Flet ish–kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi
Ish–kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, në intervistë për “Monitor” shprehet se nga strukturat e qeverisë, aktualisht nuk është marrë asnjë masë për përballimin e situatës, në rast rreziku të përhapjes së koronavirusit. Prençi thekson se fillimisht që para dy muajsh, me shfaqjen e virusit në Kinë, qeveria duhet të rishikonte planin kombëtar të emergjencës shëndetësore.
Ish-kreu i Emergjencave Civile thotë se qeveria duhet të kishte ngritur para dy muajsh spitalin që do të shërbente si karantinë. Ai thotë se, si karantinë me 200 shtretër duhej të shërbente një nga godinat e ish-reparteve ushtarake në vend.
Prençi ngre si shqetësim edhe rritjen e çmimit të maskave mbrojtëse dhe të alkoolit dezinfektues. Ai tha se farmacitë dhjetëfishuan çmimin, pasi shteti nuk ndërhyri. “Ministria e Shëndetësisë rreth 2 muaj më parë duhet të kishte nxjerrë akt normativ, ose urdhër për të mbajtur status quo-në e çmimeve, në të gjitha farmacitë. Kjo me qëllim që farmacitë të mos abuzonin me çmimet e shitjes së maskave dhe alkoolit dezinfektues.
Sa të përgatitura janë emergjencat civile për përballimin e situatës, nëse do të nevojitej kthimi i një zone në karantinë?
Në këtë rast duhet të angazhohet sektori i emergjencave, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile bën vetëm koordinimin për t’i mbështetur me struktura policore dhe ushtarake për të siguruar perimetrin e largët.
Për zgjidhjen e këtij problemi ka një plan kombëtar për emergjencat sipas llojeve, si: emergjencat në bujqësi, në shëndetësi, në përmbytje.
Së pari, Ministria e Shëndetësisë para 1 muaj duhet të kishte nxjerrë akt normativ, ose urdhër të ministrit për të mbajtur status quo-në e çmimeve, në të gjitha farmacitë. Kjo me qëllim që farmacitë të mos abuzonin me çmimet e shitjes së maskave dhe alkoolit dezinfektues.
Ministria e Shëndetësisë nuk ndërhyri në kohë e duhur, për rrjedhojë biznesi privat po abuzon. Ministria e Shëndetësisë duhet të kishte nxjerrë urdhrin apo vendim qeverie, qëkur koronavirusi u shfaq në Kinë, ose të paktën që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën ndërkombëtare.
A cenohet në këtë rast parimi kryesor për tregun, që oferta përcakton çmimin?
Jo, ndodh e kundërta. Në kushtet e shpalljes së emergjencës botërore, shteti ka tagrin të kontrollojë tregun. Në shpalljen e gjendjes së emergjencës, Kushtetuta ta lejon, vendimi nr.24 i Gjykatës Kushtetuese i datës 10.11.2006 thotë “nxjerrjen e akteve normative me fuqi ligjore, në kushtet e emergjencës ose në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme”. Pra, siç miratohet një ligj me ngut, ku nga qeveria po miraton edhe për gjëra që nuk nevojiten, duhet të kishte miratuar një ligj ose një akt normativ me fuqi ligjore për të parandaluar gjendjen e koronavirusit. Hapësirat ligjore janë të shumta, por askush nuk e ka vrarë mendjen.
Po ju tregoj një rast konkret. Sa herë ka ndërhyrë shteti, kur është dashur të bëhet kalimi i politikave të privilegjeve, nga një shoqëri farmaceutike te të tjera? Sa herë herë shteti ka ndërhyrë në rrugë antiligjore? Pra, nëse ka pasur një zotërues tregu, ai është shtrënguar për t’u favorizuar një tjetër që të zotërojë tregun.
Në rastin e situatës së koronavirusit, nuk duhet të ishte favorizuar asnjë, por duhej mbajtur status quo-ja e çmimeve të maskave, të dezinfektuesve të alkoolit. Ministria ndërhyn shumë herë për të shtuar barna që nuk taksohen apo të tjerat që përdoren për sëmundje kronike, ashtu duhet të kishte ndërhyrë edhe për dy elementë të thjeshtë për koronavirusin. Për shkak të mosndërhyrjes është 10-fishuar çmimi i maskave mbrojtëse dhe alkoolit dezinfektues.
Pra, nuk është parë si masë parandaluese mbajtja me status quo e tregut, si për çmimet, ashtu edhe furnizimin, me qëllim që të mos lejohej abuzimi.
A mund të themi se Ministria e Shëndetësisë ka dyfishuar vendosjen e stafit mjekësor në porte dhe aeroporte?
Së pari, kjo do të ndodhte nëse studentët e Fakultetit të Mjekësisë, që janë në prag diplomimi, të shkojnë në ndihmë të mjekëve. Pra, ka disa mënyra për të ndërhyrë.
E dyta, përse të mos funksionojë në hyrje të çdo porti dhe aeroporti dhënia e dezinfektantëve dhe maskës për çdo qytetar, nëse flasim për marrje masash karantine.
E treta dhe më e rëndësishmja, Kina për dhjetë ditë ndërtoi një spital me 10 mijë shtretër. Po shteti ynë, përse duhet ta ngrejë karantinën në një qendër të banuar? Është mundësia që karantina të ngrihet në një repart ushtarak të braktisur. Kjo mund të ngrihet brenda 10 ditësh nga qeveria.
Që në momentin e shfaqjes së koronavirusit në Kinë, qeveria ka pasur kohë të adoptojë si karantinë një strukturë të ndërtuar, në terren fushor. Nga qeveria nuk duhet të mendohet që karantina të ngrihet në një zonë të banuar, siç u hodh ideja për qytetin e Kavajës, ku me të drejtë pati reagime të shumta nga qytetarët.
Sa përllogaritet kostoja e kthimit të një reparti ushtarak në karantinë?
Qeveria që para 2 muajsh duhej të kishte përshtatur në një ish-repart ushtarak një spital model për situatën e koronavirusit. Godinat janë ekzistuese, duhej të montoheshin vetëm pllakat e izolimit. Kostoja e ngritjes së këtij spitali-karantinë me minimumi 200 shtretër llogaritet deri në 1 milion euro.
Kostoja nuk do të ishte shumë e lartë, sepse në këto godina ekziston sistemi i nëndheshëm i tubacionit të banjove. Nevojitet vetëm montimi i pajisjeve të tjera. Është krejt normale që një qeveri e përgjegjshme për një grip që kërcënon jetën e qytetarëve, duhej të kishte marrë masa, ndërsa këtu nuk e ka vrarë njeri mendjen. Deri tani nuk kam parë ndonjë veprim për marrjen e masave.
Edhe në mbledhjen e Task Forcës, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se janë dyfishuar masat. Të çosh një mjek në portin e Durrësit nuk është masë parandaluese. Në këto kushte, qysh para 1 muaji e gjysmë, qeveria duhej të rishikonte planin kombëtar të emergjencave shëndetësore. Aty duhej të kishin dhënë ide edhe specialistët e shëndetësisë, pasi kjo situatë ka nevojë për debat.
Blerja e rezervave ushqimore, shitjet në supermarkete rriten 10%
Edhe në Shqipëri, ashtu si në shtetin fqinj Italinë qytetarët nga paniku i përhapjes së koronavirusit iu drejtuan supermarketeve për blerjen e rezervave ushqimore.
Në ditët e para të kësaj jave në supermarketet shqiptare shitjet u rritën. Përfaqësuesi i rrjetit të supermarketeve “Big Market” në vend konfirmoi për “Monitor” se shitjet pësuan rritje 10 për qind. “Dy-tre ditët e para të kësaj jave shitjet u rritën me 10 për qind. Shitjet më të lartë ishin për produktet bazike ushqimore. Nga fundi i javës shitjet iu kthyen shifrave normale”, u shpreh përfaqësuesi i “Big Market”.
Në Itali pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, qytetarët u dyndën në supermarkete për të blerë produkte ushqimore, në rast se do të vetë izoloheshin në shtëpi.
Pas kësaj situate kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala i drejtua qytetarëve në rrjetet sociale me mesazhin sensibilizues. “Në vend që të mendoni për të shkuar me nxitim në supermarkete për të rrëmbyer ushqime, përpiquni të harxhoni kohë duke u kujdesur për ata që janë më të dobët, të moshuarit tanë në veçanti që janë subjekt i rrezikut. Në këto situata kështu sillet një shoqëri e ndjeshme dhe e pjekur.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.