Dhjetë ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, qeveria miratoi në parim rritjen e pagave dhe pensioneve. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të zhvilluar në një orar të pazakontë (rreth orës 21:30) u vendos që rrogat do të rriten deri në 6% dhe vendimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. E teksa shpjegonte rritjen e pagave dhe pensioneve, Berisha nuk ka kursyer akuzat për rivalin e tij, Edi Rama.
“Mbledhja e qeverisë në një orë jo fort të zakonshme. Ka disa ligje të pa miratuara, janë plot 44 vendime për t’u miratuar. Sot do të miratojmë në parim rritjen e rrogave dhe pensioneve. Rrogat do të rriten deri në 6% dhe do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve. Ai nuk flet kurrë për rritje rrogash dhe pensionesh, ai flet thjesht do ul këtë taksë dhe do rrisë këtë taksë nga e cila lind vetëm kaosi ekonomik”, u shpreh Berisha.
Qeveria ka vendosur edhe shpërndarjen e dëmshpërblimeve për 1040 të përndjekur politikë, për të cilët do të vihen në dispozicion rreth 45 milionë dollarë. Numri 1 i qeverisë theksoi se dëmshpërblimi, i cili vijon pa ndërprerje nuk është në normën më të lartë, por ajo është e merituar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.