Viti 2012 ka qenë i mbarë për eksportet e produkteve bujqësore. Të dhënat nga Ministria e Bujqësisë konfirmojnë se gjatë 9 muajve të vitit të kaluar u eksportuan rreth 9 miliardë lekë mallra nga kjo degë, duke regjistruar një rritje prej 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritje të ndjeshme kanë pësuar të tria nëndegët e sektorit, blegtoria, bujqësia dhe agroindustria.
Një nga produktet me ecurinë më pozitive në eksport rezulton qumështi. Gjatë janar-nëntorit të 2012-s, janë eksportuar drejt vendeve të ndryshme rreth 353 tonë, me një rritje prej mbi 120% krahasuar me vitin 2011. Sipas operatorëve, shteti që po rrit ndjeshëm eksportet e qumështit shqiptar është Kosova.
Shkaku kryesorqë po rriteksportet në Kosovë është lidhja e këtij tregu me prodhimet shqiptare.
“Kosovarët kanë vlerësim për produktet shqiptare dhe janë më të ndjeshëm ndaj konsumit të markave vendase”, thotë Sami Gjergji, president i kompanisë “Primalat”, e cila prej më se një viti eksporton drejt këtij tregu.
Nga ana tjetër, kosovarët kanë një kulturë të ndryshme në konsumimin e qumështit krahasuar me banorët e Shqipërisë. Në Kosovë, 90% e konsumatorëve i bëjnë blerjet në supermarket dhe përgjithësisht, një herë në javë, duke blerë në sasi të mëdha për të shmangur blerjet gjatë ditëve të punës.
Në Kosovë, ato që shiten më shumë janë pikërisht formatet e mëdha, ku paketohen disa kuti qumështi.
Nga ana tjetër, kosovarët kanë një kulturë të hershme të qumështit UHT, si pasojë e hapjes së këtij tregu ndaj Europës shumë vite para Shqipërisë.
“Nëse tek ne, vetëm 25-30% e konsumatorëve pinë qumësht UHT, në Kosovë ky raport është disa herë më i lartë, arrin në 80-90%”, thotë presidenti i “Primalat”.
Kjo ka bërë që prodhues të ndryshëm vendas, kryesisht të qumështit UHT, t’i drejtohen tregut kosovar, ku konsumi i këtij produkti është shumë më i madh se Shqipëria. Nga ana tjetër, tregu kosovar përllogaritet të ketë fitime më të larta se tregu vendas, për shkak edhe të kursit të këmbimit.
Rritje në eksportet e prodhimeve ushqimore shqiptare gjatë nëntëmujorit të 2012-s duket se kanë dhënë edhe festat kombëtare në fund të nëntorit. Disa operatorë e kanë shfrytëzuar festën e madhe kombëtare të 100-vjetorit për të realizuar fushata marketingu më agresive për klientët, në një kohë kur edhe konsumi pritet të ishte më i lartë.
“Ne si kompani i kemi rritur 3-4-fish eksportet. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë pati bum në shitje, pasi ne e shfrytëzuam këtë periudhë dhe investuam në marketing, duke ofruar paketime me dizenjo për festën dhe me çmim më të lirë”, tha z. Gjergji për “Monitor”.
Potencial i pashfrytëzuar
Qumështi i dhisë dhe nënproduktet e tij janë sot ndër më të vlerësuarit dhe preferuarit në tryezat e dy prej liderëve të ushqimit në botë, Itali dhe Francë. Djathi, gjalpi nga qumështi i dhisë në Europë prodhohet në shije e formate të ndryshme, me çmime shumë më të shtrenjta se produktet nga qumështi i lopës.
Shqipëria, megjithëse ka një numër të lartë dhensh, duket ende mbrapa në shfrytëzimin e këtij potenciali.
Sot, në Shqipëri, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, numërohen rreth 760 mijë krerë dhensh, një numër që ka pësuar rënie në 10 vitet fundit. Shkak për këtë është bërë jo vetëm largimi i mjaft njerëzve nga fshati, por edhe konkurrueshmëria e ulët në çmime e qumështit të kësaj kafshe.
Qumështi i dhisë shitet mesatarisht me shumicë me 63-65 lekë kg, më pak se çmimi i lopës, që arrin minimalisht 70 lekë kg.
Kjo situatë ka sjellë edhe rënien e vazhdueshme të prodhimit të këtij qumështi, duke ulur edhe sasinë e disponueshme në treg. Aktualisht prodhohen rreth 70 mijë tonë qumësht në vit nga dhentë në vit, një vlerë që zë vetëm 6% të prodhimit total të qumështit në vend.
Sipas operatorëve të këtij sektori është fakt që, me gjithë investimet e realizuara, në treg mungojnë formatet që diferencojnë artikujt e qumështit, me qëllim tërheqjen e klientelës.
“Është e vërtetë se qumështi i dhenve është i këshillueshëm dhe shumë i ushqyeshëm, por në Shqipëri konsumatori ka shumë pak formim në këtë drejtim. Mbetet shumë për t’u bërë që shqiptarët të vlerësojnë siç duhet ushqimet që konsumojnë dhe të jenë të gatshëm të paguajnë për to”, thotë z. Gjergji.
Industria e qumështit, nga ana tjetër, nuk ka arritur në atë nivel zhvillimi sa të ketë impiante të veçanta për produkte tipike. Kjo vjen jo vetëm si pasojë e një fuqie të ulët blerëse, por edhe nga mungesa e lëndës së parë, qumështit.
Nga ana tjetër, ka shumë subjekte të vogla të përpunimit të qumështit, që abuzojnë me cilësinë. Abuzimet më të mëdha bëhen me djathin e dhisë që është shumë i shijshëm dhe i vlerësuar. Pjesa më e madhe e qumështit të dhisë shkon për prodhimin e djathit.
Shumë baxho në vend e përziejnë qumështin e dhisë me atë të lopës duke ia humbur shijen dhe si pasojë, duke e ulur interesin e konsumatorëve për këtë produkt tipik. Shqipëria, e cila përllogaritet të ketë një numër të lartë dhensh në Europë duket se nuk po e shfrytëzon këtë potencial të vogël të saj, që është i vlerësuar jo vetëm nga konsumatorët vendas, por edhe nga ata të huaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.