Pandemia e COVID-19 vuri buxhetin e vitit të shkuar nën presion për pagesat dhe me një vendim të veçantë në prill qeveria rishikoi ato zëra që ishin të destinuar për koncesionet.
Një prej tyre që duket se është prekur nga këto pagesa është edhe koncesioni i skanimit me kompaninë S2 Albania. Përgjatë gjithë 2020 duket se qeveria ka qenë në negociata duke kërkuar nga konceisonari që të shtyjë pagesën e tarifës së shërbimit për secilën pikë operimi për disa muaj pasi fondet në buxhet ishin të pamjaftueshme.
Pas disa skenarëve të propozuar nga koncesionari që parashikonin masën 50 për qind të shlyerjes së tarifës duket se në fund është arritur në një marrëveshje që detyrimet e disa muajve të shtyhen për t’u paguar në vitin 2022.
Marrëveshja mes qeverisë dhe kompanisë së skanimit tashmë ka mbërritur në Kuvend ku sanksionohet se janë të paktën 3.3 milionë euro detyrime që do të shtyhen dhe shlyhen nga qeveria në një hark kohor 12 mujor në vitin 2022.
Ndryshimi në marrëveshje
Në dokumentin e dorëzuar në Kubend thuhet se pas pikës 10.4 të marrëveshjes shtohet pika 10.5.
“S2 dhe Autoriteti bien dakord se S2 do t’i lejojë Autoritetit shtyrjen me 100% të pagesës së çdo kësti mujor të tarifës së shërbimit të secilës pikë operimi për muajt Shtator, Tetor, Nëntor nga Tarifa vjetore e Shërbimeve të pikës së Operimit për vitin 2020(në vijim referuar si ‘Periudha e Shtyrjes’) sipas Shtojcës F “Mbi pagesat e parashikuara për periudhën 1 Janar-31 Dhjetor 2022”. Gjithashtu, palët bien dakord të shtyjnë shlyerjen e detyrimit të mbetur nga kësti i muajit Gusht për Tarifën e Shërbimit të një pike Operimi aktualisht në vlerën e papaguar 211,970 €, nga e cila pas zbritjes së, tarifës së koncesionit prej 2%, detyrimi i mbetur rezulton në vlerën 207,731 (në vijim referuar si këst i prapambetur i gushtit)
Pagesa e shtyrë në masën 100% të këstit për periudhën e shtyrjes së bashku me këstin e prapambetur të gushtit do të shlyhen duke filluar nga data 1 janar deri më 31 dhjetor 2022 (pra gjatë një periudhë 12 mujore)(Periudha e Shlyerjes).
Kjo pagesë e shtyrë në masën 100% (në vlerën 3,351,859 euro) për periudhën e shtyrjes së bashku me këstin e prapambetur të gushtit do të paguhen në mënyrë proporcionale në vlerën 279,572 € çdo muaj mbi këstin e rregullt mujor të tarifës së shërbimit të secilës pikë operimi që është pjesë e tarifës vjetore të zbatueshme të pikës së operimit gjatë periudhës së shlyerjes. Shoqëria konceisonare S2 nuk do të aplikojë penalitete ose kamatëvonesa për shtyrjen e pagesave të parashikuara në këtë pikë” thuhet në ndryshimin e bërë në marrëveshje.
Koncesoni i skanimit
Koncesioni i skanimit operohet nga kompania “S2 Albania” dhe është një projekt i formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim).
Kjo kontratë koncesioni është miratuar fillimisht me anë të Ligjit Nr.123/2013 dhe është ndryshuar më pas me Ligjin Nr.74/2015, për shkak të kundërshtimeve të hasura nga bizneset në vend, pasi vlera e pagesës për deklaratat doganore implikonte kosto të larta për këto të fundit.
Ndryshimet e bëra konsistonin në rishikimin e vlerës së tarifës së skanimit për deklaratat doganore. Nëse para ndryshimeve tarifa për çdo deklarate doganore të skanuar ishte 39 euro, tashmë me ndryshimin ligjor tarifa e skanimit u vendos të jetë 5 euro për deklaratat doganore nën ose të barabarta me 1000 euro dhe 22 euro për deklaratat doganore mbi 1000 euro.
Pas ndryshimeve, të ardhurat e shoqërisë koncesionare janë siguruar nga pagesat e bëra nga Autoriteti Kontraktues, i cili i paguan një tarifë prej 2,260,000 Euro për Shërbimet e Caktuara për çdo Vend, tarifë e cila do rritet çdo vit me koeficent 1.03. Nga kjo tarifë do të zbritet tarifa mujore koncesionare prej 2 për qind e cila duhet t`i paguhet Autoritetit nga shoqëria koncesionare. Diferenca e mbetur përbën Tarifën e Shërbimit të Vendit, e cila do paguhet në bazë mujore.
Me ndryshimet e vitit 2015, përfitues i tarifës së skanimit të deklaratave doganore është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Koncensionari përfiton gjatë periudhës së kontratës së koncensionit një tarifë bruto mesatarisht prej 13.5 milion Euro në vit (për 5 Vende Skanimi), sipas të dhënave nga Ministria e Financave.
Por ministria e Financave ka lajmëruar një rrezik të ri të kësaj kontrate që është risku i transferimit të aseteve në pronësi të shtetit shqiptar, pasi në kontratë nuk është e shprehur nëse ky kalim i aseteve do të bëhet i pashoqëruar me detyrime të mbartura.
Defekti në kontratë e lë ta hapur mundësinë që koncensioni t’i kthehet shtetit me një barrë detyrimesh duke rënduar edhe me tej eficencën e koncensionit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.