Qeverisja e Bankës Qendrore është po aq e rëndësishme sa edhe vetë objekti i veprimtarisë së saj, dhe mendojmë se është objekt diskutimi i të gjitha palëve të interesuara, përfshirë këtu institucione kombëtare dhe ndërkombëtare ashtu si edhe individë me interesa në fushën e kërkimit dhe studimit. Ligji nr.8269, datë 23.12.1997 Për Bankën e Shqipërisë rregullon organizimin dhe drejtimin e Bankës Qendrore në një kapitull të veçantë. Legjislatori ka rregulluar sigurisht aspektet më kryesore, përfshirë këtu objektin e veprimtarisë dhe kompetencat e Këshillit Mbikëqyrës, përbërjen dhe cilësitë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, emërimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës etj. Kjo nuk përbën ndonjë veçanti, sepse shumica e vendeve i rregullojnë në akte ligjore organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore. Pothuajse në të gjitha ligjet e vendeve si në zhvillim, ashtu edhe në ato të zhvilluara, legjislatori i ka kushtuar një rëndësi të veçantë qeverisjes së bankës qendrore. Për çdo legjislator ka qenë gjithmonë shqetësim jo vetëm se çfarë kompetencash duhet t i kalojë kësaj banke qendrore, por edhe si administrohet kjo kompetencë, si kontrollohet vendimmarrja, si vlerësohen efektet në realitet të vendimeve etj. Qeverisje është një fjalë e cila nënkupton si një veprim, ashtu edhe një metodë apo mënyrë sjelljeje të caktuar drejtimi. Për shembull, fjalori i gjuhës së sotme shqipe (1980) e përcakton si një veprim drejtimi. Ajo që është e rëndësishme për një subjekt, përfshirë këtu edhe Bankën Qendrore është mënyra dhe metoda e drejtimit. Fjala drejtim e ka origjinën në gjuhën latine gubernare, që do të thotë të drejtosh. Ndoshta është edhe momenti për të cituar të famshmin Ciceron (De Senectute), i cili thotë: Ai që qeveris, ulet i qetë në timonin e anijes dhe qëllimi për të mos ndryshuar kursin e drejtimit është mënyra e drejtimit. Kjo shprehje në ekonomitë dhe demokracitë e zhvilluara simbolizon parimin e pranuar tashmë si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, se qeverisja nuk duhet të bëhet me dorë të fortë. Drejtuesi i anijes duhet të mbajë anijen në kursin e saj me minimumin e lëvizjes së timonit. Njëkohësisht po aq i rëndësishëm është edhe momenti se kur sytë dhe vëmendja e palëve të interesuara përqendrohen në qeverisjen e Bankës Qendrore. Momenti është vërtetë i rëndësishëm për arsyen e thjeshtë, sepse tani është koha e propozimeve dhe emërimeve të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, përfshirë këtu edhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Ky moment duhet shfrytëzuar për disa arsye. Së pari, duke qenë një institucion publik pjesë e administratës qendrore, çdokush ka të drejtë të vlerësojë apo të reflektojë mbi qeverisjen e deritanishme të Bankës Qendrore. Pronar nuk është as Këshilli Mbikëqyrës dhe as Guvernatori. Këto organe vetëm drejtojnë dhe administrojnë pronën e pronarit sipas objektit të veprimtarisë së Bankës Qendrore. Pronar i Bankës Qendrore është vetë publiku, i cili nëpërmjet Kuvendit përcakton objektin e veprimtarisë së Bankës Qendrore dhe detyrat që kanë këta drejtues dhe administratorë të bankës. Së dyti, çdokush ka të drejtë të kërkojë apo t i thërrasë ndërgjegjes dhe personalitetit të deputetit të Kuvendit me qëllim që të përfaqësojë denjësisht vlerat dhe kërkesat e publikut të cilët ata përfaqësojnë. Dhe sigurisht, kërkesa e publikut është që ky deputet të mos e vlerësojë qeverisjen e Bankës Qendrore thjesht dhe vetëm mbi bazën partiake apo për hir të klanit, grupit ose pazareve. Deputeti me votën e tij i kërkohet të emërojë me po aq përgjegjshmëri sa kërkohet edhe për përgjegjshmërinë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës apo Guvernatorit në qeverisjen e Bankës Qendrore. Përgjegjshmëria e deputetit sidomos në organet pothuajse të pavarura është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me përgjegjshmërinë e vetë organeve. Sa më të papërgjegjshëm të jenë përfaqësuesit e publikut po aq të papërgjegjshëm bëhen edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës.Së treti, ky moment është i rëndësishëm për vetë organet e bankës qendrore pavarësisht nëse janë individuale (Guvernatori) apo kolektive (Këshilli Mbikëqyrës). Çdokush në këto organe duhet të reflektojë mbi sukseset dhe dështimet përgjatë periudhës në shërbim të këtij institucioni dhe publikut, në tërësi. Sigurisht, publiku nuk kërkon që reflektimi të bëhet vetëm mbi arritjen dhe realizimin e objektit kryesor të veprimtarisë së bankës sipas detyrave të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare dhe as në planin personal nëse shërbimi në këto organe ka sjellë përfitime materiale apo jomateriale. Por reflektimi duhet të jetë realist, në një plan më të gjerë dhe më të thellë. Në këtë plan përfshihen të gjitha marrëdhëniet që janë pjesë integrale dhe në funksion të objektit të veprimtarisë të Bankës Qendrore, duke përfshirë pakufizim përmirësimin apo përkeqësimin e marrëdhënieve me qeverinë, përmirësimin apo përkeqësimin e barrës administrative mbi bankat dhe sistemin bankar, përmirësimin apo përkeqësimin e cilësisë së akteve nënligjore, që rregullojnë sistemin bankar dhe financiar, përmirësimin apo përkeqësimin e transparencës së vërtetë, përmirësimin apo përkeqësimin e administrimit të pronës publike në bankë, përmirësimin apo përkeqësimin e jetës së punonjësve të ndershëm të bankës etj. Padyshim, suksesi dhe dështimi përcaktohet në tërësinë e këtyre marrëdhënieve dhe jo thjesht se janë të vetëshpallura apo të vetinterpretuara me shprehje standarde. Suksesi dhe dështimi janë anë të së njëjtës monedhë, dhe kjo monedhë e ka vlerën vetëm në publik.Rolin kryesor në drejtimin e Bankës Qendrore e luan Këshilli Mbikëqyrës. Pavarësisht se detyrat dhe kompetencat e këshillit janë përcaktuar në ligj, ky Këshill duhet të sigurojë që këto detyra dhe kompetenca të zbatohen ashtu siç i ka vendosur vetë. Por cilësia e zbatimit të vendimit është e kushtëzuar me cilësinë e vetë vendimit të Këshillit Mbikëqyrës. Përsëri, si pjesë e reaksionit zinxhir, cilësia e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës është e kushtëzuar me cilësinë e informacionit që i ofrohet. I gjithë informacioni për vendim apo thjesht për dijeni filtrohet vetëm nga një person dhe ky person është edhe kryetar i këshillit edhe guvernator me funksione ekzekutive në bankë. Pa synuar të paragjykoj ecurinë e deritanishme, ndarja e këtyre funksioneve (një tezë e mbrojtur edhe më parë) do t i shërbente jo vetëm përmirësimit të cilësisë së vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës, por edhe efekteve të zbatimit në realitet të këtyre vendimeve. Nga ana tjetër, këshilli është organ vendimmarrës. Për pasojë, informacioni që duhet t i kalohet, duhet të jetë i pajisur me probleme, duke shtruar edhe alternativa për zgjidhje të problemit. Përsëri nuk synojmë të paragjykojmë ecurinë e deritanishme dhe as për të dhënë zgjidhje teorike e të përgjithshme, por një këshill si rregull nuk mund ta quajë të kryer detyrën e tij në një mbledhje ku më shumë se gjysma e materialeve janë me karakter përshkrues dhe studimor. Një barrierë tjetër edhe më shqetësuese është përgjegjësia personale në organet kolegjiale. Mungesa e evidentimit të përgjegjësisë personale pavarësisht nga evidentimi i votës në procesverbalet konfidenciale, është sa shqetësuese ashtu edhe e dëmshme për rolin që duhet të ketë ky organ kaq i rëndësishëm. Këshilli është urë lidhëse midis publikut dhe administratorëve të bankës. Prandaj, Këshilli Mbikëqyrës është në qendër të qeverisjes së Bankës Qendrore dhe çdo anëtar duhet pikërisht të konsiderohet i përgjegjshëm për misionin që ka. Për këtë qëllim, banka duhet të ketë struktura që të jenë në shërbim të drejtpërdrejtë për të evidentuar përgjegjësitë e çdo anëtari. Këtu nuk bëhet fjalë për pajisjen logjistike dhe lehtësitë administrative si p.sh., pajisja me një celular dhe pagimi i faturës së tij, por për rregulla të cilat mundësojnë veprimtarinë e anëtarit të këtij këshilli në mënyrë të pavarur nga kryetari. Gjithashtu, edhe legjislacioni duhet të drejtohet drejt përgjegjësisë individuale sesa përgjegjësisë kolektive si anëtarë të këtij këshilli. Përgjegjësia personale është produkt i njohurive profesionale, përvojës dhe karakterit apo formimit të anëtarit. Përvoja është një element shumë i rëndësishëm. Në fund të fundit, këshilli ashtu si çdo këshill tjetër është krijuar për shkak të nevojës për përvojë dhe jo thjesht se e parashikon ligji. Një shprehje latine (Plautus) thotë se: Asnjë në vetvete nuk është i mençur aq sa duhet (Nemo solis satus sapit). Ndërsa elementet mbi karakterin dhe formimin e anëtarit nuk janë thjesht të mëshiruara në dispozitat ligjore dhe aq, por shkojnë edhe më tej duke përfshirë edhe ndjeshmërinë e këtij anëtari ndaj konflikteve më të vogla të interesit. Sa më i gjerë të jetë interpretimi i konfliktit të interesit, aq edhe më i pavarur dhe i përgjegjshëm është anëtari në vendimmarrje. Sa më i ngushtë interpretimi i konfliktit të interesit, aq dyshues dhe me vese është veprimtaria apo vendimi i këshillit. Në këtë kontekst përfshihet edhe prishja apo shbalancimi i raporteve midis anëtarëve të këshillit, që janë të punësuar në bankë (ekzekutive) me anëtarët që nuk janë të punësuar në të (jo-ekzekutivë). Prishja apo zhbalancimi i këtij raporti do të cenonte paanshmërinë edhe të vendimeve të këtij këshilli. Por spektri i qeverisjes së Bankës Qendrore nuk mbaron këtu. Problematika e qeverisjes fillon me Këshillin Mbikëqyrës. Në fund, të mos harrojmë se integrimi në Bashkimin Europian është menuja e ditës në të gjitha tavolinat e punës e të bisedave. Por integrimi ka në vetvete përqasjen e vlerave në të gjitha aspektet, përfshirë ato institucionale dhe jo institucionale. Dhe jo shumë larg qendrës së këtij kazani europian u bë shumë zhurmë për Presidentin e Bundesbankut, Bankës Qendrore të Republikës Federale të Gjermanisë. Ishte aq e zhurmshme sa zgjoi nga gjumi jo vetëm burokratët e institucioneve Gjermane dhe Europiane, por mbarë publikun gjerman dhe atë europian. Sigurisht që këtu nuk bëhet fjalë për skandale të standardit shqiptar, por të standardit europian. Presidenti i Bundesbankut thjesht pranoi ftesën all inclusive`(të gjitha të përfshira) të një banke tregtare, të cilën e mbikëqyrte Bundesbank, si bankë e bankave. Komentet janë të tepërta, por ishte këshilli i Bundesbankut ai organ i cili e trajtoi shqetësimin e medias, paqartësinë e publikut dhe nervozitetin e politikanëve në publik. Zgjidhja ishte e thjeshtë, të mbrojmë institucionin dhe jo karrigen. A do të mundemi ne të barazojmë këto standarde brenda afateve që i kemi vënë vetes për integrim?Këtë kërkojmë për institucionet shqiptare. Dhe për këtë duhet të kontribuojnë edhe deputetët e zgjedhur me votim popullor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.