Qytetarët e Kosovës tërhoqën mbi 190 milionë euro nga Trusti

08/03/2021 3:01 PM 0 komente

Qytetarët e Kosovës kanë tërhequr nga Fondi i Kursimeve Pensionale rreth 195 milionë euro.

Deri në fund të muajit shkurt mbi 420 mijë kontribuues kanë aplikuar për tërheqjen e 10-përqindëshit.

“Deri më 28 shkurt kanë aplikuar 421 mijë kontribuues dhe janë ndarë rreth 195 milionë euro”, kanë treguar në Trust.

Sipas Trustit, qytetarët kanë katër muaj në dispozicion për aplikim.

“Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”.

Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Qeveria e Kosovës me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.

Nenit 7 të këtij Ligji i shtohet paragrafi “Përjashtimisht, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjete për qind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, në përputhje me nenin 12A të këtij Ligji. Mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë euro (9,999.00 euro) kompensohen në formë rimburësimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë se rimburësimit që vendoset me vendim te Qeverisë së Republikës së Kosovës, në konsultim me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, brenda afatit prej gjashte (6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji”.

Sipas këtij ndryshimi, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit ka filluar më 11 dhjetor, ndërsa do të jetë i hapur katër muaj deri më 6 prill 2021.

Me anë të këtij Ligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of