Kryeministri rumun, Nicolae Ciucă, njoftoi se qeveria do të hapë një agjenci të re të posaçme për nxitjen e investimeve të huaja.
Agjencia do të funksionojë si një “pikë qendrore komunikimi” për kompanitë që janë të interesuara të investojnë në Rumani dhe do t’i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.
Kryeministri e bëri njoftimin në një aktivitet të organizuar nga Këshilli i Investitorëve të Huaj, një shoqatë e investitorëve të huaj, e krijuar në vitin 1997, me synimin për të mundësuar dialogun midis politikanëve rumunë dhe komunitetit të investitorëve të huaj.
Gjatë fjalimit, Ciucă tha se vitet e pandemisë COVID-19 dhe lufta Rusi-Ukrainë pranë kufijve të Rumanisë, kanë dëshmuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit. Ai tregoi edhe masat që ka marrë qeveria në këtë drejtim.
“Veprimet që kemi marrë, pasqyrojnë këtë dialog të vazhdueshëm. Ne u angazhuam që të mos vendosim taksa të reja apo të rrisim ato ekzistueset dhe e mbajtëm këtë premtim, megjithëse kjo nuk ishte e lehtë. Premtuam stabilitet dhe parashikueshmëri për investitorët dhe e mbajtëm fjalën”, tha kryeministri.
Ciucă theksoi se qeveria e tij është përkushtuar, në pjesën më të madhe të 32 viteve të fundit, në rritjen e investimeve dhe se Rumania do të përfitojë mbi 90 miliardë euro nga fondet e BE-së për zhvillimin në vitet e ardhshme. Ai tha gjithashtu se IHD-të në Rumani u rritën me 21% në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe se numri i kompanive me kapital të huaj u rrit me 35%, krahasuar me vitin e kaluar.
Kryeministri rumun shfaqi kredencialet e tij të biznesit në një event të organizuar nga Dhoma Franceze e Tregtisë në Rumani. “Unë drejtoj një qeveri pro-biznesit, e hapur për të përfituar nga të gjitha mundësitë që synojnë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike rumuno-franceze”, tha Ciucă gjatë eventit.
Kjo nuk është agjencia e parë vendore që synon të nxisë investimet e huaja. Një organ i ngjashëm, Agjencia Rumune për Investimet e Huaja (ARIS), u themelua në vitin 2002 nga qeveria e krahut të majtë e drejtuar nga Năstase. ARIS do të jepte asistencë për projektet e investimeve të huaja, me vlerë mbi 1 milion euro. Agjencia u shpërbë në vitin 2009 dhe atributet e saj u transferuan në atë që sot është Ministria e Ekonomisë, Energjetikës dhe Mjedisit të Biznesit.