*Adrian Haxhiaj
Me hyrjen në fuqi të rregulloreve 2019/947, 2019/245 për UAS (Unmanned Aircraft System), të njohura si dronët, më 1 Janar të 2021, është legjitimuar unanimisht përfshirja e tyre (dronëve) në hapësirën ajrore për përdorim civil. Këto rregullore janë tashmë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e BE-së.
Këto hapa juridikë dhe amendamente të tjera që do të vijnë, janë pjesë e strategjisë afatgjatë dhe përpjekjeve të të gjithë anëtarëve të BE-së, për të standardizuar dhe për të lehtësuar përdorimin racional të hapësirës ajrore. Kjo ka lindur jo nga dëshira e dikujt ose interesi i ngushtë i ndonjë organizate apo forcave të padukshme që kërkojnë të “pushtojnë” botën, por nga interesi i përbashkët për ta shfrytëzuar në maksimum dhe në të mirë të të gjithë banorëve që jetojnë nën qiellin e BE-së, këtë resurs të kufizuar, siç është edhe hapësira ajrore.
Kjo strategji përfshin shumë nisma të tjera të ndërmarra nga BE-ja dhe institucionet përkatëse. Ndër to, është edhe unifikimi i trafikut ajror që është tema e këtij shkrimi.
Me Deklaratën e Helsinkit të datës 22 Dhjetor 2017 (nuk duhet ta ngatërrojmë me dokumentin e famshëm të Helsinkit të 1 Gushtit 1975 për krijimin e OSBE-së), u vendos të krijohet struktura përkatëse për kërkim, zhvillim, harmonizim dhe propozime ligjore për U-Space. Krijimi i hapësirës së përbashkët ajrore për të gjitha mjetet fluturuese. Emërimi SES (Single European Sky), e paraqet shumë qartë këtë synim. Një hapësirë të vetme ajrore europiane.
Nyja gordiane e kësaj nisme dhe masterplani, është dhe do të mbetet menaxhimi i trafikut, i njohur nga zhargoni teknik ATM (Air Traffic Managemet). Deri në ditët e sotme, menaxhimi i gjithë trafikut ajror civil në të gjithë botën, ka në qendër trafikun e avionëve të drejtuar nga pilotë/e, të ashtuquajtur Manned Aircraft. Strukturat dhe rregullat e çimentuara deri tani për menaxhimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore, trafikut dhe avionëve, janë të detyruara – të paktën në BE dhe UAS, t’u “hapin” vend dronëve, Unmanned Aircraft.
Siç u përmend më lart, jo me hir ose pahir, por sepse dronët janë tanimë pjesë e rëndësishme dhe me të ardhme të sigurt e ekonomisë globale. Me këtë sektor janë lidhur fort investime të fuqishme, studime shkencore, teknologji high-tech, interesa gjeopolitike, vende pune, problemet e mjedisit, ngrohja globale, gara për hegjemoni në inovacion dhe arsye të tjera.
Trafiku ajror është rregulluar sot pak a shumë si ai tokësor që njohim. Ne nuk i shohim autostradat ajrore, pasi ato nuk janë të shtruara me asfalt dhe me tabela trafiku. Por ato ekzistojnë. Përndryshe do të kishte një kaos të vërtetë në qiell.
Një nga ndryshimet thelbësore me rrugët tokësore, trafiku ajror funksionon në formë tredimensionale. Lartësia është parametër i pashmangshëm në trafikun ajror. Ky trafik funksionon në formën e kateve të një ndërtese disakatëshe. Në katet e sipërme, të ndarë në klasa, kanë të drejtë të fluturojnë avionë dhe linja ajrore të përcaktuara. Me rregulloren e re të miratuar nga EASA (European Aviation Safety Agency), në këtë hapësirë deri në lartësinë 120 metra nga niveli i terrenit, lejohen edhe dronët.
Ky “new kid on the block” ka tashmë rregulloren e vet, aplikacionet e menaxhimit dhe së shpejti, edhe menaxhimi e trafikut të njohur si UTM (Unmanned aircraft system Traffic Managment). Më 13 Maj 2021, EASA do të ratifikojë edhe rregulloren përkatëse të U-space.
Synimi dhe strategjia afatgjatë e BE-së, në fushën e menaxhimit të trafikut ajror civil është të arrijë një ndryshim radikal të trafikut ajror. Kati më i lartë do të eliminojë problemet me kapacitetet, rrugët nacionale fikse, mungesën e fleksibilitetit dhe probleme të tjera të krijuara nga defragmentimi i hapësirës dhe shërbimeve. Do të krijohet një nënkat për operimin (Network Operations) duke eliminuar problemet e lartpërmendura.
Në nivelin e menaxhimit dhe strukturave operative, të gjitha shërbimet, si p.sh. të dhënat, aplikacionet, sistemet informative (moti, trafiku, etj.) do të kontrollohen dhe mundësohen nga një strukturë e vetme e quajtur U-Space operations. Dhe kati përdhes, ai i infrastrukturës fizike, pavarësisht se do të jetë nën kontrollin nacional, do të lidhet me katet e tjera nëpërmjet një strukture unike të transferimit dhe koordinimit të të dhënave dhe informacioneve.
Siç shihet, strukturat shumë të rëndësishme të menaxhimit të trafikut, do të përballen me sfida, strese dhe “kokëçarje” shtesë. Por për sa kohë ligjvënësit, politika, industria, biznesi dhe publiku arrijnë një konsensus, këto probleme do të jenë gjithmonë të menaxhueshme.
Dhe siç ndodh rëndom me shumë ligje të aplikueshme në BE, herët apo vonë, ato do të adoptohen edhe nga aspirantët, përfshi edhe Shqipërinë, që janë në radhë për të hyrë në këtë bashkësi. Ashtu si në shumë fusha të tjera, besoj se edhe politika e përkrahur nga industria, biznesi dhe grupe të tjera të interesit në Shqipëri, do të arrijë të nxjerrin nga sirtari i fundit edhe temat që lidhen me tematikën e këtij shkrimi. Menaxhimi i trafikut është tashmë një temë jo e panjohur për publikun shqiptar.
*Konsulent në fushën e Telekomunikacionit dhe Dronëve
Anëtar dhe bashkëpunëtor i Shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org).
Anëtar i shoqatës më të madhe në SHBA, AUVSI (www.auvsi.org)
Anëtar i shoqatës CIVATAGLOBAL e përkushtuar në fushën e UAM (Urban Air Mobility) https://www.civataglobal.org/