Qeveria rrudh dorën, shpenzimet buxhetore të 9-mujorit, 77 mln euro më të ulëta se një vit më parë

26/10/2016 8:48 AM 0 komente

Teksa krahu i të ardhurave buxhetore është përmirësuar disi këtë vit në krahasim me një vit më parë nuk është reflektuar e njëjta situatë edhe në krahun e shpenzimeve.

Buxheti i shtetit gjatë periudhës 9-mujore ka injektuar në ekonomi 77 milionë më pak se një vit më parë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, shpenzimet buxhetore ishin 10.5 miliardë lekë më të ulëta se fakti i vitit 2015 ose 3.6% më pak. Shpenzimet panë mosrealizim edhe me planin e këtij viti me rreth 10.3 miliardë lekë më pak ose 3.5% më të ulëta.

Uljen më të madhe në krahasim me planin e patën shpenzimet korrente, të cilat rezultuan 7.6% më të ulëta.

Nga ana tjetër shihet një përmirësim i ecurisë së shpenzimeve kapitale në raport me planin dhe faktin, pavarësisht se ato u rishikuan me ulje me të paktën 3 miliardë lekë për periudhën 9-mujore. Sipas buxhetit fillestar ishin projektuar të shpenzoheshin për investime 37 miliardë lekë në janar-shtator.

Nga 34.4 miliardë lekë të programuara sipas planit të rishikuar për periudhën u realizuan 34.6 miliardë lekë me tejkalim 0.6%. Fondet nuk janë shpenzuar sipas programit edhe për pushtetin lokal. Shpenzimet dedikuar bashkive të reja ishin 3.3 miliardë lekë më pak, ose rreth 11 për qind më të ulëta se plani i periudhës.

Arka e shtetit shihet të ketë përfituar gjithashtu edhe nga interesat e ulëta të borxhit. Shpenzimet për interesa ishin 1.4 miliardë lekë më pak ose 5.2% më të ulëta.

Shpenzimet e operative dhe të mirëmbajtjes ishin gjithashtu 419 milionë lekë më të ulëta se programi i rishikuar i 9-mujorit.

Gjithashtu me ulje në raport me planin e rishikuar ishin edhe shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe ato për papunësinë përkatësisht me -4.1% dhe -9.8%.

 

tabela e ecurise se shpenzimeve

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of