Qeveria miraton raportin financiar të vitit 2016

28/01/2017 9:18 AM 0 komente

Kabineti qeveritar miratoi 10 pika të rendit të ditës në mbledhjen e së premtes ndër të cilat edhe emërimin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, ku u emërua Xhelil Bekteshi.

Po ashtu u miratua edhe raporti financiar për vitin 2016 si dhe disa pika tjera të rendit të ditës.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, tha se emërimi i kësaj pozite është i nevojshëm duke e pas parasysh edhe zhvillimin e integrimeve evropiane dhe shtimin e vëllimit të punës në këtë drejtim.

“Pozita e drejtorit të AAC-së është e paraparë në bazë të rregullores për organizimin dhe funksionimin e brendshëm dhe sistemin e vendeve të punës të AC-së. Rregullorja me nenin 8.4.1 përcakton se emërimi bëhet nga Qeveria e Republikës së Kosovë, sipas propozimit të ministrit. MI duke e pas parasysh faktin që prej marsit 2015, AAC është pa zëvendësdrejtor të përgjithshëm, kurse, në ndërkohë vëllimi i punëve të AAC-së është shtuar e në veçanti për shkak të përparimit të vendit tonë në integrime evropiane, kurse, së shpejti pritet edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje kontraktuale midis AAC-së dhe Agjencisë Evropiane të Aviacionit e konsideron të arsyeshme kërkesën për të emëruar nga Qeveria e Kosovës, zëvendësdrejtorin e AAC-së. Duke e marrë parasysh rëndësinë e kësaj pozite, unë propozoj që zotëri Xhelil Bektehsi të emërohet në pozitën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të AAC-së”, tha ai.

Qeveria e miratoi edhe raportin buxhetor të vitit 2016, i cili sipas ministrit të Financave, Avdullah Hoti, pa grantet e donatorëve është paraparë në vlerë prej 1 miliardë e 766 milionë euro.

“Pranimi gjatë vitit 2016 duke mos përfshirë grantet e donatorëve dhe fondi në mirëbesim ka qenë 1 miliard e 766 milion euro. Kjo shifër paraqet 91 për qind të planit që e kemi pasur për vitin 2016. Të hyrat e Doganës kanë qenë 1 miliard e 51 milionë, që është 1 për qind mbi planin e vitit 2016, është një rritje prej 11 për qind, krahasuar me vitin paraprak. Në Administratë Tatimore 386 milionë që është 3 përqind mbi planin dhe është 16 për qind më shumë për qind krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2016, janë bërë kthime nga Dogana në vlerë 7 milionë dhe nga Administrata 31 milionë, ku hyn kthimi i TVSH-së i akcizës dhe i taksave të tjera. Të hyrat jotatimore kanë arritur në 171 milionë, të hyrat vetanake të nivelit qendror 93 milionë, të hyrat vetanake të komunave 70 milionë, prej të cilave 25 milionë tatim në pronë, të hyra nga taksa koncesionale 8 milionë etj”, tha Hoti.

Qeveria e miratoi edhe një shumë buxhetore prej 6 mijë e 800 euro për udhëtimin e një grupi të studentëve me katër pjesëtar të stafit universitar të UP-së për të marrë pjesë në një konferencë shkencore në Universitetin e Harvardit në SHBA.

Po ashtu, në këtë mbledhje të Qeverisë u miratua edhe transferi i shpenzimeve të paparashikuara të buxhetit të shtetit në vlerë deri në 40 mijë euro dhe disa pika tjera të rendit të ditës. /Kp/Telegrafi/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of