Qeveria synon që brenda këtij viti 33% të konsumit të energjisë ta tregtojë në treg të lirë

01/03/2016 8:49 AM 0 komente

Deri në fund të vitit 2016 rreth 33% e konsumit të përgjithshëm të energjisë do të tregtohet në tregun e lirë jashtë çmimeve të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Sipas planit të Ministrisë së Energjetikës që bazohet në ligjin e ri të energjisë klientët 35 kilovolt dhe 20 kilovolt do të dalin nga struktura e rregulluar e tarifave deri në fund të vitit 2016. Për pasojë pjesa e konsumit në pjesën e parregulluar të çmimeve nga 13 për qind që është aktualisht pritet të arrijë në 33% në fund të vitit.

Ligji i ri i sektorit të energjisë u miratua nga Parlamenti në maj të vitit 2015. Ligji ristrukturon marrëdhënien mes tri kompanive publike të energjisë përgjegjëse për prodhimin, transmetimin, dhe shpërndarjen (KESH, OST dhe OSHEE) duke shkuar drejt liberalizimit të mëtejshëm të tregut, në përputhje me Direktiven e BE-së.

Në zbatim të ligjit të bizneset që furnizohen nga tensioni i mesëm duhet të shkëputen nga rrjeti i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me detyrim dhe të gjejnë burimin e furnizimit me energji në mënyrë të pavarur, duke nisur që këtë vit. Nisma në dukje joshëse, më shumë se sa për të lehtësuar kostot e biznesit po bëhet për të çliruar OSHEE-në e zhytur në borxhe nga detyrimi për të furnizuar klientët e mëdhenj.

Deri në vitin 2018, 40% e tregut synohet të liberalizohet në këtë mënyrë. Afatet për liberalizimin nuk japin shumë kohë, pasi qeveria ende nuk e ka përcaktuar modelin e tregut që do të ndiqet.

Aktualisht OSHEE ofron një çmim prej 14 lekë për kilovat ndaj biznesit dhe ka mbi 90 % të monopolit të furnizimit. Bizneset janë shprehur të shqetësuara nëse kompanitë e tjera do të mund të sjellin energjinë më lirë, duke e blerë atë në Europë dhe duke shfrytëzuar asetët e Transmetimit dhe Shpërndarjes. Një model i tillë tregu ka dështuar në Itali pas 20 vitesh përpjekje dhe monopoli i shpërndarjes së energji është ende në zotim të kompanisë së shpërndarjes ENEL.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of