Qeveria “Rama 3” ka filluar punën zyrtarisht. Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri janë betuar sot te Presidenti Meta, duke nisur kështu punën për mandatin e tretë qeverisës.
Menjëherë pas betimit, Rama ka filluar mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave ka marrë edhe vendimet e para.
Vendimet
-Fëmijët e mjekëve e infermierëve që kanë humbur jetën nga COVID, do të marrin rrogën e prinderit të tyre deri në moshën 18-vjeçare.
Personat e mitur prindërit që i përket kategorisë mjek, infermier, që ka humbur jetën nga COVID do të trajtohet në mënyrë retroaktive dhe të gjithë këta që do kenë statusin e fëmijës nën përkujdesjen e Republikës do marrin rrogën e plotë të prindërit deri në moshën 18 vjeç”.
-Një rubrikë informimi për çdo akuzë
“Qeveria e re do të ketë në funksion të plotë në pak ditë një faqe të re online ku do të ketë një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut për çdo akuzë. Në atë rubrikë secili prej ministrave do të përgjigjet me shkrim dhe do të mbajë përgjegjësi për informacionin. Kush nuk do të thotë të vërtetën do të marrë përgjegjësitë morale dhe ligjore nëse nuk do të thotë të vërtetën. Ministër nuk bëhesh vetë, të bën kryeministri, por vendin duhet ta mbash vetë. Kush shkel në dërrasë të kalbur pune ka me organet ligjzbatuese, jo me mua e as me qeverinë. As mua as PS nuk do ta ketë mbrapa askush që hedh qoftë edhe një hap jashtë ligjit. Ju kërkoj t’i mbani larg familjet nga dyert e shtetit, dhe nga fondet publike”.
Dhuratat protokollare do të inventarizohen
Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, kryeministri Edi Rama tha se të gjitha dhuratat protokollare do të inventarizohen.
“Kryeministria ka një magazinë ku ruhen të gjitha dhuratat, pavarësisht vlerës së tyre monetare. Deri në 2013 nuk u la në këtë godinë asnjë dhuratë protokollare, madje kanë marrë edhe plot gjëra nga ato që kanë gjetur këtu, piktura, ambazhurë, karrige, pjata, pirunj, filxhanë e me radhë. Detyrimi për t’i inventarizuar dhuratat të delegacioneve të çfardo natyre apo ato të individëve që kalojnë një vlerë të caktuar monetare, ose duhet të qëndrojnë si pjesë e dekorit të zyrës tuaj ose duhen dorëzuar në muzeun e dhuratave protokollare. Duken gjëra të vogla, por këto janë norma që janë zbatuar në çdo shtet. Kodet do të vlejnë edhe për ministrat. Ky popull nuk i ka borxh asnjë përfaqësuesi të lartë të administratës shtetëror kapadajllëkun publik të shefave të lloj-llojshëm në territor. Çdo komunikim publik duhet të kryhet në koordinim me kryeministrinë. Na kanë vrarë sytë disa raste të patolerueshme drejtorësh që organizojnë mbrëmje dëfrimi me kolektivin, por nuk mund të organizohen me fondet e drejtorive”, tha Rama.
Mbledhja e Këshillit të Ministrave, 16 vendimet e para që Qeverisë së re:
PROJEKTLIGJE:
- Për bashkëqeverisjen.
- Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
- Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Maqedoni e Veriut – Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020.
- Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
- Për ratifikimin e konventës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Izraelit për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.
PROJEKTVENDIME:
- Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Shtetërore për Media dhe Informim.
- Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.830, datë 15.9.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Kodit Etik Ministror”.
- Për disa shtesa në vendimin nr.187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të nëpunësve civilë/nëpunësve, zëvendësministrit dhe nëpunësve të kabineteve në disa institucione të administratës publike”, të ndryshuar”.
- Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e zbatimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit për rehabilitimin e infrastrukturës së rrjetit të kullimit në zonën e Porto Romanos – Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujërave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit dhe caktimin e Bashkisë Durrës si njësi zbatuese.
- Për miratimin, në parim, marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).
11.Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.
- Për miratimin, në parim, të ndryshimit nr.14 të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për forcimin e shtetit të së drejtës, qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme, të ratifikuar me ligjin nr. 174/2013.
- Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (huamarrësi), dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Politika për mbështetjen e reformës në sektorin energjetik në Shqipëri”.
- Për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së sportistëve, që përfaqësuan denjësisht kombin shqiptar me rezultatet e tyre në Lojërat Olimpike 2020.
- Për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të znj. Elidiana Kasa.
- Për miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë…
Mëngjesin e së premtes qeveria “Rama 3” u miratua me 77 vota pro në Kuvend, pas një seance maratonë diskutimesh, ku u prezantua programi i ri qeverisës për katër vitet e ardhshme.
Sipas programit të Partisë Socialiste, në katër vitet e ardhshme qeveria do të mbështetet në 5 shtyllat kryesore:
1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia;
2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.
3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;
4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;
5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë.
(I përditësuar)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.