultimet për këtë ligj në faqen e qeverisë së Kosovës.
Më tej tregohet se cilat lojëra do të lejohen të bëhen sipas ligjit.
“Lojërat numerike, Lotaria instant/ekspres, prognozat sportive, bastet në numra apo ngjarje tjera dhe Lojëra tjera të ngjashme ku rezultatet bazohen në rastësi”, do të jenë lojërat e fatit që pritet të organizohen nga ana Lotarisë së Kosovës.
Në prill të vitit të kaluar, qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj kishte dërguar në Kuvend, Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit.
Ky ligj ishte votuar nga Kuvendi. Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin, sipas të cilit mbyllen të gjitha lojërat e fatit në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe lojërat të cilat organizohen nga Lotaria e Kosovës. Ligji hyri në fuqi më 10 maj 2019 dhe nga ajo datë janë pezulluar të gjitha lojërat e fatit të lotarisë deri në miratimin e ligjit të veçantë për Lotarinë e Kosovës.
Me projektligjin e ri shpjegohet se “Lojërat e fatit – nënkupton lojën e organizuar nga Lotaria sipas dispozitave të këtij Ligji, në të cilën për pagesë të shumës së caktuar pjesëmarrësve u jepet mundësia e fitimit në para, mallra ose të drejta, ku fitimi apo humbja varet nga rastësia, ose nga ndonjë tjetër ngjarje e paparashikuar”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ligji ma pa lidhje deri tani
Pa lidhje