Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Ky projektligj, i hartuar nga Banka e Shqipërisë, është një nga hapat më të rëndësishëm në drejtim të garantimit të aksesit në shërbimet bankare për pjesën më të madhe të popullsisë.
Bankat ofrojnë llogarinë e pagesave me shërbime bazike pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme. Konsumatorëve, të cilët posedojnë llogari të tjera, përveç llogarisë së pagesave me shërbime bazike, u lind e drejta, me kërkesë të tyre, të pajisen me një llogari pagese me shërbime bazike.
Kjo realizohet duke konvertuar një llogari ekzistuese në një llogari pagesash me shërbime bazike ose duke hapur një llogari të re e duke mbyllur atë ekzistuese.
Metodologjia e përllogaritjes së tarifës së arsyeshme nga bankat përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, duke konsideruar të paktën nivelin e të ardhurave kombëtare dhe tarifat mesatare të aplikuara nga bankat për shërbimet e pagesave, të ofruara në llogaritë e pagesave.
Megjithatë, bankat do ofrojnë të gjitha shërbimet bazike të pagesave me tarifë zero, pavarësisht nga numri i veprimeve të kryera në llogarinë e pagesave me shërbime bazike, për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve që përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale, sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë, si më poshtë vijon:
Përfituesit e pagesës së papunësisë, sipas ligjit që rregullon nxitjen e punësimit në Republikën e Shqipërisë;
Familjet dhe individët, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas ligjit që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë;
Përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personalë të tyre, sipas ligjit që rregullon asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë;
Individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre, sipas ligjit që rregullon statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik në Republikën e Shqipërisë;
Individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre, sipas ligjit që rregullon statusin e të verbrit në Republikën e Shqipërisë;
Invalidët e punës, sipas ligjit që rregullon statusin e invalidëve të punës në Republikën e Shqipërisë, për pagesën shtesë mbi pensionin e invaliditetit;
Jetimët që kanë përfituar statusin, sipas ligjit që rregullon statusin e jetimit në Republikën e Shqipërisë; përfituesit e masës së financimit për fëmijën e vendosur në familje kujdestare me vendim gjykate;
Përfituesit e pensionit social, bazuar në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të cilët nuk plotësojnë kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk kanë të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social;
Përfituesit e pensionit të pleqërisë, sipas përcaktimeve në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
Përfituesit e invaliditetit, si dhe përfituesit e pensionit të invaliditetit të përhershëm për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale, sipas përcaktimeve në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
Përfituesit e pensionit familjar, sipas përcaktimit në ligjin që rregullon sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë;
Përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë bazuar në listën e ministrisë përgjegjëse për arsimin.
Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit, historikut të aftësisë paguese të konsumatorëve, brenda Republikës së Shqipërisë.
Bankat kryejnë hapjen e llogarisë së pagesave me shërbime bazike ose refuzojnë aplikimin e një konsumatori për hapjen e një llogarie të tillë, në çdo rast, jo më vonë se 15 ditë pune pas marrjes së aplikimit të plotë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.