Qeveria shtyn në 30 qershor daljen në tregun privat të energjisë të konsumatorëve në 35 kv

16/02/2017 1:38 PM 0 komente

Pas një takimi konsultativ me bizneset e lidhura në 35 kv Ministria e Energjisë ka pranuar kërkesën e tyre për të shtyrë afatet e daljes në tregun e pavarur të energjisë, njoftuan burimet zyrtare në Ministrinë e Energjetikes.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Energjisë dhe industrisë ashtu sikurse edhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike zhvilluan sot një takim informues dhe konsultues me bizneset që kanë detyrimin për të dalë në tregun e lirë të energjisë.
Në mbështetje të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike, OSHEE ka evidentuar 73 subjekte të lidhura në rrjetin 35 kV të cilat duhet të respektojnë këtë detyrim për të gjetur mundësinë alternative të furnizimit dhe shkëputur nga operatori publik.
Aktualisht ka përfunduar procesi i instalimit të matëseve në këto subjekte dhe po vazhdon miratimi i kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm që këto biznese të mund të furnizohen në tregun e lirë.

Gjatë diskutimeve që u realizuan, Ministria e Energjisë dhe industrisë pranoi kërkesën e këtyre bizneseve për tu dhënë pak më shumë kohë në dispozicion për shkëputjen nga OSHEE. Afati i mundshëm i përfundimit të të gjithë këtij procesi do të jetë data 30 Qershor 2017. Ligji përcakton gjithashtu afatin dy mujor në të cilin këtyre subjekteve u garantohet furnizimi nga OSHEE në cilësinë e furnizuesit të mundësisë së fundit.

Të 6300 bizneset e mëdha që konsumojnë në 35 dhe 20 kilovolt do të nxirren në tregun e lire energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut. Sipas ligjit të ri për sektorin e energjisë ata duhet ta gjejnë lirisht energjinë që ju duhet për konsum nëpërmjet një ndërmjetësi apo një furnizuesi.

Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese deri në krijimin e Bursës së Energjisë duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë  dhe lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë ato kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.

Bizneset do jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësirash pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji më çmim 120 euro megavatori siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.

Gjithsesi edhe pas liberalizimit të tregut, bizneset rrezikohen nga furnizimi me energji. Operatori i Shpërndarjes do të mbajë përgjegjësinë e furnizuesit më të fundit. Që do të thotë se nëse një nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dështojë të gjejë furnizuesin në tregun e lire atëherë OSHEE do të vijojë të furnizojë. Por në këtë rast ndryshon kushti për çmimin, i cili do të jetë më i lartë. Gjithsesi tarifat do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë duke marrë një konsiderate analizën e kostove.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of