Qytetarët e Kosovës do të paguajnë tatim për tokën e papunuar

24/04/2019 1:00 PM 0 komente

Qytetarët e Kosovës nga viti i ardhshëm duhet të zgjedhin nëse duan t’i punojnë tokat ose të paguajnë tatime për to. Institucionet e Kosovës po planifikojnë që së shpejti të nisin aplikimin e tatimit për të gjitha tokat bujqësore të cilat nuk punohen.  Në Shoqatën e Bujqve të Kosovës thonë  tatim mbi tokat bujqësore për qytetarët e Kosovës është i gabuar.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë treguar se të gjithë qytetarët të cilët nuk punojnë apo kultivojnë tokat bujqësore, nga fillimi i vitit 2020 do të paguajnë tatim në pronë.

Baza e taksës mbi tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektarë, në pronësi të tatimpaguesit e pronësia e këtyre tokave bujqësore përcaktohet në dokumentet që e vërtetojnë atë.

Niveli i taksave për çdo kategori të tokës bujqësore do të përcaktohet nëpër komuna veç e veç në bazë të vlerës së tokës dhe lokacionit të saj.

Në Ministrinë e Bujqësisë, tregojnë se ky projekt është i financuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe presin që të fillojë sipas planifikimeve të zbatohet.

“Tatimi në pronën e paluajtshme nuk vendoset mbi njësitë e kultivuara bujqësore të parcelave. Pra, tatimi vendoset për tokat bujqësore, të cilat nuk kultivohen, respektivisht punohen. Tatimi mbi tokat bujqësore planifikohet të fillojë në  vitin  2020”.

Përveç kësaj, fatura e tatimit në pronë për qytetarët nga ky vit do të përfshijë edhe tatimin në parcela, i cili për të evituar rritje të larta të papritura të tatimit, tatimi në tokë do të zbatohet gradualisht përgjatë katër viteve.

Për rregullimin e pagesës së këtyre pronave bujqësore, MBPZHR ka paraparë që Kuvendet Komunale të caktojnë normat tatimore për të gjitha kategoritë e pronave, me përjashtim të kategorisë që është pronë publike.

“Kuvendi komunal duhet t’i rishikojë normat e caktuara dhe të caktojë norma të reja tatimore, vetëm nëse një gjë të tillë e kërkojnë rrethanat”.

Në Shoqatën e Bujqve të Kosovës ka thënë se projekti i financuar nga Suedia për të vënë tatim mbi tokat bujqësore, për qytetarët e Kosovës, është i gabuar.

“Suedia e ka financuar një projekt për bujqit që të paguajnë tokën bujqësore. Ky nuk është stimulim për bujqit e Kosovës, unë kam qenë kundër kësaj praktike, pra në një formë ky është një detyrim për të paguar tatim për tokat jo bujqësore. Ka toka të cilat nuk punohen e që shumica prej tyre janë privatizuar nga njerëz të fort të cilët nuk e punojnë. Tash qeveria po dëshiron me pranu këtë projekt ku për neve nuk janë pjek kushtet për një projekt të tillë”.

Sipas Shoqatës së Bujqve mbi 60 për qind e tokave bujqësore nuk punohen edhe për arsye migrimi.

Ndryshe në Kosovë, sipas Regjistrimit të Bujqësisë, të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikuar në muajin mars të vitit 2015 sipërfaqja e tokës  bujqësore është gjithsej 512 000.29 hektarë. Ndërkaq, ekonomitë bujqësore në Kosovë shfrytëzojnë gjithsej 413 635 hektarë tokë bujqësore./Fatos Shala-Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of