Qeveria miratoi projektligjin për disa ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Në vitin 2013 u regjistruan 773 aksidente të rënda, ndër të cilat 295 ishin fatale. Ndërkohë nëpërmjet nderhyrjeve me investime dhe me masa te tjera, vecanërisht në mirëmbajtje dhe standardizimi me elemente të sigurisë rrugore të disa segmenteve kyc, numri i aksidenteve u ul përkatësisht me 20% për fatalitetet dhe 27% për aksidentet e rënda. Për këtë, ndryshimet e propozuara të Kodit Rrugor synojnë të përmirësojnë më tej sigurinë në qarkullimin rrugor me qëllim zvogëlimin e numrit të aksidenteve.
Dëmtimet, shkarravitjet apo çdo shënimi në sinjalitikën rrugore ka rezultuar të ketë ndikim direkt në sigurinë rrugore, prandaj ndryshimet e miratuara nga Qeveria të Kodit Rrugor përfshijnë dhjetëfishimin e gjobave ndaj kundravajtësve dhe detyrim për sjelljen në gjendjen e mëparshme të gjendjes së rrugës. Krijimi i zonave të shërbimit të pautorizuara me akses në rrjetin rrugor dhe lidhjet hyrëse dhe dalëse të pautorizuara në objekte apo territore që lidhen me sistemin rrugor, kanë qenë një nga burimet kryesore të aksidenteve në rrugë, prandaj edhe masat administrative me gjobë do të 10 fishohet për kundravajtësit e kësaj natyre.
Një nga shqetësimet me pasoja për drejtuesit e mjeteve janë vendosja e çdo lloj reklame apo njoftimi të pautorizuar në perimetrin rrugor, veprim i cili me ndryshimet në Kodin Rrugor do të ndëshkohet më gjoba katërfish të atyre aktuale. Për më tepër subjektet apo individët kundravajtës do të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara të infrastrukturës rrugore.
Aftësimi i duhur dhe përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve është parakusht për rrugë më të sigurta. Për këtë, disa prej ndryshimeve të miratuara sot në Kodin Rrugor konsistojnë në përafrimin e legjislacionit europian për lejet e drejtimit të mjeteve rrugore. Më konkretisht, do të ketë kërkesa të përmirësuara ndaj kandidatëve për lejedrejtimi përsa i përket kontrollit shëndetsor dhe psikik. Gjithashtu, sistem i ri i lejeve të drejtimit do të konsistojë në zbatimin e sistemit të pikëve për lejet e drejtimit, duke synuar kështu rritjen e përgjegjshmërisë së drejtuesve.
Së fundmi, ndryshimet në Kod do të detyrojnë drejtuesi të pajisin mjetet me ndenjëse të posaçme për transportin e fëmijëve deri në 12 vjec.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.