Qeveria miraton kompensimin 3.6 milionë euro për pronarët në Tiranë, Elbasan, Vlorë, Kukës dhe Durrës

27/02/2020 10:17 AM 0 komente

Paratë e grumbulluara nga procesi i legalizimit do ti kalojnë pronarëve. Në mbledhjen e djeshme qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan, Vlorë, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Rurale 1, Tiranë Veri, Sarandë, Kukës e Durrës.

Masa e kompensimit është 32 006,3 (tridhjetë e dy mijë e gjashtë presje tre) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 437 694 687,9 (katërqind e tridhjetë e shtatë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë presje nëntë) lekë.

Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

Sipas VKM, Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan, Vlorë, Tiranë Jug, Kamzë-Vorë, Rurale 1, Tiranë Veri, Sarandë, Kukës e Durrës të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

Qeveria ka ngarkuar Agjencinë Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of