QKB: Bizneset të dorëzojnë bilancet brenda 31 korrikut, ndryshe gjobë

09/05/2019 10:04 AM 0 komente

 

Qendra Kombëtare e Biznesit u ka bërë thirrje subjekteve që kanë detyrimin e dorëzimit të bilanceve që të respektojë afatet ose në të kundërt do të gjobiten sipas masave që parashikon kuadri ligjor. Kujtesa nga ana e QKB është pothuajse e përvitshme por nga e kaluara jo të gjitha bizneset respektojnë për depozitimin e bilanceve duke preferuar që të paguajnë gjobën e cila është në një vlerë modeste prej 15 mijë lekësh. Në njoftimin e saj QKB bën me dije se cila do të jetë procedura e dorëzimit të pasqyrave financiare duke nënvizuar se formati do të jetë EXCEL-i dhe përmes portalit qeveritar e-albania.

“Të nderuar subjekte!

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se, bazuar në nenin 43, të Ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e biznesit”, i ndryshuar, subjektet duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar, në të kundërt aplikohet sanksion administrativ gjobë, prej 15000 lekë.

Afati përfundimtar, për dorëzimin e këtyre dokumenteve është data 31 korrik 2019.

Ndërkohë, ju informojmë se dorëzimi i pasqyrave financiare do të kryhet në formatin Excel, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania.

Për informacione të mëtejshme lidhur me mënyrën e dorëzimit dhe përdorimit të formatit të ri, lutemi konsultoni Manualin e Përdorimit për aplikimin për depozitimin e pasqyrave financiare dhe raporteve si dhe mund të kontaktoni në adresën elektronike info.qkb@qkb.gov.al  dhe në numrin e Tel: +355 4 2250066” thuhet në njoftimin e QKB.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of