Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se nesër do të hapet lista e regjistrimeve për takime për viza pune për muajin korrik. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 13 qershor. Vetëm në katër muajt e fundit, afro 200 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë gjermane. Mbi 8 mijë kërkesa janë bërë edhe në Ambasadën e Zvicrës.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë vazhdon të ketë fluks të madh të kërkesave për pajisje me viza pune nga kosovarët.
Si rrjedhojë e kërkesave të shumta ambasada gjermane muaj më parë ka bërë disa ndryshime për aplikim për tu pajisur me vizë pune.
Ambasada kishte njoftuar se në fillim të secilit muaj do të hapet dhe qëndrojë e hapur për 2 deri 3 javë një listë e regjistrimeve për takime për aplikim për vizë. Një praktikë e tillë është duke vazhduar tash e sa muaj.
Së fundmi ambasada ka njoftuar se lista e regjistrimeve për takime për muajin qershor është mbyllur, dhe se për muajin korrik do të hapet nesër më 01.06.2022.
“Lista e regjistrimeve për takime në qershor është mbyllur. Lista e regjistrimeve për takime në korrik do të hapet nga 01.06.2022 në orën 14:00 deri më 13.06.2022 në orën 14:00”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ambasada njofton se pas mbylljes së listës, nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm.
“Të gjitha regjistrimet e bëra në muajin përkatës marrin pjesë në procedurën e shortit, pavarësisht se kur janë bërë. Prandaj regjistrimet e bëra më herët, nuk kanë përparësi kundrejt regjistrimeve të bëra më vonë brenda kësaj periudhe”, thuhet në njoftim.
Ambasada gjermane njofton se regjistrimet e shumëfishta përjashtohen, dhe se ndryshimet e mëvonshme të të dhënave gjatë regjistrimit nuk janë të mundura.
“ Kalimi i një termini nga një person tek një tjetër nuk është i lejueshëm. Angazhimi i personave të tretë (p.sh. agjencioneve) nuk është i nevojshëm dhe nuk sjell asnjë përparësi. Ju lutemi regjistrohuni në procedurë vetë dhe në qetësi dhe keni kujdes patjetër shënimin e të dhënave të sakta”.
Vetëm në katër muajt e fundit, afro 200 mijë qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë gjermane. Mbi 8 mijë kërkesa janë bërë edhe në Ambasadën e Zvicrës. Ndërsa, për në Kroaci, kanë aplikuar 1 mijë e 944 persona. Me këtë trend, vetëm për një vit, nga Kosova do të donin të largoheshin një e treta e qytetarëve.
Që nga fillimi i dhjetorit e deri në fund të marsit, ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza.
Vetëm brenda marsit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar 48 mijë e 44 kërkesa për viza. Të dhënat nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë thonë se nga shtetet e rajonit, vetëm Bosnjë dhe Hercegovina ka më shumë kërkesa se Kosova për viza afatgjatë.
Vullnet për t’u larguar nga Kosova, sipas një ankete të fundit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike kanë 48.4% e qytetarëve të Kosovës.
Situata me COVID-19 e ka rritur ndjeshëm gatishmërinë e qytetarëve për të emigruar, theksohet në hulumtimin e opinionit publik nga GSJP. Referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në periudhën 2015-2019 janë larguar nga Kosova më shumë se 170 mijë qytetarë. Sipas kësaj Agjencie, vetëm në vitin 2019, në mënyrë të ligjshme dhe të paligjshme kanë migruar 34 mijë e 911 kosovarë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë për media, e ka pranuar se qytetarët po ikin nga Kosova. Por ajo ka thënë se nuk janë më shumë se 50 mijë qytetarë që po presin para Ambasadave të huaja në vend për t’u larguar.
Këto informacione, ajo thotë se i ka nga ambasadat përkatëse.
“E para, ne na është qartësuar nga Ambasadat përkatëse që pak a shumë dy-tre-katër mijë aplikacione trajtohen, por pastaj janë të njëjtit ata, afërsisht 50 mijë që aplikojnë përsëri. Pra është një numër njerëzish në masë të madhe që janë të njëjtit, por riaplikojnë derisa t’ju vijë radha, derisa t’ju trajtohet aplikacioni, sepse asnjë ambasadë apo konsullatë nuk ka kapacitete që t’i trajtojë 50 mijë aplikacione.
Ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian që janë në Kosovë, përfshirë ato që japin viza për zonën “Schengen”, vazhdojnë të japin viza udhëtimi për qytetarët që synojnë bashkimin familjar, për biznese, punë, viza për studentë, turistike dhe për raste të caktuara urgjente.
Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, të cilit nuk i është miratuar ende liberalizimi i vizave, pavarësisht përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Vendimi për këtë çështje ka ngecur për shkak të skepticizmit që kanë shfaqur shtetet si Franca dhe Holanda.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.