Qeveria shqiptare do të hartojë një plan veprimi për të nxitur tregtinë elektronike

17/12/2020 5:20 PM 0 komente

Qeveria shqiptare do të hartojë për herë të parë një plan veprimi për nxitjen e tregtisë elektronike. Në mbledhjen e gjashtë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Kryetarja e Grupit të Punës të caktuar nga Kryeministri, Arjana Dyrmishi, mbajti një prezantim për objektivat e këtij grupi pune. Në mbështetje të këtyre nismave të përbashkëta u mbajtën edhe një sërë prezantimesh nga Banka Botërore dhe SWIFT në lidhje me Instant Payment, si një nga zhvillimet infrastrukturore të nevojshme dhe të parashikuara në planet e veprimit.

Gjithashtu, në mbështetje të diskutimeve për kostot e pagesave me karta, operatori PAYLINK mbajti një prezantim mbi përfitueshmërinë që mund të ketë tregu shqiptar nga ekzistenca e një infrastrukture, që proceson pagesat me kartë, brenda vendit (SWITCH Kombëtar).

Kryetarja e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, Luljeta Minxhozi, gjatë fjalës së saj u ndal në nevojën e zbatimit në praktikë të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, si një nga masat dhe arritjet kryesore të strategjisë. Gjithashtu, ajo vuri në dukje nevojën për krijim dhe përmirësim të infrastrukturave, si Instant Payment dhe procesimit të kartave, si dhe promovimin e edukimit financiar si një mekanizëm i rëndësishëm për arritjen e objektivave të rritjes së përfshirjes financiare të popullsisë dhe zgjerimit të përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.

Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, gjatë mbledhjes u diskutua edhe për masat e ndërmarra në lidhje me përballimin e kufizimeve në lëvizje, të cilat në mënyrë të tërthortë mbështetën edhe promovuan përdorimin e pagesave elektronike në ekonominë shqiptare.

Në këtë drejtim, vëmendje iu kushtua nismave të ndërmarra nga ana e AKSHI-t gjatë kësaj periudhe dhe problematikat e hasura, ku zj. Nevila Repishti, Drejtoreshë e Portalit Qeveritar e-Albania, informoi pjesëmarrësit mbi masat e marra me qëllim dixhitalizimin e shërbimeve të qeverisë me fokus pagesat, si dhe nevojat për bashkëpunim të mëtejshëm me bankat.

Në përfundim të mbledhjes, Kryetarja e Komitetit rekomandoi krijimin e disa grupeve të punës, me qëllim adresimin konkret të çështjeve të ngritura në mbledhje, ato në lidhje me edukimin financiar dhe pagesat me kartë, si nga pikëpamja e reduktimit të kostove të mbartura nga tregtarët, ashtu edhe në lidhje me procesimin e tyre.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of