Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka ndarë mjete financiare për pagesën shtesë në pagë për disa institucione në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për të ndarë mjete financiare për të paguar pagesën shtesë në pagë për punonjësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Doganës së Kosovës, ATK-së dhe AUV-it. Shtesat paguhen për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë.
Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë po ashtu janë ndarë edhe 40 mijë euro për mbështetje financiare për punonjësit e Lotarisë së Kosovës, që ka tash e një vit që nuk kanë marrë paga.
Sindikata e punëtorëve të Lotarisë pak ditë më parë kishte mbajtur protestë në lidhje me mosmarrje të pagave tash e një vit.
Po ashtu janë ndarë 10 milionë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për blerjen e materialeve, aparaturave, dhe angazhim të personelit mbështetës për menaxhimin e pandemisë COVID-19. E gjithashtu është vendosur edhe për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione e transferta, prej datës 1 mars deri më datën 31 tetor 2021.
Ndër vendime tjera ka qenë edhe ndarja e tetë milionë eurove për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për subvencionimin e tarifës për burime të ripërtritshme të energjisë.
E po ashtu edhe 500 mijë euro për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për kryerjen e obligimeve financiare të kësaj ministrie.
Në mbledhjen e 69-të të Qeverisë, është miratuar edhe vendimi për kompensim të njëhershëm për delegatët e legjislaturës të vitit 1990, të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor të vitit 1999, që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës më datën 2 korrik të vitit 1990 dhe 7 shtator 1990, si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.
Është miratuar edhe nisma për negocimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Reagimi i Kosovës ndaj COVID-19 për NVM-të”, si dhe negocimin, si dhe për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian, për Projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë.
Vendimet nga Qeveria:
– Qeveria ka ndarë mjete financiare për pagesën e shtesës në pagë për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Doganat e Kosovës, ATK-në, dhe AUV-në, për shkak të angazhimit të shtuar gjatë pandemisë COVID-19, si dhe plotësim ndryshimin e vendimeve të Qeverisë që kanë të bëjnë me mjetet nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike.
– Ministrisë së Shëndetësisë ju ndanë 10 milionë euro, për blerjen e materialeve, aparaturave mjekësore si dhe angazhimin e personelit shëndetësor dhe mbështetës, për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
– Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit ju ndanë 8 milionë euro, për subvencionimin e tarifës për Burime të Ripërtëritshme të Energjisë.
– Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ju ndanë 500 mijë euro, për kryerjen e obligimeve financiare të kësaj ministrie.
– Qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin financiar të njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990 të cilët kanë certifikuar mandatin e deputetit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të datës 4 dhjetor 1999, që kanë marrë pjesë në Mbledhjen e Kuvendit të Kosovës me datën 2 korrik 1990 dhe me datën 7 shtator 1990 si dhe kanë vazhduar të marrin pjesë në mbledhjet e Kuvendit deri më datën 24 maj 1992.
– Qeveria ka aprovuar kërkesën e Sindikatës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000 € (dyzetmijë euro) për mbështetje financiare për punonjësit e saj.
– Është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë nr. 09/09 të datës 01.07.2020 për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt.
– Qeveria ka miratuar nismat për negociimin e Marrëveshjes së Kredisë midis Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime, për financimin e projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19 për NVM-të”, si dhe për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian, për Projektin “Mbështetja e BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë”.
– Qeveria ka miratuar edhe vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere, prej datës 1 mars deri më datë 31 tetor 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.