Qeveria e Kosovës i ka vënë detyrë vetes që në 6 mujorin e parë të këtij viti ta shes Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK). Një vendim për të cilin ende nuk është pyetur Kuvendin. Kjo evidentohet në planin e punës së qeverisë së Kosovës, për vitin 2014. Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), parashikon të ndërmarrë tri aktivitete në raport me PTK-në deri në fund të marsit.
1. Nënshkrimi i marrëveshjes së shitblerjes së PTK-së, 2. Transferimi i aksioneve tek ofertuesi i përzgjedhur si i preferuar dhe
3. Transferimi i mjeteve nga shitja e 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Si bazë ligjore për të ndërmarrë këtë veprim është përmendur vendimi i Kuvendit, i datës 31 mars 2011, si dhe vendimi i Qeverisë, i datës 16 shkurt 2013.
Në fakt, Kuvendi nuk ka marrë ndonjëherë vendim për këtë privatizim, vetëm se në datën që i është referuar Qeveria, është votuar Buxheti vjetor, në të cilin kanë figuruar edhe si të hyra të njëhershme paratë nga shitja e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. E vendimi i Qeverisë i marrë në fillim të vitit të shkuar, shpall fitues të blerjes së aksioneve konsorciumin e udhëhequr nga “ACP Axos Capital”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.