Qeveritë ballkanike duhet të përmirësojnë bashkëpunimin, në qoftë se duan të rrisin investimet e huaja, thanë pjesëmarrësit në Forumin e Biznesit të Sarajevës…
Bashkëpunimi rajonal është kyç për tërheqjen e më shumë parave të investimeve të huaja në Ballkan, theksuan pjesëmarrësit në Forumin e shtatë të Biznesit të Sarajevës.
“Nuk ka asnjë vend i cili është në gjendje të qëndrojë i vetëm, sidomos në rajonin tonë”, deklaroi në forum ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Vladimir Kavarić.
“Vendet e Ballkanit duhet ta konsiderojnë njëri-tjetrin si partnerë përballë konkurrencës ndërkombëtare, në vend që të konkurrojnë kundër njëri-tjetrit”, tha Kavarić, duke shtuar se kjo vlen veçanërisht kur bëhet fjalë për zhvillimin e një rrjeti infrastrukturor rajonal.
Pavarësisht nga rëndësia e kësaj, qeveritë nuk po bëjnë sa duhet për të krijuar një rrjet rajonal, argumentuan ekspertët.
“Deri më tani, në samitin e ardhshëm [të Ballkanit Perëndimor në BE] në Paris, qeveritë e Ballkanit do të jenë në gjendje të paraqesin vetëm 2 nga një total prej 10 projektesh infrastrukturore që BE-ja ka vendosur të financojë për zhvillimin e rajonit pas samitit të vitit të kaluar në Vjenë”, tha Goran Svilanoviq, sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, i cili synon të nxisë projektin për zhvillim bashkëpunues në Europën Juglindore.
Promovimi i përfitimeve të një ekonomie të bashkuar rajonale është një nga qëllimet kryesore të forumit, i cili do të zhvillohet deri të enjten dhe përfshin pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia.
Ai u mundëson sektorëve publikë dhe privatë të paraqesin projektet e tyre të biznesit, në mënyrë që të tërheqin investime ndërkombëtare, veçanërisht në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë.
Media lokale raportoi se forumi tërhoqi më shumë se 1,500 delegatë, përfshirë ministrin e Ekonomisë dhe Tregtisë së Katarit, Ahmed bin Jassim Al-Thani, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit Yousef Al Ali, zëvendëskryeministrin turk, Mehmet Simsek, dhe një delegacion kinez të kryesuar nga Ning Jizhe, zëvendëspresidenti i komisionit për zhvillim dhe reforma të qeverisë së Pekinit.
“Kina ka një rëndësi globale dhe paraqet një shans të madh për bashkëpunim, nga i cili do të përfitojnë të gjithë ata që duan të jenë të përfshirë”, tha në konferencë Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Vitet e fundit, Kina ka treguar një interes në rritje për të investuar në projektet e energjisë dhe infrastrukturës në Ballkan.
Ajo krijoi grupin 16+1 në vitin 2012, një nismë që synon të përmirësojë lidhjet tregtare dhe ekonomike midis Pekinit dhe vendeve nga Europa Qendrore dhe Lindore.
“Kina po punon për të lidhur Europën me Azinë … dhe ne jemi krenarë që Bosnja përfaqëson një pikë të rëndësishme në vizionin e saj”, – tha Izetbegovic.
Gjatë ditës së parë të forumit, përfaqësues të Elektroprivreda Bosnia dhe grupi Gezhouba të Hercegovinës dhe Kinës nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e një pjese të një termocentrali me linjit në qytetin boshnjak të Tuzlës, një marrëveshje e cila ka vlerë totale prej mbi 700 milionë euro.
“Kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha të investimeve të energjisë në Bosnjë pas luftës”, – tha Saimi Zeidan, një gazetar nga Al Jazeera dhe moderator në konferencë.
Mbajtur për herë të parë në vitin 2010, Forumi i Biznesit të Sarajevës e ka pozicionuar veten si një nga eventet më të rëndësishme të investimeve për Europën Juglindore.
Këtë vit Bosnja, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia thonë se janë të vendosura të paraqiten si “një rajon dhe një ekonomi”, duke kërkuar investime në bujqësi, infrastrukturë, turizëm, energji dhe fusha të tjera.