Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet në seancë plenare të enjten në orën 10 për të rrëzuar disa dekrete të presidentit për kthim ligjesh në parlament, përfshirë ligjet për dy kontrata kontroverse koncesionare të propozuara nga qeveria.
Kuvendi i Shqipërisë pritet të nisë një seancë plenare me axhendë të ngjeshur të enjten më 12 shtator, ora 10, me 16 pika, ku përfshihen dy koncesione dhe ligje të tjera kontroverse, ndërsa në seancë pritet të emërohet edhe kryetari i ri i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare si dhe të rizgjidhet në postin e Komisionerit për të Drejtën e Informimit Besnik Dervishi.
Socialistët pritet të rrëzojnë dekretet e presidentit Ilir Meta për kthim për shqyrtim në kuvend të shtatë ligjeve të debatuara si dhe të rrëzojnë kandidatin e propozuar prej Metës për postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pozicion që ka mbetur vakant tashmë që prej një viti për shkak të konfliktit politik.
Ndër çështjet më të debatuara janë dy kontrata kontroverse koncesionare, të cilat synojnë të ndërtojnë dy segmente rrugore me kosto prej qindramilionë eurosh.
Kontrata e parë parashikon ndërtimin e 17 kilometrave rrugë në segmentin Lezhë-Balldre me një kosto totale prej 214 milionë eurosh ndërsa kompanitë koncesionmarrëse, ANK dhe Bardh, kontratë të cilën presidenti e ka kthyer për rishqyrtim parlamentar duke argumentuar se gjatë procesit të negociimit është “shkelur interesi publik”.
Kontrata tjetër koncesionare kontroverse synon të ndërtojë 14.7 kilometra rrugë dykalimëshe me një kosto prej 67 milionë eurosh plus TVSH-në, plus interes 5% mbi vlerën e investimit të kompanisë.
Të dyja këto koncesione janë kritikuar për formën e prokurimit të përzgjedhur si dhe për koston e lartë të ndërtimit të segmenteve rrugore me vlerë të dyshimtë ekonomike.
Qeveria është vënë nën kritika jo vetëm brenda vendit, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Departamenti Amerikan i Shtetit për këto forma koncesioni. FMN është e shqetësuar se përdorimi i këtyre kontratave koncesionare po i shërben qeverisë për të rritur borxhin publik të vendit pa e shpallur si të tillë ndërsa DASH vëren se ka shumë raportime për korrupsion në procesin e prokurimit publik në Shqipëri si dhe ngre pikëpyetje se si ka qëlluar që të gjitha kontratat koncesionare të qeverisë po fitohen nga biznesmenë vendës dhe në asnjë rast nga të huaj.
/REPORTER.AL
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.