Qeveria ka miratuar këtë javë statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për Green Coast sh.p.k.
Vendimi i publikuar këtë të premte në Fletoren Zyrtare saktëson se përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi është ministria përgjegjëse për turizmin.
Green Coast sh.p.k, pjesë e Balfin Group po zhvillon një projekt në Jug të vendit dhe konkretisht në Palasë ku përveç vilave është angazhuar edhe në ndërtimin e një hoteli markë me 5 yje. Projekti ka përfituar gjithashtu statusin e investimit strategjik.
Por çfarë përfiton në fakt projekti nga marrja e statusit special. Qysh nga viti 2018 qeveria miratoi një paketë ligjore që synonte lehtësime fiskale për kompanitë që do të angazhohenin në sjelljen e markave ndërkombëtare në fushën e hotelerisë. Konkretisht sipas ndryshimeve ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje paguajnë tatimfitim për një periudhë 10-vjeçare nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special.
Sipas ligjit, përjashtimi nga tatimfitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.
Në atë kohë u bë gjithashtu vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnizimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Më parë ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend.
Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special, që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH.
Hotelet kanë lehtësi edhe te taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës është zero.
Projekti i hotelit në Green Coast
Grupi BALFIN po zhvillon në Jug të vendit projektin për ndërtimin e të parit “MGallery hotel”, një markë luksoze, pjesë e portofolit të grupit ndërkombëtar “Accor”. Më herët kompania konfirmoi për Monitor se punimet pritet të përfundojnë në vitin 2024. Hoteli do të ofrojë 118 dhoma dhe suita luksoze.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.