INSTAT rishikon me ulje Prodhimin e Brendshëm Bruto të vitit 2019

30/04/2021 11:31 AM 0 komente

Prodhimi i Brendshëm Bruto i vitit 2019 u korrektua me ulje nga INSTAT. Rezultatet që u publikuan sot treguan se me të dhënat gjysmë finale, ekonomia e vendit u rrit në vitin 2019 me 2.11 për qind dhe jo me 2.21 për qind që ishte rezultati vjetor që INSTAT publikoi në prill të vitit 2020.

Sipas të dhënave me baza vjetore, PBB me çmime korrente në vitin 2019 u vlerësua 1,691,729 milion lekë (13.7 miliardë Euro) dhe 1,636,731 milion lekë (12.8 miliardë Euro) për vitin 2018.

PBB për frymë në vitin 2019 arriti 593 mijë lekë (ose 4,819 €) nga 571 mijë lekë (ose 4,476 €) që ishte në vitin 2018.

Sipas matjeve të PBB-së me metodën e prodhimit, kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” me 0,65 pikë përqindje, “Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 0,47 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale, administrative dhe mbështetëse” me 0,38 pikë përqindje, “Industria gjithsej” me 0,37 pikë përqindje, “Aktivitetet financiare dhe të sigurimit” me 0,31 pikë përqindje dhe “Aktivitetet të pasurive të paluajtshme” me 0,25 pikë përqindje. Taksat neto mbi produktet kontribuuan respektivisht me 0,01 pikë përqindje.

Përsa i përket strukturës së PBB-së sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2019 vazhdojnë ta zënë shërbimet gjithsej me 48,4 %, duke shënuar një rritje në terma realë me 3,79 % , industria dhe Ndërtimi përbëjnë 20,6 % të PBB-së, të cilat u rritën në terma realë përkatësisht:

Industria me 3,04 % dhe Ndërtimi me – 2,21 % , Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 18,4 % të PBB dhe janë rritur me 0,63 % në terma realë.

Deflatori i PBB-së për vitin 2019 ishte 1,22 %. Sipas PBB–së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi, me 91,24 % , Ky komponent u rrit me 4,33 % në terma nominalë dhe 3,12 % në terma realë.

Në strukturën e Konsumit Final është konsumi final i popullatës ai që zë peshën më të madhe me 79,11 %, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 11,35 % dhe konsumi i institucioneve jo-fitimprurëse në shërbim të familjeve (IJFSHF) me 0,79 %.

Në vitin 2019, Formimi bruto i kapitalit fiks, i cili përbën 22,29 % të PBB-së, u ul me 3,46 % në terma nominalë dhe 3,68% në terma realë, krahasuar me vitin 2018.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,49 %, në terma nominalë dhe me 2,64 % në terma realë, ndërkohë që importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,77 %, në terma nominalë dhe 2,29 % në terma realë, krahasuar me vitin 2018.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of