“Qiraja financiare, e nevojshme të krijohet tregu sekondar”

19/09/2017 10:30 AM 0 komente

Flet Elion Martini, drejtor në Departamentin e Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing

 

Tregu sekondar është zgjidhja për të zhvilluar më shumë qiranë financiare dhe për t’i dhënë kësaj të fundit dimensione të reja.

Për Drejtorin e Departamentit të Shitjes dhe Suportit të Qirasë Financiare në Credins Leasing, Elion Maraku, kjo është arsyeja pse sot kemi të zhvilluar pjesën e financimit të mjeteve motorike.
Nga ana tjetër, ai sjell në vëmendje se vendimet apo udhëzimet që miratohen dhe që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, me qiranë financiare, duhet të zbatohen në mënyrë që qytetarët t’i përfitojnë edhe në praktikë këto lehtësi.

Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2017 nga të dhënat që keni paraprakisht?

Nga të dhënat që kemi për 6-mujorin ka një rritje të tepricës në nivelin 9% në tregun e qirasë financiare krahasuar me fundvitin 2016 dhe peshën më të madhe e zënë automjetet.

Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me konkurrencën, edukimin financiar të qytetarëve për ta kuptuar, lehtësitë që mund të ofrohen?

Mendoj se ky treg ka mjaft për të zhvilluar produktin e qirasë financiare. Aktualisht është i përqendruar rreth financimeve të mjeteve motorike, të cilat zënë peshë të madhe në portofolat e qirasë financiare e më pas makineri e pajisje etj. Zhvillimi i financimit të mjeteve motorike është i lidhur pikërisht me lehtësimin që i ofron tregu sekondar për tregtimin e tyre. Për kategoritë e tjera aktuale të financimit, ky treg sekondar ose mungon, ose është mjaft i vështirë për t’u krijuar. Edukimi financiar, veçanërisht te bizneset, është ende i paformatuar në lidhje me përparësitë që ka produkti në aspektin fiskal. Mbetet ende në tradicionalen për të përdorur produktin e kredisë kur financimi me qira financiare mund t’i sillte mjaft përfitime biznesit.

Konkurrenca në treg për këtë produkt është mjaft e lartë, por mendoj se një aspekt që kjo ndodh është te përqendrimi i produkteve të njëjtë të ofruar, me ndryshime të vogla. Krijimi i produkteve të reja tek qiraja financiare përmban risqe që lidhen ngushtësisht herë me legjislacionin dhe herë me mungesën e tregut sekondar.

Në 2016-n, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ka pasur një rënie të zërit “mjete pune” brenda qirasë financiare. Si e vlerësoni këtë?

Kërkesa për financime mjete pune është e lidhur drejtpërdrejtë me nevojat që kanë klientët, me politikat që kanë institucionet për financime vetëm të mjeteve të reja apo relativisht të reja, me tregun sekondar të tyre.

A kemi një situatë më të mirë konsumatore në kushtet kur kemi një rritje tek blerja e mjeteve të reja?

Patjetër që kemi një situatë më të mirë konsumatore, si dhe një siguri për të kryer financime. Në blerjen e mjeteve të reja ndikon edhe ndërgjegjësimi i klientëve për të investuar tashmë në mjete të reja.

A ka ngërçe ligjore ose burokraci që duhet të rishikohen për ta përmirësuar tregun, të paktën nga ajo që vëreni ju në punën tuaj ditë pas dite?

Përditësimet e fundit të ligjit për qiranë financiare dhe aktet nënligjore të saj datojnë në vitin 2007. Në aspektin e ndryshimeve të tjera, që bëhen dhe prekin aktivitetin e qirasë financiare, është shtuar kërkesa e vërtetimit të detyrimeve për mjetet motorike, të cilat në udhëzim përcaktohet se merret online nga noteri, ndërkohë duhet klienti të shkojë ta marrë fizikisht, gjë që tregon mosfunksionim të zbatimit të udhëzimit. Rast tjetër për t’u përmendur është mungesa e rregullave të qarta të rasteve të importit të makinerive që, sipas VKM-së në fuqi, përjashtohen nga TVSH në momentin e ndërmjetësimit të kompanive leasing.

Si është raporti i kreditorëve të këqij kur flasim për qiranë financiare?

Ashtu si edhe çdo produkt tjetër bankar në aspektin e financimit, edhe qiraja financiare ka kategorinë e kreditorëve të këqij. Krahasuar me produktin e kredisë, kjo përqindje është mjaft e ulët, pasi përveç rolit administrues ka të bëjë me specifikën e produktit.
Sendi i qirasë financiare nuk është në emër të klientit, por në atë të bankës. Kjo sjell që çdo problematikë që krijohet në shlyerjen e kësteve të qirasë, të shkojë drejt dorëzimit të sendit dhe të ritregtohet ose nëpërmjet shitjes në tregun sekondar ose me rifinancim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of