Ndërmarrja publike “Termokos” ditë më parë ka filluar sezonin e ngrohjes, por kompania po përballet me problemin e inkasimit të borxheve
Sipas zyrtarëve të “Termokosit”, borxhi i grumbulluar që nga paslufta e deri më sot, ka arritur në mbi 16 milionë euro. Ata thonë se inkasimi i borxheve do të bëhet përmes përmbaruesve privatë, por nuk përjashtojnë edhe mundësinë e shkyçjeve kolektive.
Disa nga qytetarët borxhlinj nuk e shfrytëzuan Ligjin për falje të borxheve dhe shuma e tërësishme e borxheve që nga paslufta për shërbimet e “Termokosit” tashmë ka arritur në mbi 16 milionë euro.
“Konsumatorët borxhli i kanë “Termokosit” borxh rreth 16 milionë e 500 mijë euro. Ai është borxh i vjetër i cili është grumbulluar për gjatë gjithë këtyre viteve. Lëndët do t’i dërgojmë përmes përmbaruesve privatë me një vërejtjeje prej shtatë ditësh, nëse ata nuk reagojnë në afatin prej shtatë ditësh, mjetet të cilat ia kanë borxh “Termokosit”, do të tërhiqen nga llogarit e tyre bankare”.
Pas vërejtjeve dhe dërgimit të lëndëve në përmbarues, nëse konsumatorët borxhlinj nuk përgjigjen pozitivisht, do të fillojmë edhe me shkyçje fizike.
“Pjesa me madhe e borxheve u takojnë subjekteve banesore, dhe normalisht në ato raste kur krijohen borxhe të mëdha dhe ku ka mundësi teknike, ne nuk hezitojmë të bëjmë shkyçje, pra, do të bëhen shkyçje individuale”.
Edhe këtë vit çmimet e ngrohjes do të jenë të njëjta për konsumatorët privatë, që janë 0.72 centë për metër katror.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.