Më shumë aksione janë shitur dhe blerë gjatë vitit 2003 në Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve. Por vihet re se tendenca është kah përqendrimi i pronësisë drejt një grupi gjithnjë e më të vogël aksionerësh të fuqishëm. Kjo ndodh në një treg të paorganizuar mirë, ku nuk funksionon bursa, shtoi kësaj edhe psikologjinë tonë, sipas së cilës pronën duam që ta kemi vetë, thotë Artan Xhango, drejtor i Qendrës së Regjistrimit të Aksioneve. Të gjitha shoqëritë që dëshirojnë të kenë lehtësira në mbajtjen e regjistrit të tyre, që prej disa kohësh mund të heqin nga vetja angarinë e regjistrimit të shit-blerjeve të aksioneve të tyre, kundrejt disa tarifave të caktuara. Që nga viti 1992 është krijuar një qendër, që quhet Qendra e Regjistrimit të Aksioneve, e cila mban regjistrat e shoqërive dhe kryen regjistrimin detyrueshëm regjistrimin në të. Çfarë është QRA dhe kur është krijuar ajo?QRA është një shoqëri anonime, ku shteti zotëron 100% të aksioneve dhe aksioneri i vetëm është ministri i Ekonomisë. Qendra është krijuar me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 1996. Në shkurt të vitit 2002 ne, në bazë të ligjit të letrave me vlerë në Komisionin e Letrave me Vlerë, paraqitëm kërkesë për t u licencuar. Në nëntor të atij viti morëm licencë për aktivitetin e regjistruesit të letrave me vlerë. Viti i kaluar ishte viti i 7 i aktivitetit tonë. Fillimisht, ajo u krijua si një institucion i pavarur dhe i specializuar, i cili do të mbante regjistrin e aksioneve të rreth 100 shoqërive private anonime të krijuara kryesisht si rezultat i Programit të Privatizimit Masiv në Shqipëri dhe pasqyronte transaksionet e tyre në këto regjistra.Çfarë shërbimesh ofrohen për aksionerët?Marrëdhëniet e qendrës me klientët e saj rregullohen me anë të kontratës. Gjatë aktivitetit kemi parasysh pikërisht zbatimin e legjislacionit shqiptar në mënyrë sa më korrekte përsa i takon shoqërive tregtare, letrave me vlerë etj. Ne mbajmë regjistrin e aksionerëve të shoqërive emetuese pas kryerjes së transaksionit (në t+0 siç e quajmë ne), d.m.th. në të njëjtin moment kur bëhet kërkesa. Bëjmë një mbikëqyrje të vazhdueshme për të siguruar barazinë absolute të numrit të aksioneve të emetuara me ato që janë në qarkullim, pasi duhet të qarkullojnë pikërisht aq aksione sa janë emetuar, as më shumë dhe as më pak. Gjatë punës tonë rregull i domosdoshëm për t u zbatuar është ruajtja e informacionit konfidencial mbi shoqëritë dhe aksionerët, duke eliminuar abuzimet me aksionet e aksionerëve. Çdo aksioner me kërkesën e tij mund të marrë konfirmimin e llogarisë së tij, por nuk ka të drejtë të marrë informacion mbi llogaritë e aksionerve të tjerë.Çdo emetues ka të drejtë të ketë ekstraktin e regjistrit të aksioneve dhe ne ia japim atë në datën që ai e kërkon një gjë të tillë, ndërkohë që çdo ndryshim i kapitalit regjistrohet në regjistrin e aksioneve të emetuesit. Ne bllokojmë edhe llogaritë për efekt kredie. Në rast se aksioneri bie dakord me bankën për marrjen e ndonjë kredie, ne bëjmë bllokimin e llogarisë si kolateral për kredinë, që do të merret në bankë.Shërbim tjetër është lajmërimi për mbedhjen e përgjithshme të aksionerëve. Ne kemi një sistem të dhënash në të cilin kemi jo vetëm numrin e aksioneve por edhe të dhëna të sakta mbi aksionerët. Kur shoqëria kërkon të shpërndajë një dividend dhe kërkon të dhëna, ne bëjmë llogaritjen e shpërndarjes së dividendit, i japim shoqërisë ekstraktin e regjistrit të aksioneve në një moment të caktuar (p.sh., nëse shoqëria kërkon cilët janë aksionerët e saj në një moment të caktuar, ne i japim ekstraktin e regjistrit). Aksionerëve i japim vetëm informacion për aksionet e veta, ndërsa për aksionet e të tjerëve ata nuk kanë të drejtë të dijnë. Përpara Asamblesë shoqëria ka të drejtë ligjore për të njohur bashkëpronarët në këtë shoqëri.Çfarë forme kanë aksionet?Aksionet në Shqipëri janë në formën demateriale dhe jo në formë materiale (janë aksione demateriale të regjistrueshme), që do të thotë se aksioni nuk ka formën e një çertifikate aksioni, por është në formën e një regjistrimi në kompjuter ku secili aksioner ka një llogari të caktuar, e cila quhet të dhënat mbi aksionerin dhe një numër të caktuar, që përbën numrin e aksioneve. Për këtë arsye, teknikat që zbatojmë për mbajtjen e regjistrit janë nga më modernet për të pasur në këtë mënyrë një saktësi dhe një konfidencialitet të padiskutueshëm.Cilat shoqëri e kanë të detyrueshëm regjistrimin te ju?Detyrim ligjor për t u regjistruar pranë QRA kanë të gjitha shoqëritë anonime që kanë mbi 50 aksionerë, ndërkohë që të tjerat nuk e kanë detyrim ligjor, por as nuk e kanë të ndaluar. Momentalisht, ne kemi si klientë 64 shoqëri (nga 81 që kishim), ku përfshihen disa banka, shoqëri sigurimi etj., pasi nga likuidimi apo transformimi nga sh.a. në sh.p.k. rreth 21 shoqëri kanë mbyllur kontratën me ne. Në sistemin tonë të të dhënave kemi rreth 8400 llogari aksionerësh. Ka ndodhur që shoqëri, të cilat në fillim kanë pasur mbi 50 aksionerë dhe më pas kanë rezultuar me një numër më të vogël aksionerësh, të vazhdojnë të mos shkëputen, por të qëndrojnë te ne.Cili është synimi juaj afatmesëm apo afatgjatë?Me fillimin e funksionimit të Bursës së Tiranës kemi synim të mbajmë edhe regjistrat e shoqërive, që do të listohen në bursë në të ardhmen. Për këtë arsye në fund të vitit 2002 kemi bërë një marrëveshje me Bursën e Tiranës, mbi mbajtjen e regjistrave të aksioneve të shoqërive aksionere të listuara në Bursë dhe komunikimin midis të dy institucioneve gjatë procesit të Tregtimit dhe të Clearing & Setlement (shlyerje dhe rakordim) të transaksioneve të kryera në të. Kohën e realizimit të kësaj marrëveshje nuk mund ta përcaktoj sepse varet totalisht nga listimi i kompanive në bursë. Po përgatitemi për të marrë licencën nga Komisioni i Letrave me Vlerë për mbajtjen e Regjistrave të Obligacioneve, që do të listohen në Bursën e Tiranës. Mendojmë të realizojmë investime të mëtejshme në teknologji (nga burime të brendshme ose donatorë të ndryshëm) për të përballuar transformimin e Qendrës në një Depozitë të Letrave me Vlerë. Gjithashtu, do të plotësohemi me punonjës dhe do t i kualifikojmë ata në fusha të tilla si: kuadri ligjor, institucionet e tregut të kapitaleve, funksionimi dhe marrëdhëniet midis tyre, përdorimi i teknologjive të reja informatike etj.Si paraqitet numri i transaksioneve dhe çfarë tendence kanë ato, përsa i përket përqendrimit apo shpërndarjes së kapitalit?Numri i transaksioneve ka ndryshuar në varësi të paketave që kanë kaluar për privatizim. Kështu, ai ka qenë më i lartë në vitin 2001 (kur u realizuan 1279 transaksione), sepse gjatë atij viti kaluan paketa të mëdha p.sh., privatizimi i Bankës Kombëtare Tregtare nga shteti te privati. Mesatarisht janë 700-800 mijë aksione të transferuara në vit. Gjatë vitit 2003 u realizuan 937 transaksione. Transaksionet kanë si tendencë përqendrimin e kapitalit në pak aksionerë të fuqishëm dhe kjo ndodh në një treg të paorganizuar mirë, ku nuk funksionon bursa, shtoi kësaj edhe psikologjinë tonë, sipas së cilës pronën duam që ta kemi vetë. Me 400-500 aksionerë është e vështirë të administrohet një shoqëri, duke marrë parasysh edhe faktin që kultura jonë në administrimin e shoqërive aksionere lë për të dëshiruar. Ky përqendrim nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por ndodh gjithandej, sidomos në shoqëritë që nuk janë të listuara në bursë. Si mbrohen interesat e aksionerëve të vegjël?Ne, duke mbajtur regjistrin e aksioneve dhe duke dhënë konfirmimin e llogarisë, realizojmë ruajtjen e pronësisë mbi aksionin, gjë që është A-ja e mbrojtjes së interesave mbi aksionin, duke mos lejuar abuzimin me të. Çdo aksioneri që vjen, ne i japim konfirmimin e llogarisë dhe pronësia e tij mbi aksionet është absolutisht e sigurtë. Në bazë të kësaj, aksioneri mund të votojë, mund të marrë pjesë në vendimmarrje në bazë të aksioneve që ka. Gjithashtu, duke kryer disa shërbime si ai i thirrjes së Asamblesë ose llogaritja e dividendit kur na kërkohen, ne ndihmojmë për mbrojtjen e disa të drejtave të tjera si e drejta e votimit, pasi i lajmërojmë të gjithë me letra rekomande dhe të gjithë kanë mundësi të marrin pjesë në vendimmarrje, sipas sasisë së aksioneve që kanë.Si përcaktohet fitimi dhe në cilat drejtime taksohet?Duke qenë shoqëri anonime, për shërbimet që kryejmë ne marrim tarifat përkatëse, pra punojmë me tarifa. Nga të ardhurat tona i paguajmë dividend ministrisë dhe gjithashtu paguajmë detyrimet e tjera si të gjitha shoqëritë që veprojnë në treg. Nuk kemi asnjë lloj privilegji. Fitimi varet nga transaksionet. Në periudha me numër të lartë transaksionesh normalisht dhe fitimi ynë është më i madh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Jam nje aksioner ne Petrolimpeksi Tirane. Quhem Vlash Prence Durres .qe nga vviti 1998 e sot nuk kam marre as nje here fitime dhe nuk kam as nje iformacion sa di jane shitur shum objekte ne nuk kemi te drejte te pyetemi.