Qytetarët e Kosovës të varur nga remitencat, miliona euro të dërguara nga diaspora

13/06/2019 11:26 AM 0 komente

Paratë e ardhura nga mërgimtarët që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm i mbijetesës dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se diaspora kosovare po vazhdon të dërgojë miliona euro.

Dërgesat e mërgimtarëve vazhdojnë të jenë një burim i rëndësishëm i të ardhurave në Kosovë, e në të njëjtën kohë edhe burim i rritjes ekonomike në vend. Qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës dhe botës vazhdimisht dërgojnë shuma të mëdha të mjeteve financiare tek familjet e tyre.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tregojnë se shuma e remitencave të dërguara nga diaspora e Kosovës ka shënuar rritje.

Në pjesën e parë të vitit 2019, rritja e remitancave është për 4.5 për qind më e madhe se vitin 2018. Po ashtu, rritja e vlerës së dërgesave nga bashkatdhetarët në krahasim me vitin e kaluar është më e madhe.

Sipas BQK remitencat e pranuara në Kosovë gjatë vitit 2018 shënuan vlerën prej 745.5 milionë euro.

“Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan vlerën prej 113 milionë euro deri në shkurt 2019, apo 4.5 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtët të vitit 2018”, thuhet në raportin “Vlerësimi tremujor i zhvillimeve makroekonomike, tremujori i parë 2019”.

Gjermania është shteti nga ku kosovarët dërgojnë më së shumti para.

“Shtetet kryesore prej nga vijnë këto dërgesa janë kryesisht ato shtete ku është e koncentruar diaspora e jonë dhe ku prinë Gjermania e përcjellë nga Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia, Franca, Suedia, Britania, Belgjika, etj”.

Dërgesat e diasporës, sipas kanaleve të dërgimit, më së shumti dërgohen nga agjencitë për transferim të parave dhe ndjekur nga bankat.

Përveç remitencave që dërgohen vazhdimisht në Kosovë, shuma të mëdha të mjeteve financiare emigrantët nga Kosova shpenzojnë edhe kur vijnë për pushime, sidomos gjatë stinës së verës.

Sipas të dhënave të BQK-së diaspora e Kosovës gjatë vitit 2018, ka kontribuar me 1 miliard e 800 milionë euro.

Nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.

Disa prej familjeve të Kosovës burim kryesor të te ardhurave e kanë nga remitencat dhe se kryesisht dërgesat e mërgimtarëve janë për t’i ndihmuar familjet dhe studentët në Kosovë.

Nëse e bëjmë krahasimin me shtetet e rajonit (Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), duke u bazuar në databazën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vitin 2017, Kosova renditet e katërta për nga shuma e remitencave që i dërgon diaspora.

 

/Fatos Shala për monitor.al/.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of